Këshilli Politik për reformën zgjedhore do të mblidhet sot, pas një ngërçi që u krijua javën që shkoi. Gazeta “Fjala” zbardh agjendën dhe pikat e nxehta të diskutimit që ndajnë palët në arritjen e një marrëveshjeje politike
Nga Blerina Gjoka
Partitë politike kanë vendosur të rinisin dialogun për reformën zgjedhore, pas presioneve të forta që erdhën nga ambasada e BE-së dhe e SHBA-së, por akoma janë larg një pakti të mundshëm politik. Tryeza e radhës e grupit negociator, të ngarkuar nga Këshilli Politik, për reformën zgjedhore do të zhvillohet sot më 26 maj, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, nën vëzhgimin e Prezencës së OSBE-së. Ky takim është i pari pas një jave pushimi të detyruar nga ngjarjet politike.
Shembja e Teatrit Kombëtar, më 17 maj, e bllokoi punën, pasi opozita u shpreh skeptike për ta vijuar dialogun me një mazhorancë që, siç u shpreh ajo, e minoi besimin te reforma. Por, pas ndërhyrjes së ambasadores amerikane, Yuri Kim, dhe asaj të ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, opozita bëri një prapa kthehu, duke pranuar të vijojë bisedimet, për të t’i dhënë vendit një reformë zgjedhore që do të garantojë zgjedhje të lira.
Nuk dihet se çfarë garancish ka marrë opozita nga ndërkombëtarët për t’u ulur sërish me mazhorancën, por kërkesat e saj të forta deri më tani janë refuzuar nga PS-ja. Opozita kërkon një qeveri kujdestare para zgjedhjeve, që të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në një atmosferë besimi te procesi.
Gazeta “Fjala” mëson se në agjendën e ditës së sotme janë paketa e propozimeve të bëra nga opozita e bashkuar PD-LSI, ku janë prekur 90 për qind e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për reformimin e legjislacionit zgjedhor. Por në këto propozime nuk është prekur çështja e sistemit zgjedhor dhe listat e hapura të kandidatëve, një çështje që ka krijuar ndjeshmëri në opinionin publik dhe ka shqetësuar dhe ambasadën amerikane.
Ambasadorja Yuri Kim, në një letër zyrtare dërguar përfaqësuesve të partive në këtë tryezë, u ka kërkuar atyre që të marrin parasysh ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave të kandidatëve, për të garantuar një demokraci sa më përfaqësuese për popullin shqiptar.
Deri më tani në tryezën me 4 anëtarë vetëm Rudina Hajdari, përfaqësuese e grupit opozitar parlamentar, ka këmbëngulur në këtë propozim. Nga ana tjetër, mazhoranca socialiste dhe dy partitë e opozitës jashtëparlamentare janë treguar skeptike për këtë pikë, por, gjithsesi, kanë deklaruar se janë të hapura për ta shtruar në diskutim.
“Patatet e nxehta” të reformës
Loja e propozimeve për disa prej çështjeve më të rëndësishme që prekin procesin zgjedhor do të përballë sot në tavolinë platformat e dy palëve se si e shohin këtë reformë. Përballja e dy dokumenteve, i opozitës dhe i mazhorancës, do të hedhë dritë mbi dasitë e tyre politike dhe juridike, se si do të shihen rekomandimet e ODIHR-it, dokument i hartuar pas zgjedhjeve të vitit 2017, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.
Një nga ekspertët e grupit që po mbështet hartimin e draftit të reformës i tha gazetës “Fjala” se shpresohet që gjatë kësaj mbledhjeje të kemi produkte konkrete për reformën zgjedhore, që do të shënojnë dhe pajtimin e parë mes palëve për çështje ku ata nuk kanë shumë dasi; siç është përbërja e Kolegjit Zgjedhor, financimi i fushatave zgjedhore të partive politike, apo kuotat e barazisë gjinore. Për çështjen e Kolegjit Zgjedhor, opozita ka kërkuar të ketë në përbërje gjyqtarë që kanë kaluar vetting-un dhe garantojnë paanësi gjykimi, kërkesë që është pranuar nga mazhoranca.
Por, mbetet ende larg një pajtim i tyre për administratën zgjedhore, përbërjen e KQZ-së, për emërimin e drejtuesit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe rolit të saj në zgjedhje, si pika më e fortë që ka të bëjë me kërkesën kryesore të opozitës për qeverinë kujdestare. Nga diskutimet dhe propozimet që janë hedhur në tryezë deri më tani palët mbeten larg.
Sistemi zgjedhor mund të jetë një tjetër pikë që do të kërkojë kohë në diskutime për të arritur një pakt të përbashkët. Dy palët deri më tani kanë kërkuar vetëm ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe jo atë të Kushtetetutës, që do të vinte si pasojë e ndryshimit të sistemit zgjedhor.
