Alenaca për Mbrojtjën e Teatrit protestoi pas shkatërrimit të godinës. Artistët në ballë të “podiumit”, opozita pjesëmarrëse në shesh, për të “mbushur radhët”. Asnjë incident serioz në tubimin e zhvilluar para Ministrisë së Brendshme
Nga Ina Allkanjari
Në duar mbajnë ende pankartat “Mbro teatrin”, por si objekt nuk kanë më asgjë për të mbrojtur, por po mbahen me kauzën pas shembjes. Ashtu siç ishte paralajmëruar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit organizoi ditën e djeshme protestën para Ministrisë së Brendshme, ndërkohë nga godina e Tetarit Kombëtar (që u shemb mëngjesin e së dielës), nuk kanë mbetur as rrënojat, duke u kthyer në një “fushë të hapur”. Tubimi ishte paqësor, me një incident të vogël që u kalua lehtë, ndërsa “padiumi i vërtetë” mbeti për artistët dhe grupin e shoqërisë civile të cilët protestuan për 27 muaj kundër shembjes së Tetarit Kombëtar. Opozita, duke nisur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri, Sali Berisha, dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, me mbështetësit e tyre, “mbushën sheshin” dhe ua lanë në duar kauzën artistëve.
Në orën 16:30 aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, artistë dhe përfaqësues nga opozita u mblodhën në sheshin para Ministrisë së Brendshme, ndërkohë qindra forca policie rrethuan sërish godinën e ish-teatrit për të siguruar rendin dhe parandaluar tensionet e mundshme me protestuesit. Gjithashtu, në gatishmëri të përforcuar ishin efektivë nga komisariatet e kryeqytetit, reparti i Shqiponjave, forcat RENEA, por dhe Forca te Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërkohë në tarracën e institucionit të Ministrisë së Brendshme qëndronin disa efektivë policie të maskuar, të cilët monitoruan ecurinë e protestës nga lart. Siç ishte parashikuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, me nisjen e protestës fjalimet u mbajtën nga përfaqësues regjisorë dhe aktorë, ndërsa përfaqësues të opozitës qëndruan në heshtje, në mbështetje të artistëve, duke iu bashkuar herë pas here ndonjë duartrokitjeje.
Tubimi nisi me fjalimin e regjisorit Robert Budina, i cili e cilësoi shembjen e teatrit si tentativë për vrasje, ndërsa theksoi se kanë kërkuar mbështetje nga ndërkombëtarët për zbardhjen e ngjarjes.
“Ftojmë prokurorët e SPAK-ut ta hetojnë këtë ngjarje që ishte një tentativë për vrasje e artistëve që ndodheshin brenda godinës së Teatrit Kombëtar. Ne sot kemi kontaktuar edhe me faktorin ndërkombëtar, për të bërë të qartë se çfarë ka ndodhur. Kërkuam të zbardhet kjo ngjarje. Deri më tani kemi marrë një mbështetje dhe do të donim që kjo ngjarje të zbardhej. Shembja në mënyrë mafioze me goditje të përqendruara atë ditë ishte nga ana e qeverisë një mesazh për t’ju thënë ju se qytetaria ka vdekur”, u shpreh Budina.
Ndërkohë protestues të shumtë me pankarta në duar brohorisnin në kor “Poshtë diktatura”, por ka tërhequr vëmendjen një prej tyre, ku një buqetë me lule e ka mbështjellë me një “karton” ku shkruan: “Dy teatrot do të rrojnë për jetë në kujtesën tonë”.
