Pretendimi i Partisë Socialiste ishte se qeveria po manipulonte zgjedhjet, ndaj tërhoqi komisionerët e saj nga të gjitha qendrat e votimit në vend, pa u mbyllur procesi zgjedhor. Gjithçka filloi në mesditën e 28 majit 1996, kur liderët opozitarë, pas thirrjeve që kishin bërë një ditë më parë, dolën të protestonin. Në ballë të protestës ishin 30 drejtuesit e opozitës, që u dhunuan barbarisht nga forcat e policisë dhe të SHIK-ut.
Nga Leonard Veizi
Në Tiranë mbizotëronte një klimë terrori dhe sinjalet parazgjedhore tregonin se asgjë nuk po shkonte drejt një votimi të qetë, normal dhe, mbi të gjitha, demokratik. Ishte 28 maji i vitit 1997, dhe dy ditë më parë, në të gjithë Shqipërinë ishin zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme për përfaqësimin në Kuvend.
Mund të ishte një standard i arritur, pasi zgjedhjet paraardhëse, ato të pushtetit lokal, por edhe referendumi për ndryshimet kushtetuese, kishin treguar për frymë demokratike. Por në historinë 30-vjeçare të demokracisë shqiptare pikërisht zgjedhjet e 26 majit 1996 janë konsideruar si shembulli më i keq se si nuk duhet të realizohet një proces zgjedhor.
Në Shqipërinë postkomuniste ishin zhvilluar dy herë zgjedhje të përgjithshme, më 31 mars 1991 dhe në 22 mars 1992. Më pas ishin zhvilluar dhe zgjedhjet për pushtetin lokal. Dhe, sipas gjasave, demokracia kishte filluar të funksiononte. Zgjedhjet e 26 majit 1996 mendohej se do të ishin testi politik më i madh për Partinë Demokratike dhe popullaritetin e saj, pikërisht pas referendumit të humbur, të nëntorit 1994, për ndryshimet kushtetuese.
Bilanci
Partia Demokratike erdhi në pushtet me një votë plebishitare në marsin e vitit 1992. Por viti i fundit i mandatit të saj ishte i shoqëruar me kriza të forta në raportet ndërkombëtare. Komuniteti ndërkombëtar kërkonte që Shqipëria të zhvillonte një proces zgjedhor sipas standardeve demokratike. Një vit më parë vendi ishte bërë anëtar me të drejta të plota i Këshillit Evropian, ndërsa shumë ekspertë mendonin se brenda disa vitesh mund të nënshkruhej Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian. Pra, gjithçka dukej se po ecte normalisht.
Në katër vitet e ushtrimit të pushtetit, qeverisja demokrate kishte pasur një bilanc pozitiv, për sa i përket kryerjes së disa reformave mjaft të rëndësishme, ndërkohë që kishte shfaqur edhe mjaft elemente nga remineshenca e kaluar e diktatit komunist. Bëhej fjalë për probleme me lirinë e medias, për mungesë të pavarësisë së institucioneve, si dhe për përqendrim të pushtetit në duart e një individi të vetëm, që në atë kohë ishte presidenti i vendit.
Ndërkohë zgjedhjet kuvendore ishin në prag. Ishte çasti që PD-ja të dëshmonte se ishte një parti e përmasave demokratike, pasi prej të gjithëve pritej që të zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por dukej se pas dy humbjeve rresht, në zgjedhjet lokale të korrikut 1992, dhe ndryshimeve kushtetuese në 1994, Partia Demokratike ndihej e pasigurt. Prandaj për zgjedhjet e majit 1996 kishte marrë masa që të dilte fituese. Dhe masat ishin më të zellshme nga sa duhej.
Taktika
Aso kohe Partia Socialiste drejtohej nga katër nënkryetarë: Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga dhe Ilir Meta. Prej korrikut të vitit 1993, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, kryetari legjitim i PS-së, Fatos Nano, vuante dënimin në burgun e Bënçës. Por nga “Amnesty International”, Nano ishte cilësuar si “i burgosur politik”. Një gjë e tillë e bënte Partinë Socialiste edhe më kompakte.
Në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996, duke u njoftuar për ndërhyrje të shumta dhe për arogancë të tepruar edhe mes komisionerësh, Partia Socialiste tërhoqi komisionerët e saj nga të gjitha qendrat e votimit në vend, pa u mbyllur procesi zgjedhor. Pretendimi i Partisë Socialiste ishte se qeveria po i manipulonte dukshëm zgjedhjet, duke bërë që fitorja të peshonte nga krahu i demokratëve. Ky veprim, gjithsesi, i la një hapësirë më të madhe manipulimit të zgjedhjeve, ku demokratë të zellshëm i siguruan partisë së tyre një fitore “spektakolare”, aq sa të dilte zbuluar dhe në sytë vëzhgues të ndërkombëtarëve. Pas ditës së zgjedhjeve të 26 majit, opozita e majtë solli fakte të shumta të manipulimit, të cilat nuk u morën në konsideratë nga mazhoranca demokrate. Dhe pas kësaj përplasjet do të vazhdimin më tej.
