Shpërthimi për drejtësinë/ Ambasadorja amerikane Kim “i lidh duart” politikës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, del me deklaratë të fortë që shkakton “tërmet” në politikë. Mesazhi i saj pa kode për një “marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi”

Nga Sebi Alla

Reforma në drejtësi është produkt ndërkombëtar, por e lënë në duart e “lokalistëve” shqiptarë, ajo mund të jetë deformuar, ndikuar dhe nën një trysni serioze për ta kontrolluar, me një marrëveshje okulte, të shkruar apo të pashkruar, mes aktorëve tanë politikë. Kush e thotë këtë? Një analist, një jurist, një qytetar “i lexuar”? Jo! E artikuloi dje ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim. “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim e duhet të vazhdojë”, shkruan ambasadorja në një reagim në “twitter”. Vetëm ambasada amerikane nuk merret me “thashetheme”, ndaj në këtë pikë, është momenti për t’u ndalur, edhe pse forma e këtij mesazhi mund të interpretohet sipas asaj që duan vetë aktorët, por jo siç është. Shok i madh dje në Tiranë. U harrua disi çështja e shembjes së Tetarit Kombëtar, ra edhe tempi i deklaratave çoroditëse politike mbi reformën zgjedhore. Të jetë shkëputje vëmendjeje për të ruajtur jo një pushtet, por një shtet nga trazirat që ziejnë, por ende jo në pikën e derdhjes në rrugë? Vështirë të thuhet, por edhe vështirë të mos besohet. Gjithçka po ngjet në një kohë të shkurtër, me shumë intesitet. Të gjitha palët po matin forcat. Kanë mprehur lapsin për llogari matematikore mbi zgjedhjet e ardhshme, por thelbi nuk po ndryshon. A do të jetë ky momenti? Si mundet që edhe një investim ndërkombëtar SHBA-BE të përfundojë me “marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi”? Pastaj prapa krahëve të kujt? Një mendim ka edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca. “Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe duhet të ruhet. Nuk është koha për të rihapur diskutimin mbi bazat e tij, por për të rritur efikasitetin e saj dhe forcimin e burimeve që disponohen. Shqiptarët meritojnë të kenë drejtësi të pavarur të përditshme, si dhe Shqipëria të vijojë përpara në rrugën e saj të pranimit në BE”. Mjaft diplomatik ky mesazh, që disa e lexojnë si “përplasje” SHBA-BE dhe të tjerë si një shqetësim i tyre për ato “thashetheme” që po pëshpëriten jo më vësh më vesh, por fare haptas.

Kush e kapi dhe si e deformoi?

Kryeministri Edi Rama regoi menjëherë pasi ambasadorja Kim dha atë mesazh të fortë. Ai zgjodhi vetëm një frazë të huazuar nga Shekspiri i madh. “Ferri është bosh dhe të gjithë djajtë janë këtu”, – shkruan Rama, duke iu përgjigjur postimit të ambasadores. Edhe pse në dukje një deklaratë “e thellë”, qëndrimi i kryeministrit është më i thjeshtë për t’u dekriptuar mes gjithë këtyre mezazheve të koduara. Rama po premton se do ta dërgojë “në ferr” drejtësinë e vjetër, (të paktën pengesë thotë se nuk do të bëhet), po ashtu lëshon kumtin se është i gatshëm që “ferrin” ta plotësojë edhe me të tjerë që: “[bëjnë] marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi”. A besohet kjo? Kundërshtarët politikë të mazhorancës së sotme e akuzojnë se ai ka kapur reformën e re në drejtësi. Po kontrollon institucionet kyçe të saj, ndërsa kulmin, sipas tyre, e pati me Gjykatën Kushtetuese. Në këtë vazhdë qëndrimesh, tha fjalën e tij edhe kryedemokrati Lulzim Basha. Pa kode, pa “aprovim” të deklaratave të ambasadores, por me “konstatim” që opozita e ka mbajtur prej kohësh. “Çdo ndryshim kushtetues dhe ligjor në lidhje me reformën në drejtësi nga ky parlament është ilegjitim. Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që e përdorin pushtetin për të devijuar dhe për të minuar reformën, për të kontrolluar politikisht dhe për të kapur sistemin e drejtësisë”, – shkruan Basha.

