Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalimin në Kuvend me temën e koronavirusit në Shqipëri. Aftësinë e Shqipërisë në përballimin e pandemisë së koronavirusit, Rama e sheh si lajm të mirë, pasi sot nuk do të diskutohej për teatrin, por për viktimat.
“Meqë teatrin e politikës sot e ka pushtuar politika për teatrin, atëhere më lejoni t’ju them se ky është një lajm shumë i mirë në këtë moment, kur nqs nuk do të kishim bërë të gjitha gjërat e mira, mund të mos takoheshim fare këtu, por mund të përjetonim një hall të madh duke numëruar vdekjet në kushtet e një beteje kur shumë shtete më të fuqishme e humbën”, tha Rama.
Rama kujtoi edhe vizitën e zhvilluar më parë në spitalin e Massachusetts në SHBA, për të vizituar një njeri të dashur, kur është përballur me aftësinë dhe kushtet shumë të mira të atij spitali në kohë normale, por gjatë pandemisë rezultoi e kundërta.
“Kur kam hyrë në atë spital dhe kam parë se çfarë ndodhte, kam menduar se kjo këtu është dora e Zotit. Përpara syve të mi kam parë atë qënie për të cilën do të jepja jetën time të kthehej nga koma, dhe sot, në atë vend ku gjendet ai spital, numërohen deri më tani 6 mijë të vdekur me vetëm dyfishin e popullisë së Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri bëri me dije se kufijtë do të hapen brenda muajit dhe se vendi po përgatitet për sezonin turistik.