Nga Eduart Gjokutaj
Nisur nga fakti se qëllimi kryesor i reformës është depolitizimi i jetës ekonomike, atëherë liberalizimi i ekonomisë është një prioritet. Liberalizimi e nxit depolitizimin, sepse i privon politikanët nga mundësia për të përfituar nga proceset e ndryshme ekonomike në vend. Por, nga ana tjetër, një liberalizim dhe hapje e ekonomisë që bëhet pa zbatuar kuadrin ligjor, dhe duke anashkaluar rregullat, është një e keqe e madhe, që e diskrediton këtë reformë, si dhe dëmton ardhmërinë.
Mungesa e zbatimit të ligjit në kohë dhe me standardet e miratuara është edhe një nga sëmundjet më të mëdha që vijnë nga ndikimi i politikës. Arsyet që nuk ecnin reformat zakonisht adresohen me ndryshime ligjore. Një arsye për këtë është mungesa e llogaridhënies dhe transparencës. Ndryshimi i ligjeve e humbet motivin e llogaridhënies. Një arsye tjetër është se miratimi i një ligji për të modifikuar një praktikë ligjore është një arsye e fortë që ligji të mos arrijë asnjëherë të jetë i zbatueshëm deri në fund. Ai humb konsistencën, frymën e tij dhe, natyrisht, demotivon zbatimin e tij.
Ndërkohë, një pjesë e mirë e ligjeve që ndryshohen vijnë si ndikim prej presionit për përfitime individuale apo në grup, duke i dhënë arsye vetes për të mos u bërë objekt hetimi dhe përgojimi nga votuesit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që qeveritë të kenë filluar një reformë gjithëpërfshirëse radikale.Vetëm disa masa të konsideruara si reformë ishin radikale. Praktikisht, të gjitha ishin të suksesshme, ndërsa të gjitha politikat “e moderuara” kanë dështuar. Reformatorët që kanë qenë në pushtet janë përballur me kriza politike në vazhdim d.m.th. destabilizim politik, që është dhe do të jetë faza finale e dështimit të shtetit dhe në më shumë se disa raste vendi kryesisht ka mbetur i paqeverisur. Asnjë reformë rrënjësore nuk ndodh aktualisht pa bekimin e liderëve, por përfshirja e tyre është e pamjaftueshme për një mbështetje të plotë politike.
Nuk mjafton të përqafosh reformat, kur secili nga ta me modelin e drejtimit ndihmon në shkundjen e ekonomisë drejt rrëmujave të korruptuara. Ndikimi politik mbi jetën ekonomike është shkaku themelor i mungesës së efikasitetit ekonomik.
Mjafton të përmendim vetëm një fakt në këtë aspekt.
Qytetarët e zgjedhur për të qenë protagonistë në proceset liberalizuese të ekonomisë ,me kalimin e pak viteve u bënë mjaft të pasur kur i transferuan këto të mira të garantuara nga ndërmarrjet shtetërore në llogaritë e tyre private, përmes transferimit me anë të çmimeve korruptive, por edhe duke mos u merakosur për të arritur në nivelin e vjedhjes së hapur.
Pas arritjes në këtë standard të ri mirëqenie, interesat e menaxherëve të ish- ndërmarrjeve shtetërore, apo edhe ata të rinjtë që vijojnë të drejtojnë ato janë larguar nga individët që mbartin detyrat për të kryer reformat. Menaxherëve që u favorizuan apo vijojnë të jenë pjesë e grupit të ngushtë të interesave private u duhet një tranzicion i zgjatur, madje edhe i kushtueshëm në aspektin shoqëror.
Nëse lideri nuk arrin kurrë ta kuptojë këtë, fati i reformave është drejt dështimit. Por edhe pse ndoshta reformatorët kryesorë mund ta kuptojnë këtë realitet, duket se as ata nuk e ndiejnë se duhet të përpiqen t’i bashkojnë forcat dhe veprimet dhe të mposhtin klasën e re të menaxherëve që janë duke u fuqizuar në sajë të strukturave të gatshme të ekonomisë publike dhe me mbështetje të caktuar politike. Ata mund të na duken sikur e duan shtetin, por, në fakt, qëllimi i vetëm është përfitimi prej tij duke arritur të korruptojnë edhe pjesë apo gjithë lidershipin reformator. Drejtuesit dhe menaxherët e kompanive të mëdha, që operojnë me paratë e buxhetit janë opozita më e madhe e shtetit, pasi qëllimi për të përfituar fonde është më i forte se çdo ndjenjë tjetër.
Zakonisht, reformat e mëdha ndërmerren nga profesionistë të rinj. që vijnë nga jashtë, duke sjellë njohuri të reja dhe duke i koordinuar me profesionistët e vendit, që njohin mënyrën e përshtatjes së tyre në ambientin e brendshëm. Sado që dukej se lidershipi aktual është radikal dhe i vendosur, ai paraqitet si një version që mbron “bastet” e tij me fatin. Në fakt, duket se është më tepër intuitiv sesa i qëndrueshëm. Pasi emëroi ministrat e tij të rinj të reformës, ai i mban ata në një distancë dhe nuk u jep atyre asnjë mundësi të drejtpërdrejtë për afërsi me të. Ky nuk është një zakon normal i qeverisjes normale. Le të presim për pak, se deri ku do të arrijë kjo qasje e ndikimit të lidershipit mbi politikën, e cila ndikon edhe mbi ekonominë./Fjala.al