Libri në luftën e përkohshme për mbijetesë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Kam pasur bindjen e patundshme, qoftë si një rekomandim hipotetik apo edhe të materializuar në mënyrë sporadike, se letërsinë a të lexuarit në përgjithësi mund ta fillosh nga të duash, me “Tom Sojerin” apo me “Aventurat e Çufos”, por nëse do të vazhdosh më tej, se të është mbushur mendja e kërkon një kualifikim më të madh brenda vetes, duhet të ulesh këmbëkryq për të lexuar thellësisht dy autorë shekullorë: Shekspirin dhe Servantesin.

Në këtë përfundim kam arritur jo prej statistikave, axhanseve apo kritikave të vlerësuara si studime botërore, por thjesht nga gjurma që letërsia e tyre ka lënë tek unë. Dhe vazhdoj të them se, pasi ke kaluar disa gurë kilometrikë, je njohur me letërsinë e lashtë greke, Homerin dhe Eskilin, ke kaluar nga “Ferri…” i Dante Aligierit, do të të duhet të ndalesh në këto vite të mesjetës ku janë shkruar disa nga kryeveprat e letërsisë botërore. Për më tej se kaq mund të vazhdosh pa problem me Gëten, Balzakun, Tolstoin, Dostojevskin, Dan Braunin apo Holebekun. Sepse thelbësoren tanimë e ke të arkivuar në një hard disc të paçmontueshëm nga njësia.

Shumë vite pasi isha “njohur” me të dy këta shkrimtarë, zbulova se çuditërisht Shekspiri në Stratford mbi Avon dhe Sevantesi në Madrid, në mos kishin vdekur në të njëjtën ditë, – në një distancë kohore vetëm prej pak orësh, – të paktën ishin varrosur në të njëjtën ditë: më 23 prill 1616. E pra, ishin vite të jashtëzakonshme për vetë Evropën ku, monarkia angleze bëhej gati të futej në shtjellën e revolucionit republikan të Kromuellit, ndërsa në Spanjë inkuizicioni vazhdonte me spastrimet e radhës.

Nuk di si mund të jetë vlerësuar vdekja e këtyre dy shkrimtarëve 400 vite më parë, por sot në kohën e kibernetikës, gjithkush prej nesh, si ata që e kanë lexuar letërsinë e tyre, edhe ata që nuk ia kanë idenë fare, do të kishin postuar nga një status me kopertinën e “Makbethit” a të “Don Kishotit…” në facebook e instagram, shoqëruar me emoji të verdhë që lëshon një pikë loti, për ta cilësuar së fundi këtë ditë si një tragjedi botërore.

Tragjedi a dramë nuk po zgjatemi shumë në këtë pikë, se, në të vërtetë, edhe shkrimtarët vdesin. Pasi në ligjësinë e përbotshme ditët janë të kufizuara si për gjeniun, ashtu dhe për një që ka probleme të shëndetit mendor. Por që dy shkrimtarët gjenialë, Shekspiri në Angli dhe Servantesi në Spanjë, të kishin një datë vdekjeje, kjo ishte thjesht një çudi, e cila 400 vjet më pas humbet edhe si kuriozitet.

Në vitet e modernizmit të tepruar, kur prej 1 janarit e deri në 31 dhjetor, çdo ditë e vitit ka një emërtim të veçantë, herë “Dita e Tokës”, e “Luftës kundër SIDA-s”, apo e “Parandalimit të kancerit të gjirit”, dikujt i shkoi në mendje që 23 prillin ta propozonte si: Dita Botërore e Librit. Dhe kaq u desh që më 15 nëntor të vitit 1995 mbi një rezolutë të UNESCO-s të vihej vula.

Sot kemi një Ditë Botërore të Librit, kur në disa territore, përfshirë dhe Shqipërinë, libri është në një fazë mbijetese.

Lexo edhe :  Si u kthye Berisha në një Dule dhe PD në një PBDNJ

Në luftën e re të librit letër me ipod-in duket se përparësinë e ka elektronika, edhe pse propaganda përmes projekteve joqeveritare më së shumti, mundohet t’u bëjë të ditur njerëzve të thjeshtë, se libri fizik është i domosdoshëm në jetën e tyre.