Sheshi i vogël me “ndarje” të mëdha
Edhe në atë shesh të vogël, protestuesit ishin të ndarë, ndonëse “i bashkonte” një kauzë. Në fillim më të shpejtët në kohë duket se u treguan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosja në Shqipëri. Të pakët në numër, por me pankarta dhe flamuj kombëtarë zunë kreun e protestës. Më pas vijonin në grupime përfaqësues të partive opozitare, kryesisht nga PD-ja dhe LSI-ja. Turma mbushej me qytetarë që grupoheshin më larg “oazës” politike. Më në periferi rrinte pjesa tjetër e aktorëve, regjisorëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët për 27 muaj mbajtën të ndezur çdo ditë reagimin dhe penguan për disa kohë prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Qëndrimet e artistëve
Me duartrokitje të shumta nga protestuesit është shoqëruar aktorja e njohur e Teatrit Eksperimental, Adriana Tolka, teksa këndoi “Himnin e teatrit”. Gjatë fjalimit të mbajtur, aktori Neritan Liçaj thërriti të gjithë shqiptarët ta mbrojnë këtë kauzë. “U përpoqën të na vrasin shpresën. Por shpresa nuk vritet, sepse shpresa është brenda çdo njeriu. Mendoj se kjo dritë shprese mua më ka mbajtur mbi dy vite atje. U përpoqën të vrasin artin. Pse? Sepse arti forcon dy muskuj (zemrën dhe mendjen). Është muskuli i patriotit që të bën të jesh kuqezi. Atë nuk e vrasin dot kurrë, kot ta kenë”, u shpreh Liçaj, i cili të dielën u shoqërua për disa orë në polici dhe më pas u la i lirë. Më pas në podiumin e “sajuar” pa shumë komoditet mbajti fjalim edhe aktori Mehdi Malkaj, i cili, i emocionuar, tregoi se ndodhej në shesh si një njeri që e do teatrin, por tashmë duhet vendosur demokracia. “Këtu fillimisht doli banda, më pas anti-banda e për të vijuar me kontrabanda dhe pastaj anti-antikontrabanda dhe këto duhet të zhduken të gjitha, që këto të zhduken duhet vendosur demokracia. Duhet diktaturë e ligjit, qysh nga kryeministri deri te qytetarët”. Nga ana tjetër, juristja Adriana Kalaja, gjatë fjalimit të saj u shpreh se kryeministri Edi Rama është përgjegjësi kryesor për shembjen e Teatrit Kombëtar. E revoltuar për shembjen e teatrit, Kalaja tregon se në ato rrënoja ka mbetur një pjesë e shpirtit të artistëve. “Ne duhet të ishim habitur, nëse Rama nuk do të vinte në teatër, nëse Rama nuk do të sulmonte teatrin. Ata erdhën për të vrarë, ata erdhën me armë ndaj artistëve. Ata nxorën me pranga Nertian Licajn. A i keni parë si Ardi Veliu me kriminelët i shoqëruan me kriminelë në polici. Ata shembën vetëm muret e teatrit. Teatri është brenda nesh dhe kurrë nuk do ta shembin. Në ato rrënoja ka mbetur një pjesë e shpirtit tonë”, tha Kalaja. Fjalimi mbyllës i protestës u mbajt nga aktori Edmond Budina, i cili i bëri thirrje presidentit të Republikës, që të njoftojë shpërndarjen e parlamentit. Duke theksuar se nuk do të lejojnë kthimin e diktaturës, Budina tha se ata që deshën t’i bënin varrin teatrit kombëtar do të kenë varrin politik në këtë teatër. Protesta përfundoi rreth orës 19:00 pa incidente ndërkohë në mbyllje të tubimit Robert Budina bëri të ditur se protesta e radhës në shenjë kundërshtie për prishjen e teatrit do të mbahet ditën e mërkurë, në orën 17:30.
Hodhi lëndë plasëse në protestë, arrestohet 49-vjeçari
Pavarësisht se protesta e djeshme ishte paqësore, një kapsollë e hedhur ndaj qytetarëve shkaktoi panik dhe tension, kjo pasi dy qytetare mbetën të lënduara. Tensionet u shuan shumë shpejt, pas thirrjes së artistëve për largimin e personit që shkaktoi trazirat. Menjëherë policia e identifikoi dhe arrestoi shtetasin që hodhi lëndën plasëse në komisariat. Uniformat blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për 49-vjeçarin Arben Qyrani. Sipas njoftimit të policisë, 49-vjeçari pasi hodhi lendën plasëse mes turmës, i ndihmuar nga persona të tjerë doli nga protesta, por agjentët e policisë e ndoqën dhe e ndaluan pak metra larg sheshit ku mbahej tubimi. “Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar 49-vjeçarin Arben Qyrani, me banin tek Unaza e Re, autori i hedhjes së lëndëve pirotenike në tubimin e sotëm. Për pasojë pati dy shtetase të lënduara, nga lënda plasëse, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë mësohet se Qyrani është proceduar edhe më parë për “Tubim të paligjshëm”, në vitin 2018, në zonën e Unazës së Re në Tiranë.