Trump VS Twitter
Presidenca e Shteteve të Bashkuara dhe mbështetësit e saj i përdorin mediat sociale, të tilla si Facebook dhe Twitter, për të patur ndikim. Ashtu si në të gjitha aspektet e tjera të jetës moderne, interneti po ndërthuret shpejt në fushata politike, duke krijuar një formë të re të politikës “të zgjuar”.
Sidoqoftë, ky adoptim i shpejtë i internetit nuk është i thjeshtë; rregullat dhe normat për praninë e fushatave në internet ende nuk janë standardizuar gjerësisht. Dje Presidenti amerikan Donald Trump i shpalli luftë “Twitter”, platformës sociale që e përdor si instrument të propagandës, armë kundër armiqve dhe megafon të njoftimeve, duke e kërcënuar me mbyllje.
Rrjeti social nisi për herë të parë verifikimin e “cicërimave” të Trump, duke i cilësuar si potencialisht mashtruese. Presidenti nuk e vlerësoi aspak ndërhyrjen e “Twitter” dhe nuk i kurseu paralajmërimet e forta. Trump nuk mund të mbyllë kompanitë, sepse kjo kërkon veprim nga Kongresi ose Komisioni Federal i Komunikimit. Megjithatë, ai nuk u kursye ndaj platformës ku ndiqet nga 81 milionë përdorues.
“Republikanët mendojnë se platformat e mediave sociale heshtin plotësisht zërat e konservatorëve”, shkroi presidenti. “Ne do të hartojmë një rregullore ose do t’i mbyllim ato, sepse nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne pamë atë që ata përpoqën të bënin, dhe dështuan në 2016. Ne nuk mund të lejojmë që të ndodhë përsëri, në një mënyrë më të sofistikuar.Twitter po shtyp fjalën e lirë dhe unë si president, nuk do ta lejoj”, vijoi ai duke iu referuar skandalit të Facebook, përhapjes së të dhënave personale të miliona përdoruesve.
Postimi me tone të ashpra i presidentit amerikan, fitoi gati 20, 000 pëlqime në 30 minutat e para. Ndërhyrja në “Twitter” nuk kishte ndodhur kurrë para se faqja e microblogging të shkonte për të kontrolluar përmbajtjen e postimeve të Trump. Konkretisht, veprimi i kontrollit të fakteve, i prezantuar kohët e fundit për të kundërshtuar përhapjen e lajmeve të rreme, u përqëndrua në dy postime në të cilat manjati pretendon se votimi me postë që disa shtete, si Kalifornia, duan të përdorin në zgjedhjet presidenciale në nëntor, për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid-19, çon në manipulim dhe mashtrim.
Këto postime u shenjuan si të pavërteta nga platforma dhe lexuesit u paralajmëruan gjithashtu të “verifikojnë faktet”, duke i ridrejtuar ato në një seri artikujsh dhe burimesh, përfshirë CNN dhe Washington Post, të cila hedhin poshtë pretendimet e presidentit. Zëdhënësi i “Twitter”, Lindsay McCallum, tha se postimet e Trump “përmbajnë informacione potencialisht false në lidhje me proceset e votimit dhe janë etiketuar për të siguruar kontekst shtesë rreth fletëvotimeve të postës elektronike”.
Shuplaka e rrjetit social erdhi disa orë pasi vetë kompania kishte refuzuar të fshinte postimin ku Trump i rikthehej teorisë konspirative, sipas të cilës ish-deputeti dhe tani prezantuesi i MSNBC Joe Scarborough, kritik i zëshëm i tij, mund të kishte pasur një rol në vdekjen e ish-bashkëpunëtores së tij Lori Klausutis në vitin 2001.
Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi po përmes një postimi në Twitter se liria e internetit duhet mbrojtur në çdo kohë. “SHBA është kundër dhe nuk do të tolerojë mbylljet e kompanive në internet me natyrë imponuese nga qeveria, sikurse edhe format e tjera të censurës gjatë ose pas kësaj pandemie”, shkroi ai duke rikujtuar në një farë mënyre censurën e internetit në Kinë, e cila është më e gjerë dhe më e avancuar se në çdo vend tjetër të botës.
Qeveria kineze bllokon përmbajtjen e faqes në internet dhe monitoron hyrjen e individëve. Platformat kryesore të internetit dhe shërbimet e mesazheve në Kinë kanë krijuar mekanizma të hollësishëm të vetë-censurimit. Shumë ngjarje të diskutueshme janë të ndaluara për t’u mbuluar, duke parandaluar shumë qytetarë kinezë të dinë për veprimet e qeverisë së tyre. Reporterët pa Kufij me qendër në Paris deklaruan në 2010 dhe 2012 se “Kina është burgu më i madh në botë për qytetarët”.
Shkeljet e zakonshme të përdoruesve përfshijnë komunikimin me grupet jashtë vendit, nënshkrimin e peticioneve në internet dhe thirrjen për reforma qeveritare. Qeveria ka përshkallëzuar përpjekjet e saj për të neutralizuar mbulimin dhe komentet që janë kritike për regjimin pas një serie protestash të mëdha kundër ndotjes dhe anti-korrupsionit. Shumë nga këto protesta si dhe trazira etnike u organizuan ose u publikuan duke përdorur shërbime të mesazheve të çastit.
Për t’iu rikthyer klimës së nxehtë në Shtetet e Bashkuara, “Twitter” dhe platforma të tjera janë përballur prej disa muajsh tashmë me kritika që nuk kanë bërë aq sa duhet për të luftuar dezinformimin, veçanërisht kur praktikohet nga politikanë. Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump insiston se Facebook, Google dhe Twitter janë kundër tij dhe madje ka sugjeruar që rregullatorët duhet t’i padisin ata për shkak të paragjykimeve antikonservatore.
Ka patur mjaft thirrje të disa demokratëve për të pezulluar llogarinë e Trump në Twitter. Por kjo e fundit ka deklaruar se llogaritë e liderëve botërore nuk janë plotësisht mbi politikat e saj dhe se ajo do të godasë vetëm ato llogari që shkelin rregullat, fjala vjen, duke publikuar kërcënime të drejtpërdrejta ndaj një individi ose postimi i informacionit privat të dikujt.
Në qershor të vitit të kaluar, Twitter tha se postimet e udhëheqësve botërorë që shkelin rregullat, por kanë vlerë të qartë për interesin publik, mund të marrin një etiketë paralajmëruese. Me një qëllim të thjeshtë: sigurimi i kontekstit të shkeljes dhe lejimi i njerëzve për të klikuar mbi tweet nëse dëshirojnë. Deri më dje, Twitter nuk e kishte aplikuar këtë politikë të re.