Sot “Wikipedia”, një faqe ku gjithkush mund të hedhë çfarë do, ka zëvendësuar Enciklopeditë e Akademive të Shkencave dhe Universiteteve më në zë të botës. Nga celulari brenda një kohe të shkurtër mund të informohesh se çfarë ndodh në Greqinë kufitare dhe në Zelandën e Re, me të cilën thuajse nuk na lidh gjë, dhe pasi ke shpenzuar disa orë duke kërkuar në Google dhe duke parë në youtube gjithfarë gjërash groteske që lidhen me gafat njerëzore, si zor të të bjerë në mend të kapësh një libër me dorë dhe të lodhesh për të kuptuar se çfarë thuhet në të. Këto janë risitë e teknologjisë, dhe askush nuk mund t’u thotë stop. Por ndërkohë vetë libri, si ai artistik, edhe ai shkencor e historik, ndodhet në udhëkryq.

E mes gjithë debatit të madh që është hapur prej vitesh, sot mund të themi se çështja me problemin e librit është fokusuar në Shqipëri e ca vende të tjera të këtij niveli, sepse në perëndim të Evropës e, sidomos, në vendet nordike, ky debat ka qenë më i përmbajtur. Sepse në këto vende, si me mjete elektronike dhe fare pa to, niveli i leximit ka pasur gjithmonë një përqindje të lartë. Dhe këtu ndikojnë shumë faktorë, ku më së pari kanë të bëjnë politikat ndaj një produkti kaq delikat sa ç’është libri.

Por të shpresojmë se kjo është një periudhë kalimtare dhe se njerëzit, si t’ia kenë nxjerrë zinë përfundimisht, celularit dhe ekraneve me projeksion 7D do t’i kthehen librit fizik ashtu si dhe 30-40 vite më parë, për ta bërë jetën më pak të ndërlikuar, por më solide njëkohësisht. Sepse leximi i librit fizik, me letër 60-70 gramshe e bojë offseti, nuk krahasohet me përqendrimin mbi ekranin rrezatues, ku të duhen veç filtrave prej xhami edhe syze hipermetropi.

Nuk duhet të na kapë paniku gjithsesi, se ndoshta në një të ardhme të afërt, nuk do ta kemi Bibliotekën Kombëtare. Sepse mjafton të kesh një e-book dhe mund të shkarkosh libra që janë shkruar që prej periudhës së “pllakave sumere” që na rrëfejnë se si në tokë zbritën anunakët, e deri te famëmadhja Danielle Steel që shkruan historitë rozë të amerikanëve të Veriut.

Përleshja fizike mes artit dhe teknologjisë ka nisur hershëm, qëkur u mendua se fotografia do ta zëvendësonte pikturën. Ca më vonë besohej se televizori do të eklipsonte kinemanë. Radio gjithashtu ka kaluar një periudhë të vështirë, por mbijetoi. Kjo do të thotë se në këtë hapësirë universale ka vend për të gjitha dhe vetë njeriu ka nevojë për to. Kështu që nuk ka vend për pesimizëm. Libri do të vazhdojë të lexohet, herë në letër e herë në format elektronik. Dhe kjo gjë, me sa duket, nuk do të përbëjë më asnjë rrezik.

Të fundit

Humbën rrugën duke eksploruar “Shpellën e Pëllumbasit”,policia shpëton 2 turistë gjermanë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë ndërhyrë për gjetjen dhe vijnë në ndihmë 2 turistëve gjerman të...

Dhuna serbe ndaj futbollistit shqiptar/ FSHF dënon ngjarjen në Bosilegrad të Serbisë

Federata Shqiptare reagoi ndaj ngjarjes së turpshme të ndodhur në 6 prill në Bosilegrad të Serbisë në sfidën mes Mladost dhe KF Tërnocit. Atë ditë...

Muaji i mjaltit drejt fundit/ Trump-Musk, 10 ditët që futën në krizë dyshen e çuditshme

Megjithëse tarifat janë një pikë qendrore e agjendës së Trump, Musk është përpjekur të përdorë rolin e tij të privilegjuar si “shoku i ngushtë”...

Sudani njohu Kosovën si shtet të pavarur, reagon Serbia: Rishqyrtoni vendimin

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka shprehur shqetësimin pas vendimit të Sudanit për të njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas mediave serbe, ministria thekson se...

Dueli italian i Rama-Berisha: Kryeministri thellon avantazhin në rrjetet sociale

Kryesocialisti Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha zhvilluan sot takime me shqiptarë të Italisë, përkatësisht në Milano dhe Brescia, për t'u kërkuar votën në zgjedhjet e...

Lajme të tjera

Web TV