Lexo edhe :  Zgjedhjet e 11 majit/ KQZ shqyrton sot kërkesat e partive të tjera për regjistrim

Ç’po ndodh në drejtësinë e re?

Nëse ambasada amerikane arriti deri në atë mesazh, pa dyshim që diçka, për të mos thënë shumëçka po shkon keq. Janë krijuar disa institucione kyçe të drejtësisë së re, por fort të anatemuar, duke nisur nga KED-i, (Keshilli i Emërimeve në Drejtësi) SPAK-u, (Struktura e Posaçme Anti Korrupsion), apo së fundmi edhe KPA-ja (Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit). Janë tetë prokurorë të SPAK-ut që ushtrojnë detyrën prej disa muajsh, por asnjë produkt konkret nuk ka dalë prej tyre, pavarësisht pritshmërive të mëdha që patën shumë qytetarë, që më tepër se kurrë kërkojnë drejtësi dhe, mbi të gjitha, kthimin në realitet të atij postulati që ka mbetur si “relikt tallës” në gjykatat tona: “Drejtësia është e barabartë për të gjithë”, apo edhe: “Drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar”. U desh plotësimi i tri vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese që drejtësia e re të futej në “moçalin politik” nga ku nuk doli më. Komisioni i Venecias gjeti disa shkelje ligjore në përzgjedhjen dhe më pas procedurën e emërimit të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, duke i dhënë të drejtë kreut të shtetit, Ilir Meta. Pa dyshim, që kjo nuk ishte pak. Të paktën në këtë pikë drejtësia e re u soll si “drejtësia e vjetër”. Vendi ka nevojë ulëritëse për krijimin e institucioneve të reja, por sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë me kapacitet të plotë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pikërisht në elitën e vetting-ut, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, anëtari i tij, Luan Daci, pezullohet nga detyra me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe për të ka nisur hetimet SPAK. Edhe në vetë sondazhet e finacuara nga ambasada amerikane kohët e fundit, besimi i qytetarëve shqiptarë në drejtësinë e re ka rënë. Kjo është ajo që e “tremb” edhe një superfuqi që u investua kaq shumë për një drejtësi të pavarur dhe profesionale. Ky duket edhe thelbi i qëndrimit të ambasadores së re amerikane, e cila duket se në këtë kohë të shkurtër ka kapur thelbin e gjithçkaje. Si pikë të parë dhe të fundit kërkon “lidhjen e duarve” që politika ka shtrirë apo tenton të shtrijë në sistemin e drejtësisë së re./Fjala.al

Të fundit

“Salo, ose 120 ditët e Sodomës”, tmerri neveritës i një libri që u kthye në film

Nga Leonard Veizi Provokuese dhe tronditës. I vështirë për t'u parë dhe i pamundur për t'u harruar. I fundit film i...

Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

Sot, më 01 mars 2025, dollari amerikan, blihet me 94.5 lekë dhe shitet me 96.2 lekë. Euro, blihet me 98.8 lekë dhe shitet 99.5 lekë. Franga...

Nis sot muaji i shenjtë i Ramazanit, presidenti Begaj uron besimtarët!

Presidenti Bajram Begaj uroi sot në ditën e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit besimtarët myslimanë. “Ramazan sa më të begatë e agjërim sa...

Parashikimi i motit për sot, 1 mars 2025

Si pasojë e kalimit të një sistemi frontal nga Italia drejt territorit Shqiptar do të kushtëzo het mot i paqëndrueshëm. Orët e paradites paraqiten me...

Një aktor shqiptar në serialin “Ertugrul”, si u gjend Nelson Sejdija në produksionin turk

Seriali “Ertugrul” në Tv Klan ka rezultuar një sukses i vërtetë, me rekorde audience në çdo episod. Por ajo që nuk dinim është se...

Lajme të tjera

Web TV