Asnjë sistem zgjedhor nuk është shkaku i degradimit demokratik të Shqipërisë! Natyrisht që ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kane çuar drejt “sundimit te kryetareve”, duke e bere Kryeministrin me te forte se kurrë dhe kryetaret e PS dhe PD “pronare” te listave për deputete, por vullneti politik është ai qe përcakton sjelljen e leadership-it dhe partive!
Çfarë i pengon Ramën e Bashën të demokratizojnë partitë? Çfarë i shtyn të shkatërrojnë debatin dhe garën e përfaqësimin brenda partive që drejtojnë? Marrëzia për pushtet absolut!
Por dëmi më i madh i është bërë Partisë Demokratike për shkak të historisë dhe strukturës elektorale të saj. Nëse PS bazohet tek “solidariteti” dhe historia e përbashkët duke i mbijetuar edhe rënies së komunizmit qe e prodhoi, PD përfaqëson një larmi historish dhe interesash politike pluraliste.
Ata që e themeluan, studentë, pedagogë përfaqësonin një pjesë të madhe të shoqërisë që donin të rrëzonin komunizmin për shkak të dështimit ekonomik dhe politik, por nuk ishin “radikalë të djathtë” që vinin nga persekutimi shtazarak i regjimit!
Natyrisht që kërkonin liri politike dhe ekonomike ndaj dolën në shesh duke tërhequr pas vetes edhe burokracinë dhe “klasën punëtore” të kohës, duke formuar një shumicë urbane kundër sistemit komunist në 1990! Për nga natyra, tranzicioni i shndërroi në një masë më fleksibël politike, e gatshme për të qenë kritike ndaj edhe vetë PD kur performonte keq!
Në anën tjetër, shtresa e persekutuar politike dhe ekonomike(që shpeshherë janë e njëjta gjë) që ishte dhe është natyrshëm më radikale me të drejtë për shkak të vrasjeve, burgosjeve, internimeve dhe shpronësimeve kriminale të regjimit, ju bashkëngjiten PD si e vetmja shpresë për të rrëzuar komunizmin dhe përfaqësuar interesat krejt legjitime anti-komuniste për liri politike dhe ekonomike gjithashtu!
Këto dy grupime që përbëjnë PD kur kanë bashkëjetuar në harmoni me njëra-tjetrën brenda PD, kanë prodhuar fitore elektorale dhe qeverisje 13 vjeçare të së djathtës. Sa herë janë prishur ekuilibrat, PD është rrudhur dhe ka humbur!
Nën drejtimin e Berishës PD ka funksionuar si në ekuilibër edhe në ç’ekuilibër të këtyre “masave përbërëse” të së djathtës, asaj tradicionale dhe asaj post-komuniste! Por bilanci ka qenë në tërësi pozitiv: 9 vite opozitë, 13 vite qeverisje!
Berisha pas vitit 2000 e kuptoi se kthimi tek ngjizja e PD e periudhës ‘90-92 ishte e vetmja rrugë drejt fitores dhe qeverisjes së qëndrueshme. Edhe humbja e vitit 2013 nuk ishte traumatike për shkak të mbajtjes së këtij ekuilibri. Delegimi dhe mbajtja me konsensusin e këtyre dy grupimeve e pushtetit ne parti dhe qeverisje nen autoritetin e tij dëshmoi të ishte rezultativ.
Me ardhjen e Bashës në krye të PD këto ekuilibra u prishën në mënyrë progresive duke e çuar PD drejt dyshimit për ekzistencën e saj. Të mos qenit Sali Berisha për nga inteligjenca, përvoja, intuita e vetëpërmbajtja, e ka kthyer PD në një aventurë personale të një kryetari që bën vetëm kompromise ditore brenda dhe jashtë partisë. Herë sillet si radikal e herë si i moderuar duke mos bërë dot as njërën e as tjetrën. Ndaj ka dëmtuar autoritetin e tij pa kthim e shpërbërë kohezionin e brendshëm të Partisë Demokratike. E vetmja zgjidhje ishte zëvendësimi i “karizmës se munguar” të tij me një demokratizim radikal të partisë, ç’ka do sillte kthimin e bashkëjetesës mes dy grupimeve te elektoratit te djathte! As këtë nuk e bëri dhe as ka ndërmend ta bëjë!
Një ligj elektoral si ai “danez” do i jepte një mundësi tjetër përmes listave të hapura dhe garës në parti. Por jo, ikën nga tryeza e Reformës Zgjedhore duke shuar çdo mundësi për të kthyer besimin tek një e djathtë që do bashkohej për të qenë fituese në 2021! Alibia perfekte është prishja e teatrit, një akt arrogance i paprecedentë i Ramës!
Por prishja e teatrit, nuk ka të bëjë me reformën zgjedhore. Zgjedhjet do mbahen si gjithmonë, jo në sheshin e teatrit të rrënuar tashmë, por në kutitë e votimit! Dhe që ato të mbushen me vota për të djathtën, ajo duhet të jetë konkurruese, e hapur, demokratike, e qartë ideologjikisht dhe me e rëndësishmja e bashkuar mes radikaleve dhe të moderuarve të së djathtës!
Rrugë tjetër drejt fitores nuk ka! Këtë e dinë të gjithë që nga politika, votuesit e deri tek mediat! Kokëfortësia e aventurës personale do shtojë listën e humbjeve por jo fitoren e zgjedhjeve! 2021 po vjen më shpejt se fadromat kriminale teatrit, e nuk do zënë poshtë një godinë por një shoqëri të tërë!