Formula 1 e ka humbur busullën, anulohet dhe GP holandez

Gara e Holandës në botërorin e Formula 1 është anuluar. E parashikuar që të zhvillohej në cirkuitin historik Zandvoort, “Grand Prix” i vitit 2020 është anuluar për shkak të pandemisë globale të coronavirusit, një zhvillim i rëndësishëm që tregon sesa e pasigurt është bota e motorëve, që ende nuk ka shijuar premierën sezonale.

Gara që rikthehej në kalendarin e Formula 1 për herë të parë që nga viti 1985,  do të zhvillohej në 3 maj por fillimisht u shty nga situata emergjente e Covid-19. “Ne ishim plotësisht të gatshëm për këtë garë dhe jemi akoma,” tha drejtori sportiv i Grand Prix Hollandez, Jan Lammers. “Ne i kërkojmë të gjithëve të jenë të durueshëm. Na duhej ta prisnim atë për 35 vjet, kështu që mund të presim një vit tjetër”.

“Ne dhe Formula 1 kemi potencialin për të zhvilluar një garë këtë vit pa spektatorë, por do të donim të festonim kthimin e Formula 1 në Zandvoort, së bashku me tifozët tanë në Holandë” tha Lammers.

Dy gara në Silverstone janë vendosur në kalendar nga FIA,  me kusht që rregullat e karantinës së qeverisë britanike mund të përjashtojnë pilotë dhe stafin. Secila nga 10 skuadrat do të jetë e kufizuar në një maksimum prej 80 personash staf, në garat pa spektatorë.