Kryeministri Edi Rama bëri me dije se duke filluar nga 1 qershori nuk do të ketë më asnjë kufizim për qytetarët dhe automjetet. Rama bëri me dije mbrëmjen e sotme se më 1 qershor makinat do të mund të lëvizin lirshëm në të gjithë territorin e vendit.
Edhe kufijtë shtetëror do të hapen në këtë datë.
Një tjetër pikë e rëndësishme dhe që ka ngritur shumë debate ka qenë edhe vendimi për të mos lejuar shezlonget në plazhe. Duke konfirmuar se plazhet do të hapen nga 1 qershori, Rama bëri me dije se edhe bizneset e tjera, përveç hoteleve, do të lejohen të vendosin shezlonge pasi të kenë marrë autorizimin.
“Nuk do të lejojmë asnjë subjekt privat, përveç hoteleve, për të vendosur çadra dhe shelzonge pa autorizimin e nevojshëm”, deklaroi Rama, por pa sqaruar se cilat do të jenë kushtet dhe procedurat që bizneset duhet të plotësojnë për të marrë këtë autorizim.
Pritet që Ministria e Turizmit të sqarojë në vijim procedurat për vendosjen e shezlongeve.