Teatri Kombëtar iu dorëzua fatit të tij të paracaktuar nga vendimi i Bashkisë Tiranë dhe pas gati 80 vitesh jetë. Shkatërrimi i beftë i kësaj godine në orën 04:30 të mëngjesit ka nxitur protestat qytetare. Tashmë kauzën e një grupi artistësh e qytetarësh që mbrojtën për më shumë se 2 vite godinën e ka marrë “në dorë” opozita, e cila ka paralajmëruar protesta kundër qeverisë
Nga Blerina Gjoka
Roza Anagnosti dhe Luiza Xhuvani luajtën “rolin” e tyre të fundit dje në Teatrin Kombëtar për të dalë nga shtëpia artistike ku jetuan gjithë jetën në një kamionçinë të thjeshtë mallrash. Ky ishte episodi i fundit, ndërsa godina e Teatrit Kombëtar ishte thuajse e rrëzuar, pas nisjes së aksionit për prishjen e saj në 04:30 të mëngjesit të djeshëm. Pjesa e mbetur e garderobës dhe disa materialeve që qëndronin në atë godinë u trasferuan për tek Ar Turbina, ndër to edhe pamja e Anagnostit, fare e re. Emocionet, lotët, të qeshurat dhe zërat e tyre nuk do të jehojnë më në sallën e errët me karrige të kuqe të asaj godine ku u luajt teatër prej thuajse 80 vitesh. Godina e Teatrit Kombëtar iu dorëzua dje fadromave. Vendimi për shembjen e saj dhe më pas ndërtimin e një godine të re, ishte marrë shumë kohë më parë. Prej më shumë se 2 vitesh e gjysmë ajo ishte kthyer në strehën e mbrojtësve të saj, një grup artistësh e qytetarësh që kërkonin me çdo kush të mos lejonin shembjen. Mes mbrojtësve ishte dhe Roza Anagnosti, që dje “fotoja e saj”, e publikuar fillimisht nga “Fjala.al”, bëri xhiron e fundit. Që nga korriku i vitit që shkoi ata nisën ta ruanin edhe natën, por natën në të gdhirë 17 maji, ata u gjendën para faktit të kryer. Për pak minuta ajo që kishin dashur dhe mbrojtur, u kthye në pluhur e hi. Por protesta e tyre modeste e orës 18:00 me fjalime para një banderole ku shkruhej “Monument kulture, mbrohet nga populli”, nuk mbaroi me rënien e pllakës së fundit të kësaj ndërtese. Gjithçka u pastrua për të hequr edhe inertet e fundit dhe kthyer zonën tashmë të “pastruar” nga një godinë 80-vjeçare, për të cilën edhe qëndrimet janë të ndryshme, nga ata që e mbronin dhe të tjerë që ishin pro shkatërrimit. Godina nuk është më, por fryma e protestës duket se ka mbetur, madje po tentohet të ngjizet edhe më shumë. Janë disa grupime, deri më tani të ndara si: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Lëvizja Vetëvendosja në Tiranë, apo edhe nisma “Thurje” të cilat i bashkon kauza, por mund t’i ndajë forma. Pikërisht këtyre reagimeve që vijnë nga shoqqria civile, apo subjekte të saporijuara politike dhe të tjera në tentativë, është premtuar se do t’i bashkohet opozita. Gjithçka e paqartë si do të vijojë, sa jetë mund të ketë dhe çfarë qëndrimesh me të qarta do të vijnë edhe nga faktori ndërkombëtar.
Opozita merr “kauzën” e teatrit, paralajmëron reagim qytetar
Duke marrë shkas nga shembja e Teatrit Kombëtar, Partia Demokratike ka nisur lëvizjet për të rinisur një aksion të ri opozitar kundër qeverisë. Një tryezë e aleatëve dhe mbledhja e strukturave më të larta mbrëmë vonë kanë vendosur për nisjen e protestave.
Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar duket se do të jetë fitili i ndezjes së protestave të reja opozitare të fashitura muaj më parë. Përveç sheshit përballë Ministrisë së Brendshme, ku qytetarët protestonin para rreshtave të gjatë me policë, vendi tjetër ku ka pasur më shumë lëvizje dje në Tiranë ka qenë selia blu e Partisë Demokratike. Një tryezë e PD-së me partitë aleate dhe më pas mbledhja e strukturave të larta të partisë kanë çuar në vendimin e ri për të rinisur protestat për rrëzimin e qeverisë. Kryetari i PD, Lulzim Basha, doli në sheshin e protestës në orët e pasdites kur shumica e qytetarëve kishin ikur. Ai mbërriti aty disa minuta pas kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, dhe të dy u ulën këmbëkryq në rrugë për të kumtuar se kauza e teatrit tashmë ishte një kauzë politike, jo vetëm e artistëve. Basha tha se zemërimi i popullit po fryhet. Ai vetë u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës. “Të gjithë ata që zbatojnë urdhrat e xhelatit, do të kenë të njëjtin fat si ai. Do t’i vëmë këta barbarë para përgjegjësisë. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës që të njohin vetëm një të drejtë, atë për të protestuar dhe për t’u përballur me këtë regjim palaçosh. Të shpërfillin çdo gjë tjetër. Nuk ka bandit si Rama që t’ia heqë të drejtën”, – tha ai. “Ky regjim nuk njeh ligj, por vetëm përballje”, tha Basha duke paralajmëruar se “do të qëndrojmë këtu, sa të kemi fuqi”. Por Basha së bashku me aleatët e tij nuk qëndruan më shumë se 1 orë në shesh, bashkë me simpatizantët e partive të tyre që i ishin përgjigjur thirrjes për një mbledhje spontane. Kreu i PD-së vijoi lëvizjet e tij politike më tej, me mbledhjen e strukturave të partisë nga kryesia e ish-grupit parlamentar, ku u mor vendimi për organizimin e protestave të reja.
Opozita në aksion
Dita e djeshme përkonte me 3-vjetorin e marrëveshjes mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ku takimi i 17 majit 2017 solli një qeveri teknike para zgjedhjeve, por situata aktuale sjell një tablo konfliktuale mes tyre. Kreu i opozitës, Basha, u shfaq i penduar për atë marrëveshje, duke e cilësuar si një “gabim që nuk do të përsëritet më kurrë”. “Si sot tre vjet më parë, unë u ula me këtë njeri, me shpresën dhe besimin se forcat politike në vend mund të arrinin një marrëveshje në të mirë të popullit, në të mirë të unitetit të kombit dhe për të garantuar një proces të lirë zgjedhor. Koha tregoi shumë shpejt se u gabova. Dua të garantoj sot shqiptarët se ky gabim nuk do të përsëritet më kurrë! Se opozita është e vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat demokratikë, por të vendosur, për largimin një orë e më parë të së keqes së shqiptarëve, të së keqes së Shqipërisë, të së keqes së fëmijëve tuaj, që është Edi Rama”- deklaroi kreu i PD-së. Basha i bëri komentet pas një tryeze me partitë aleate e thirrur për të rakorduar një aksion të përbashkët opozitar për çështjen e shembjes së teatrit kombëtar. Pas tryezës Basha tha se opozita do të mbështesë protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, qytetarëve dhe do të nisë organizimin e protestave mbarëpopullore. “Vendimi ynë i parë sot është mbështetja për të gjitha protestat e Aleancës për Teatrin, shoqërisë civile dhe qytetarëve kudo ku ndodhen, dhe nisja e organizimit po kështu nga ana e opozitës e protestave qytetare dhe mbarëpopullore”,- theksoi Basha. Sipas tij, “aty ku u dhunua Teatri u përgatit flijimi i lirive dhe të drejtave elementare të çdo qytetari”, dhe shtoi se opozita do të jetë në krah të qytetarëve dhe kundër qeverisë.