Kishte fshehur largimin nga detyra në vitin 1997, pezullohet nga detyra anëtari i KPA-së, Luan Daci, dhe nis procedimi penal në SPAK për akuzën e falsifikimit të dokumenteve
Nga Blerina Gjoka
Anëtari i njërit prej institucioneve të reja të drejtësisë që u ndërtuan pas reformës, të miratuar me konsensus politik dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, është pezulluar dje nga detyra me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Bëhet fjalë për ish-gjyqtarin Luan Daci, i cili kishte arritur të kalonte disa filtra për t’u zgjedhur si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, një institucion që vë “vulën” finale të vetting-ut për prokurorë dhe gjyqtarë të sistemit të drejtësisë. Menjëherë ka ardhur edhe reagimi i SPAK-ut (Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion) i cili ka nisur hetimet ndaj tij.
Pezullimi i Dacit ka shkaktuar një krisje në besimin tek institucionet e reja të drejtësisë dhe ka ngritur shumë pikëpyetje për mënyrën se si ai u zgjodh dhe e mbajti këtë detyrë për 3 vite radhazi, kur mbi të rëndonin akuzat për falsifikim. Si anëtar i KPA-së ka qenë pjesë e trupës që ka “filtruar” gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar apo konfirmuar në detyrë. Ai arriti të kalonte në filtrin e Avokatit të Popullit, ONM-së dhe Kuvendit vetëm një vit pasi ishte skualifikuar nga një garë për gjyqtar në KLD, por ai arriti që, pavarësisht problemeve në CV-në e tij, të merrte një post në institucionin më të lartë të vetingut në institucionet e reja të drejtësisë. Siç mësohet nga vendimi i firmosur për pezullim nga titullari i KPA-së, Daci kishte fshehur në të dhënat e tij një largim nga puna në vitin 1997. Bëhet fjalë për shkarkimin e tij si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me firmën e ish-presidentit Rexhep Meidani. Por kjo fshehje e zbuluar disi vonë, i ka kushtuar anëtarit të KPA-së jo vetëm pezullimin nga detyra, por edhe kalimin në ndjekje penale.
Daci në dorë të SPAK-ut
Pas pezullimit nga detyra në KPA, Luan Daci do t’i nënshtrohet hetimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Kjo prokurori ka bërë të ditur dje se ka regjistruar procedimin penal nr.56, viti 2020 për veprën penale ″Falsifikimi i dokumenteve″, të parashikuar nga neni 186, paragrafi (1) i Kodit Penal. “Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal, është provuar se shtetasi Luan Daci, me funksion gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore largim nga puna″, – thuhet në konstatimin e SPAK-ut. Më tej, duke iu referuar dokumentacionit që disponojnë thuhet se Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, me vendimin nr.6, datë 24.12.1997, në nenin 1 të tij, ka vendosur: ″Z.Luan Daci, largohet nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë″. Në bazë të nenit 6, paragrafi (1), germa (dh) të ligjit nr.84/2016 ″Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, si dhe nenit 150, paragrafi (3) të ligjit nr.96/2016 ″Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, i cili ka qenë në fuqi në momentin e aplikimit, ekzistenca e masës disiplinore ″largim nga puna″ përbënte shkak ligjor që shtetasi Luan Daci të mos i plotësonte kriteret formale për të aplikuar në pozicionin vakant gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”,- thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
SPAK-u sqaron se në rrethanat e mësipërme, shtetasi Luan Daci është marrë në përgjegjësi penale. “Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 54, datë 20.05.2020, ka vendosur ndaj shtetasit Luan Daci caktimin e masës së sigurimit ndalues ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik″, të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, duke e pezulluar nga atë funksioni gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”,- theksohet në njoftimin publik të SPAK-ut. Ish-gjyqtari Luan Daci është zyrtari i parë i institucioneve të reja të drejtësisë që merret nën hetim nga SPAK-u.
Prokurorja që u shkarkua nga Daci: Në KPA ka njerëz pa integritet moral e profesional
Reagon Antoneta Sevdari, ish-prokurorja që u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por u dogj nga vetingu në shkallën e dytë,në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Ish-prokurorja dhe ish-anëtarja e KLP-së, Antoneta Sevdari, ka reaguar pas pezullimit të Luan Dacit nga gjyqtar në Kolegjin e Posacëm të Apelimit. Sevdari shprehet se, për fat të keq, anëtarë të KPA-së janë zgjedhur njerëz pa integritet profesional e moral. Sevdari humbi pozicionin e saj si anëtare e KLP-së, pasi nuk mori certifikimin e vetingut në KPA, ku ishte anëtar i shqyrtimit të çështjes së saj edhe gjyqtari Daci. Në reagimin e saj ish-prokurorja ngre pikëpyetje për integritetin e drejtësisë së re. “Të parët që do shkelnin tapetin e Drejtësisë së Re, ishin gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Fatkeqësisht, anëtarë të Kolegjit të Posaçëm te Apelimit, u zgjodhën ish-studentë me rezultate të dobëta; persona të cilët nuk e njihnin Kodin Penal dhe kishin dhënë dënime me vdekje në mungesë të dispozitës; të cilët falsifikuan dhe paturpësisht gënjyen Kuvendin; të cilët nuk e kishin idenë ku ndodhej zyra e pagimit të taksave dhe tatimeve, pasi nuk kishin lidhje me procesin e deklarimit dhe pagimit te taksave, pra të cilët nuk plotësonin disa kushte zgjedhshmërie”,- shkruan ajo. Sipas Sevdarit, këta persona jo vetëm që nuk e reformuan drejtësinë shqiptare, por, ndryshe nga sa pritej e shkatërruan me themel. “U bëj thirje autoriteve shqiptare dhe nderkombëtare t’i shikojnë më në fund me vëmendje këto fakte, sepse siç thotë fjala e urtë popullore “dielli nuk mbulohet me shoshë”,- apelon ish-prokurorja. Sipas saj, shpresa mbetet te Gjykata e Strasburgut, e cila ka në shqyrtim dhjetëra çështje magjistratësh të gjykuara nga këta njerëz, prania e të cilëve në trupa gjykuese cenon parimin për një proces të rregullt ligjor./Fjala.al