Në prononcimet për gazetën “Fjala” përfaqësues të shoqërisë civile Ergys Mërtiti dhe pedagogu Ervin Goci tregojnë arsyet se përse iu bashkuan protestës. Pankarta e veçantë e aktivistit Miriam Aliaj: “Qeveria duhet rrëzuar, Opozita duhet ndërtuar, Kodi zgjedhor duhet ndryshuar”
Nga Ina Allkanjari
“Dhuna, makabriteti që ka ushtruar mbi qytetarët e lirë të cilët mbrojnë një pasuri kombëtare, një qeveri që do të futet në Bashkimin Evropian, ka këputur fijen e kontaktit që kemi me Evropën”.
Kështu u shpreh në një prononcim për gazetën “Fjala” Ervin Goci, pedagog dhe njëherësh aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Goci thekson se Shqipëria po e humb demokracinë kjo, pasi, sipas tij kemi, mosrespektim të qytetarëve, prishje të pronës pa paralajmërim, si dhe kapje të pushteteve.
“Lexova një reagim të një parlamentari gjerman dhe thoshte kjo e ka larguar Shqipërinë nga Evropa, nuk është kjo rruga për në Evropë. Praktikisht, Shqipëria është sovjetizuar dhe ky është një rrezik gjeopolitik. Kemi shumë shenja që janë shumë të rënda, të cilat shkojnë në një qëllim, kemi shtrëngim te mediet, kapje të pushteteve, mosrespektim të qytetarit, prishje të pronës pa paralajmërim, të gjitha këto janë një sistem që shkon pak a shumë te Lindja. Unë këtë nuk e dua, shqiptarët nuk kanë luftuar për këtë gjë, por fakti është ky dhe normalisht duhet reaguar për ta kthyer këtë gjë”, u shpreh Ervin Goci.
Më tej aktivisti u bën thirrje shqiptarëve të dalin në rrugë dhe të thyejnë pandeminë kjo, pasi, sipas tij, është qeveria e para që duhet ta respektojë dhe mos të dërgojë 1000 policë të dhunonin protestuesit.
“Nëse qeveria nuk i zbaton e para, ne legjitimohemi që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur të drejtat tona”, u shpreh Ervin Goci.
Një tjetër personazh, i cili ishte i pranishëm në protestën e djeshme, ishte aktivisti Ergys Mërtiri. Aktivisti në një reagim për gazetën “Fjala”, shprehu indinjatën jo vetëm për shkatërrimin e teatrit, por edhe për dhunën e shkaktuar më herët ndaj protestuesve.
“Ne jemi mbledhur për të reaguar dhe për të shprehur indinjatën tonë të thellë jo vetëm mbi shkatërrimin e një vepre të rëndësishme monumentale të trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe për të shprehur indinjatën tonë ndaj një mënyre barbare, arrogante, agresive të të sjellit të kësaj qeverie. Jemi këtu për të thënë që ti je barbar zoti kryeministër, dhe ti nuk mund të shkatërrosh vlerat tona kulturore, pavarësisht forcës që ke dhe ti nuk mund të sillesh me qytetarët e tu në këtë mënyrë. Ne mendojmë se reagimi është e vetmja mënyrë që qytetarët kanë në kushtet e sotme për t’u mbrojtur nga kjo qeveri”, u shpreh Mërtiri.
Aktivisti thekson se është shumë e rëndësishme që njerëzit të dalin në shesh, kjo, pasi, sa më shumë qytetarë të reagojnë, aq më e shëndetshme do të jetë klima që do të pengojë nesër sjellje të tilla të përsëritura.
Të pranishëm në protestë ishin me qindra qytetarë, disa prej të cilëve të pyetur për arsyen e pjesëmarrjes në të, u shprehën se prishja e teatrit u trazoi shpirtrat dhe shpresën për një vend ku mbizotëron liria dhe demokracia. Një prej protestuesve, një djalosh i ri, i quajtur, Kejdi teksa mbante pankartën në duar tha për gazetën “Fjala” se arsyeja pse ai ndodhej në protestë ishte me prishjen e teatrit janë trazuar shpirtra të cilat nuk do të qetësohen më.
Nga ana tjetër, Mirjam Aliaj, një aktivist i cili në pankartën e ngritur lart shkruante “Qeveria duhet rrëzuar, Opozita duhet ndërtuar, Kodi zgjedhor duhet ndryshuar”, u shpreh se ndodhet në protestë jo vetëm kundër shembjes së teatrit, por për mbrojtjen e pronës publike, për mbrojtjen e histories, si dhe të trashëgimisë kulturore.
Gjatë fjalimeve të mbajtura në podiumin e protestës ditën e djeshme, aktivisiti Adriatik Lapaj u shpreh gjithashtu se kjo nuk është një protestë vetëm për Teatrin, por për demokracinë.
“Kjo nuk është më një betejë për një godinë dhe për disa karrige. Kjo është një betejë për Evropën që ka ngelur përgjysmë. Kjo nuk është vetëm një betejë për Teatrin, kjo është betejë për demokracinë. Nuk ka më gjykata, nuk kemi ku të drejtohemi”, u shpreh Lapaj.