Nata mes të dielës dhe të hënës, ka vijuar me valë protestash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të kërkuar drejtësi për vrasjen e 46-vjeçarit afro-amerikan George Floyd i cili gjeti vdekjen në duart e policisë, teksa ishte shtrirë për tokë dhe i ishte vendosur këmba në qafë duke i bllokuar frymën.
Protestuesit u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhë, për të protestuar kundër asaj që e kanë quajtur “vrasje policore”, e ndodhur një javë më parë në Minneapolis.
Gjatë fazës më të nxehtë të protestës, dritat që ndriçojnë së jashtmi Shtëpinë e Bardhë, u fikën.
Ndaj protestuesve u përdor gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërkohë që disa protestues i vunë zjarrin dhe dëmtuan disa ndërtesa.
Vala e protestave u shtri edhe në New York, ku me mijëra persona zbritën në sheshet e Manhattan dhe Brooklyn, si dhe u dogjën makina në Union Square.
Nga ana e policisë u arrestua edhe vajza e kryebashkiakut të New York, Bill de Blasio, Chiara de Blasio, 25 vjeç. Prangosja e saj u bë pas protestave të natës mes të shtunës dhe të dielës, raporton New York Post.
Ndërkohë Presidenti amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar se do të përdorë ushtrinë ndaj protestuesve./b.b/fjala.al