Trysnia e kohës që kanë në dispozicion i kushtëzon palët të jenë më konkrete dhe të hapura për të arritur në konsensus. Në një dakordësim të mëparshëm mes tyre është rënë dakord që paketa e reformës zgjedhore do të jetë gati deri më datë 31 maj, që të kalojë më pas në Kuvend për miratim.
Gjebrea: PS-ja, e hapur për të gjitha propozimet e opozitës
PS-ja është e hapur për dialog me opozitën jashtëparlamentare, për të arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore. Deklarata vjen nga deputetja e PS-së, Elona Gjebrea. “Jemi të gatshëm të ulemi me opozitën për reformën zgjedhore. Të sjellin propozime dhe në bazë të propozimeve të tyre ne të punojmë. PS-ja ka qenë e hapur për sa u përket opsioneve dhe elementeve që ndihmojnë në një dakordësi mes palëve. Pra, ne jemi të hapur dhe kërkojmë verdiktet e tyre që i mendojnë ata si më të përshtatshme. Kjo nuk do të thotë se ato miratohen pa u diskutuar, por jemi të hapur për propozimet e tyre”, theksoi ajo në një intervistë televizive. Në lidhje me datën e zgjedhjeve të ardhshme, Gjebrea tha se “nuk besoj te marrëveshjet e fshehta, por te diskutimi ndërmjet partive politike dhe përfaqësuesve që janë zgjedhur nga këto parti politike”. “Besoj që ata kanë gjithë ekspertizën e duhur dhe vullnetin që të ketë një produkt që të na ndihmojë për të vajtur në zgjedhje, kurdo qofshin ato, me një Kod të përmirësuar, bazuar tek të gjitha rekomandimet e përsëritura nga viti në vit”, theksoi Gjebrea. Në lidhje me idenë e aplikimit të sistemit danez, Gjebrea shprehet se “mund të shikojmë variante të ndryshme që përshtaten me realitetin shqiptar dhe që kërkojnë patjetër edhe një mirëkuptim mes partive politike”. “Çështja e reformës zgjedhore është një pikë e nxehtë, e cila nuk mund dakordësohet kollaj, dhe ndërkombëtarët mund të ndihmojnë në këtë rast”, u shpreh ajo.
Aktivisti i Teatrit letër Bashës: Mbaj premtimin për listat e hapura
Regjisori Kastriot Çipi, një nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, përmes një letre të hapur, drejtuar kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i kujton kontratën e nënshkruar me artistët për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Çipi, i cili e publikoi letrën në emër të AMT-së, duket se nuk ndan të njëjtin qëndrim me pjesën tjetër të grupit të aktivistëve, të cilët kanë nisur një tur takimesh me qytetarë e artistë në rrethe të ndryshme të vendit, për të kërkuar mbështetje për ringritjen e teatrit. Në letrën dërguar Bashës regjisori kërkon që Basha të mbështesë miratimin e sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë. Çipi i kujtonte Bashës kontratën e firmosur me AMT-në, ku angazhohej për një gjë të tillë.
“Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet: Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Diskutimi mbi këtë çështje duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në hartimin e tyre përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe të shoqërisë civile. Sot mbushen 10 muaj nga nënshkrimi i kësaj kontrate dhe ky konsultim nuk ka nisur ende, ndërsa mbetet më pak se një javë nga afati për miratimin e reformës zgjedhore. Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë. Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021”, – thuhet në këtë letër.
Meta mesazh për Teatrin: Të krijojmë një front të përbashkët!
Presidenti Ilir Meta e nis javën me një mesazh të fortë për prishjen e Teatrit Kombëtar, duke thënë se shembja e tij brutale ka indinjuar jo vetëm artistët shqiptarë, por edhe ata në Evropë. Kreu i shtetit publikon këngën e artistëve zviceranë kushtuar Teatrit, teksa thekson se “kjo këngë homazh duhet të na zgjojë e frymëzojë të gjithëve, për të krijuar një front të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”. “ Shembja brutale e Teatrit Kombëtar ka indinjuar jo vetëm artistët në Shqipëri, por edhe në Evropë, të cilët revoltën e tyre kundër dhunës dhe barbarisë ndaj trashëgimisë kulturore e historike të vendit tonë po e shprehin me art. “Atë natë të shtune, përse?”, është kënga homazh që dy muzikantët e mirënjohur Marco dhe Daria Zappa kanë krijuar si shprehje të dhimbjes për shkatërrimin kriminal të vlerave kulturore të kombit tonë nga dhuna e pushtetit”, – shkruan Meta në facebook. Sipas tij, kjo këngë homazh “duhet të na zgjojë dhe frymëzojë të gjithëve, për të krijuar një front të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”.