“Le të themi se sot ne nuk qajmë për teatrin si vlerë kulturore, por për demokracinë në tërësinë e vet. Sot shqiptarët janë përpara mungesës totale të demokracisë. Prandaj çështja duhet të spostohet nga kauza për teatrin në mbrojtjen e demokracisë dhe rivendosjen e shtetit ligjor”.
Nga Leonard Veizi
Ata ishin të gjithë aty në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Ka qenë një betejë e gjatë. Më parë luftuan dhe për mosprishjen e Stadiumit Kombëtar. Dhe në vazhdim kanë luftuar në vazhdimësi, që objektet kult të kryeqytetit të mos rrënohen nga ruspat e fadromat, sepse gjithsesi e në çdo rast, ato ishin pjesë e kujtesës kolektive, dhe pika referimi për këdo që jeton në këtë qytet që quhet Tiranë.
Por edhe pse kanë luftuar me mish e shpirt, por, sigurisht, pa armë zjarri e antiplumb nuk është se kanë arritur t’ia dalin. Humbën atëherë, por humbën edhe këtë radhë. E, megjithatë, asgjë nuk shkon në deziluzion, sepse, me sa duket, çdo humbje u kthen një besim më të madh për të vazhduar të mbrojnë atë çka mendojnë se është e drejtë. Ndërkohë ajo që përsërisin më së shumti është se tek ta vazhdimisht humbet besimi te qeveria dhe drejtuesit e saj.
Sot, kur janë përballë një fakti të kryer, sepse godina që kishin marrë nën mbrojtje është kthyer në një mal inertesh, ata kanë marrë mbi vete një tjetër mision. Dhe ky mision është po aq i shenjtë sa dhe tentativat e bëra më parë, ndoshta edhe më shumë, sepse flitet për lirinë individuale, dhe për atë tërësore, e cila ndryshe quhet demokraci. Duke folur për mbrojtje të dinjitetit e të demokracisë. Arben Tafaj, kryetari i shoqatës “Tirana” tregon për gazetën “Fjala” se tanimë çështja duhet të spostohet nga kauza për teatrin në mbrojtjen e demokracisë dhe rivendosjen e shtetit ligjor.
Si e vlerësoni tani ju si Shoqata “Tirana” shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar?
Jemi përpara faktit të kryer. Çdo gjë tashmë ka përfunduar. Tiranës dita-ditës po i ikën memoria historike, objekte shumë të çmuara që e shkuara e saj i ka lënë në këtë vend. Por më në fund, u kuptua dhe u mor vesh që qoftë sensibilizimi i shoqërisë civile në drejtim të qeverisë, qoftë ai organizmave të tjerë që u ngrirën në mbrojtjen e teatrit, pse jo edhe qëndrimet e opozitës shqiptare, të gjitha këto përballë këtij shteti nuk pinë ujë. Pra, të gjitha këto ishin përpjekje të kota. Pra, në fund njerëzit e morën vesh se mos të raftë e keqja, se nuk të bën më derman as opozita, as shoqëria civile, as organizatat, as thirrjet e ndërkombëtarëve, sepse këtu ne kemi një diktaturë të pashpallur. Kjo është situata sot e shqiptarëve.
Paraprakisht, ku ka konsistuar reagimi i shoqatës suaj në pengimin e veprimeve të tilla arbitrare nga ana e qeverisë, apo e pushtetit lokal?
Sigurisht, mua si kryetar i shoqatës “Tirana”, më dhimbset, ikja, apo më mirë të them, shembja e godinës së Teatrit Kombëtar. Por ky nuk është rasti i parë. Ne jemi prononcuar dhe kemi qëndruar jo vetëm për teatrin, por edhe për stadiumin “Qemal Stafa” i cili, gjithashtu, u prish. Ne kemi qëndruar fort, jemi grupuar dhe kemi bërë përpjekjet tona edhe për sheshin “Skënderbej” që ndryshoi identitetin e tij. Por kemi reaguar dhe për objekte të ndryshme, si hotel “Vjosa” gjimnazi “Sami Frashëri”, shkolla “Servete Maçi”, por dhe për objekte të tjera të shkëputura. Pra teatri si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore ka qenë një grusht tjetër që shoqata “Tirana” e ka përjetuar një lloj keq si një pjesë e madhe e shqiptarëve. Por sot ky është fakt, ndaj le të themi se sot ne nuk qajmë për teatrin si vlerë kulturore, por për demokracinë në tërësinë e vet. Sot shqiptarët janë përpara mungesës totale të demokracisë. Prandaj çështja duhet të spostohet nga kauza për teatrin në mbrojtjen e demokracisë dhe rivendosjen e shtetit ligjor.
Ju thatë se tani jemi përpara faktit të kryer. Në fakt, çfarë mendoni se duhet ndërtuar në territorin që vazhdon t’i përkasë Teatrit Kombëtar? Të jetë i njëjti me modelin që u shemb, apo…
Kemi përballë një pushtet që ka 20 vite që është prononcuar për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, flas për ata që e mbajnë mend mbledhjen e parë kur u hodh kjo tezë. Është një pushtet dhe një kryetar qeverie që kur ishte kryetar bashkie thoshte se do të prishte sheshin “Skënderbej” dhe e realizoi. Pra, kanë qenë apo janë, le të themi, objektiva që po realizohen tani, por të deklaruar më përpara. Propozimet tona si shoqëri civile, si qytetarë të hershëm të këtij qyteti, si shoqatë “Tirana”, kanë qenë absolutisht të pastra, të qarta dhe konkrete. Teatri le të qëndrojë. Nëse nuk i kryen funksionet si teatër, le të kthehet në një muze, madje në muzeun e këtij qyteti. Sepse Tirana është një qytet, i vetmi në Shqipëri po se po, por ndoshta dhe i vetmi në botë, që nuk ka një muze të vetin. Dhe qeveria e bashkia mund ta ndërtojë teatrin e ri kudoqoftë, në vazhdimin e bulevardi të ri apo në ambiente të tjera. Sepse është me të vërtetë një absurd i madh. I mbijeton kohës “Turbina”, dhe nuk i mbijeton Teatri Kombëtar. Këtë nuk ka qytetar të Tiranës që mund ta kapërdijë. Ndaj propozimet tona, unë mund të them, se janë të shteruar dhe çfarëdo propozimi tjetër që do të mund të bënim, sërish do të binte në vesh të shurdhët.