Me duar në kokë duke mbuluar fytyrën dhe kokën ulur, është shfaqur përpara gjykatës 65-vjeçari, roja i shkollës i cili ka përdhunuar për të paktën një vit me radhë 15-vjeçaren. Gjykata lë në burg rojën dhe tre të miturit.
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 65-vjeçarin Abas Doga dhe 3 të rinjtë që u arrestuan, pasi abuzuan seksualisht me një 15-vjeçare në Babrru. Përballë togave të zeza fillimisht është paraqitur 65-vjeçari dhe i riu Klajdi Poçi.
Me duar në kokë, duke mbuluar fytyrën dhe kokën ulur, është shfaqur përpara gjykatës 65-vjeçari, roja i shkollës i cili ka përdhunuar për të paktën një vit me radhë 15-vjeçaren. I moshuari ka hequr duart nga fytyra vetëm kur media ka dalë nga salla e gjyqit. Mësohet se gjatë seancës ai nuk ka thënë asnjë fjalë, veç dhënies së gjeneraliteteve.
Masa ndaj dy të miturve, të arrestuar po për këtë ngjarje, është zhvilluar veçmas, në prani të psikologes, për shkak të moshës së tyre të vogël. Avokatët mbrojtës të të miturve kërkuan masë më të lehtë sigurie, por nuk u pranua nga gjykata, duke i lënë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Gazeta “Fjala” mësoi nga burimet e saj se gjatë zhvillimit të seancës 65-vjeçari ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, por ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj saj. Abuzimi seksual dyshohet se ka nisur 1 vit më parë, në kohën që Doga ishte rojë në shkollën ku mësonte edhe adoleshentja. Në sajë të hetimeve, ka rezultuar se Doga kishte abuzuar seksualisht me dhunë me të miturën dhe pas abuzimit i kishte bërë video intime. Këto video ua kishte dhënë tre personave, 20-vjeçarit Klajdi Poçi dhe dy të miturve, të moshës 16 dhe 15 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e publikimit të videos, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me adoleshenten.
Dosja
Sipas dosjes hetimore, një pjesë të së cilës gazeta “Fjala” e disponon, ka qenë e mitura e cila rreth një javë më parë së bashku me nënën e saj është paraqitur në komisariatin nr. 5, në kryeqytet, dhe ka denoncuar abuzimin e rojës së shkollës dhe tre të rinjve. Në dëshminë e saj përpara oficerit të policisë gjyqësore dhe në praninë e psikologes 15-vjeçarja ka thënë se është abuzuar seksualisht nga 65-vjeçari dhe tre të rinjtë. Minorenia ka rrëfyer se ka kryer mardhënie seksuale kundër dëshirës së saj, ku Abaz Doga e ka detyruar herën e parë të kryejë marrëdhënie intime me të, duke e kërcënuar se e kishte fotografuar me një djalë dhe imazhet do t’ua tregonte të gjithëve. Sipas saj, abuzimi ka nisur rreth një vit më parë, qëkur ajo ka qenë në shkollën fillore, ku i moshuari punonte si rojë. “Të kam parë në një foto me një djalë dhe atë do t’ua tregoj të gjithëve, nëse nuk vjen me mua tek ‘toka’. Me sa mbaj mend, ka qenë maj ose prill 2019. Unë nga frika kam pranuar të shkoj te banesa e Abaz Dogës që është rreth 100 metra nga shtëpia ime”, ka deklaruar e mitura, dëshmia e së cilës është dokumentuar edhe në dosjen hetimore të cilën “Fjala”, e disponon. Gjithashtu, gjatë dhënies së dëshmisë së saj minorenia ka treguar se Abaz Doga ka abuzuar edhe me dy shoqet e saj të mitura. “Një shoqja ime që jeton në Greqi e dinte që unë shkoja me Abaz Dogën. Ajo më ka treguar se edhe ajo ka shkuar te shtëpia e tij së bashku me një shoqen e saj”, tregon e mitura. Në lidhje me këtë dëshmi prokuroria është duke kryer verifikime dhe, nëse kjo vërtetohet, atëherë pozitat për ish-rojën e shkollës do të rëndoheshin më shumë. Më tej në dosje thuhet se në momentin kur 15-vjeçarja nuk ka shkuar më në banesën e Abaz Dogës, ai ka shkruar emrin e saj në murin e pallatit ku banon. Në dëshminë e saj 15-vjeçarja ka shtuar edhe se i moshuari e kishte filmuar dhe fotografuar herën e dytë gjatë marrëdhënies seksuale dhe me këtë video e shantazhonte vazhdimisht. Videot dhe fotot e minorenes kanë rënë edhe në duart e 20-vjeçarit Klajdi Poçi, që edhe ky e ka shantazhuar dhe e ka detyruar vajzën të kryejë me të marrëdhënie seksuale, po në banesën që përdorte Abaz Doga./Fjala.al