Ndërkombëtarët
“Zgjedhje me legjitimitet të cunguar” do të ishte cilësimi i ndërkombëtarëve për procesin e 26 majit 1996. Sipas tyre, këto ishin zgjedhjet më të parregullta që ishin zhvilluar ndonjëherë pas rrëzimit të komunizmit në një vend të Evropës Lindore. Në raportet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 26 majit renditen një sërë kritikash, duke filluar qysh me ndarjen e zonave të aplikuar më 1996, duke e konsideruar tërësisht abuzive, jotransparente dhe jokushtetuese. Një ndër kritikat kryesore të ndërkombëtarëve lidhet me ndalimin e mitingjeve të opozitës, si dhe me dhunën që shoqëroi procesin zgjedhor, kryesisht ditët pas zgjedhjeve, dhe më pas kritika të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me ditën e zgjedhjeve.
Raporti i vëzhguesve të ODIHR-it, i publikuar më 2 korrik 1996, theksonte: “Kodi Zgjedhor është shkelur në mënyrë flagrante. Zgjedhjet janë komprometuar, janë shkelur 32 nga 79 nene të Kodit Zgjedhor”.
Këshilli i Evropës, përmes një rezolute, u shpreh: “Zgjedhjet janë njollosur nga dhuna dhe parregullsitë”.
Më 21 qershor, foli dhe Departamenti i Shtetit kur tha: “Një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”.
Refuzimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke pranuar se kishte pasur parregullsi në votime, vendosi që këto të përsëriteshin vetëm në 13 zona, duke mos iu përgjigjur kështu thirrjes së ndërkombëtarëve për t’i përsëritur votimet në 40 zona. Kjo nuk u pranua nga opozita, që kërkonte përsëritjen e plotë të zgjedhjeve, prandaj në votimet e 13 zonave që u bënë më 16 qershor 1996, opozita nuk mori pjesë. PS-ja nuk shkoi në Parlament dhe e bojkotoi atë. Megjithëse PS-ja kishte bojkotuar Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 26 majit, i dalë fitues nga këto zgjedhje Sali Rexhepi, shkoi në Parlament, duke thyer vendimin e PS-së për të mos njohur zgjedhjet. Rexhepi u përjashtua nga PS-ja, duke bërë që vota e tij të mos konsiderohej më si votë socialiste në Kuvend. Duke përfituar nga raportet e cenuara midis mazhorancës demokrate dhe faktorit ndërkombëtar, socialistët e radikalizuan betejën për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit që u zhvilluan në Shqipërinë e vitit 1996, më shumë sesa për keqadministrimin e tyre, mbahen mend për rrahjen e protestuesve në qendër të kryeqytetit.
Protesta
Gjithçka e dhunshme filloi në mesditën e 28 majit 1996, në orën 12:00, kur liderët opozitarë të PS, PSD dhe PAD-së, pas thirrjeve që kishin bërë një ditë më parë, dolën të protestonin. Të martën, më 28 maj, Misioni Vëzhgues i OSBE-ODIHR-it do të shpallte raportin paraprak në ambientet e hotel “Tiranës”. Pikërisht në këtë orë politikanët e opozitës organizuar një manifestim demonstrues për të shpallur qëndrimin e tyre se vota ishte manipuluar. Raporti final i vëzhguesve të ODIHR-it ishte dërrmues: “Zgjedhjet janë komprometuar, nuk ka pasur asnjë rregull zgjedhor që nuk është shkelur”. Ndërkohë policia kishte rrethuar sheshin “Skënderbej”me qëllim që të mos i linte protestuesit të manifestonin.
Fillimisht dukej se opozita nuk kishte një plan agresiv. Por irritimi e nxiti turmën, dhe nën rrethim policor, por nga të gjitha drejtimet, socialistët nisën të marshonin drejt qendrës së kryeqytetit. Në rrugë dhe në sheshin qendror policia qarkullonte me autoblinda, ndërsa forcat speciale dhe punonjës të shërbimit informativ krijuan barrikada për të penguar marshimin. Në ballë të protestës ishin 30 drejtuesit e opozitës, që udhëhiqej nga Servet Pëllumbi. Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe dhe Kastriot Islami u dhunuan barbarisht nga forcat e policisë dhe të SHIK-ut. Situata doli nga kontrolli dhe dhuna u bë e përgjakshme.
Shtypi ndërkombëtar e raportoi ngjarjen me pamjet e dhunës, nga e cila nuk shpëtuan as vetë gazetarët e huaj.