Presidenti Ilir Meta dha shumë përgjigje në konferencën e zhvilluar këtë të
premte në oborrin e Presidencës. Tha se platformën me 14 pika për
rrugëdaljen nga kriza politike dhe përparimin në rrugën e integrimit ua kishte
prezantuar si aktorëve ndërkombëtarë, ashtu edhe aktorëve vendas të
politikës që në fillim të prillit.
Edi Rama e mohoi se ka marrë një platformë të tillë, ndërsa Lulzim Basha tha
se ishte njohur me këtë platformë në javën e parë të muajit prill, ndërsa gjatë
një interviste të dhënë në mbrëmje sqaroi se “nuk e ka marrë dokumentin e
plotë me 14 pika, por është njohur me idenë e Metës në javën e parë të prillit”.
Kreu i PD-së gjithashtu tha se nuk i kujtohej data, por e cilëson propozimin
një udhërrëfyes të mirë nga ku mund të niset për të dalë nga kriza.
Këto janë përgjigjet e Ramës dhe të Bashës sa u takon deklaratave dhe
pretendimeve të Presidentit Ilir Meta se platformën nuk e ka mbajtur të
fshehtë, por ka njohur me përmbajtjen e saj si ndërkombëtarët, ashtu edhe
Ramën dhe Bashën.
Por, ajo që Presidenti Ilir Meta nuk tha në konferencën për shtyp të zhvilluar
këtë të premte ishte se çfarë përgjigje i ktheu Yuri Kim? A e mbështeti? A e
rrëzoi, apo ende është në pritje të një përgjigjeje në rrugë zyrtare?
Një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë platformë nga Ambasada Amerikane
nuk ka. Por, nisur nga deklaratat e Yuri Kim, mund të hamendësohet
lehtësisht se propozimet e Metës nuk kanë gjetur mbështetjen e SHBA,
sidomos pika 9 e platformës që i transferon kompetencat e vendimmarrjes për
çështjen e reformës në drejtësi tek një këshill politik, që duhet të ngrihet,
sipas propozimit të Presidentit dhe jo tek Parlamenti.
Deri më tani Kim nuk duket aq e drejtpërdrejtë sa paraardhësi i saj, Donald Lu
në publik. Ajo zgjedh një gjuhë më të kujdesshme, por sërish në fjalitë e
zgjedhura me kujdes prej saj mesazhi është i qartë; reforma në drejtësi duhet
të miratohet ashtu siç është konceptuar larg duarve të politikës, pavarësisht
defekteve që ka shfaqur procesi deri më tani.
Ky ishte mesazhi që u përcoll përmes një cicërime të ambasadores amerikane
në rrjetet sociale. Për shumë nga ne reagimi ishte një rrufe në qiell të hapur,
ose më saktë, një rrufe e paparashikuar në stuhinë e krijuar nga aksioni i
shembjes së godinës së Teatrit.
Në atë mesazh, Kim fliste për “zëra që kërkojnë vrasjen e reformës në
drejtësi”. Ambasadorja Amerikane nuk përmend emra, as jep më ndonjë sinjal
tjetër që mund të ndihmojë për të drejtuar gishtin se kush po përpiqet që të
ekzekutojë reformën në drejtësi.
Basha e Rama nxituan ta përshëndesnin sipas mënyrave të tyre. Kreu i Partisë
Demokratike tha se çdo përpjekje e Parlamentit aktual për të ndryshuar
reformën në drejtësi është e paligjshme, ndërsa Rama deklaronte
shkurtimisht se “pajtohej” me deklaratën e Kim dhe e shoqëronte me
shënimin “Ferri është bosh! Të gjithë djajtë janë këtu!”.
Presidenti Ilir Meta nuk e komentoi këtë deklaratë menjëherë. Të premten ai
e nisi me një mesazh në rrjetet sociale, ku duke përkujtuar majin e protestave
në burgjet e Spaçit dhe të Qafë-Barit ftonte qytetarët që të ngriheshin në
protestë, pasi sipas tij, në vend po instalohet një diktaturë.
Pak pas këtij mesazhi të Ilir Metës, mesazhin e përçuar “online” një ditë më
parë, Ambasadorja e përforcoi para se të hynte në Kolegjin e Posaçëm të
Apelimit, institucion i goditur nga hetimet për gjyqtarin Luan Daci, që
akuzohet për falsifikim dokumentacioni. Këtu Kim kërkoi dhënien fund të
“lojërave me reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore”, dy kushte të
vendosura për integrimin në BE, shkruan gazeta SI.
Reagimin si për postimin e së enjtes, ashtu edhe për deklaratën e së premtes
të Yuri Kim, Ilir Meta e dha gjatë konferencës për shtyp. Ai përjashtoi se
mesazhi i Ambasadores Amerikane i drejtohej atij. Tha se nuk bënte lojëra me
reformën në drejtësi dhe gishtin e autorit të këtyre lojërave e adresoi nga Edi
Rama.
Por, në gjithë këto zhvillime përgjigja që nuk e dha Ilir Meta (ndoshta edhe
për shkak se nuk iu bë pyetja) është se çfarë i ka thënë Yuri Kim për
platformën e propozuar prej tij? Kushedi, përgjigjen mund të mësojmë më
vonë. Ajo që dimë sot është se njëri mes Metës, Ramës dhe Bashës, ose të tre
njëkohësisht, kanë shkelur në një kallo (reforma në drejtësi), ku amerikanët
kanë investuar para, burime njerëzore dhe kohë prej vitesh dhe nuk presin as
më pak, e as më shumë, por përmbylljen e saj, pavarësisht problematikave që
edhe Yuri Kim i njohur me cicërimën ku thotë se “kjo reformë nuk është efekte”.
b.gj/fjala.al