Edhe ato pak shpresa të skuadrës së Partizanit për tu kualifikuar në Europa League, po marrin fund me rikthimin e futbollit pas pandemisë. “Demat e Kuq” dështuan në mënyrë të bujshme në shtëpi ndaj Skënderbeut, një ndeshje të cilën e humbën 1-2 dhe tani largohen më shumë nga zona e kupave kontinentale.
Një minutë heshtje mblodhi futbollistët rreth qendrës së fushës në respekt të Dorian Tahirllari, ish futbollist i Akademisë, i ndarë nga jeta disa ditë më parë. Më pas, fjala i kaloi futbollit të luajtur me një ndeshje të balancuar deri në fundin e fraksionit, pikërisht kur ekipet po shkonin në pushim. Partizani vuajti një goditje të dyfishtë dhe shokuese, fillimisht me rrjetën e Nazmi Gripshit.
Ende pa rinisur mirë lojën, ekipi vendas pësoi dhe golin e dytë me Bruno Ditën, në një lëvizje ku portieri Alban Hoxha nuk mund të bënte asgjë, i tradhtuar nga mbrojtja.
Në disavantazh jo të lehtë për ta përmbysur, Partizani nuk e gjeti kurrë ritmin. Loja pa ide ishte në antitezë me klithmat e trajnerit Sormani, që tani rrezikon më shumë se kurrë shkarkimin nga kryeqytetasit. Të kuqtë pretenduan dhe për një penallti por arbitri nuk ishte i të njëjtit mendim, edhe pse imazhet filmike treguan qartësisht, se 11 metërshi duhej dhënë në favor të Partizanit. Ferati ngushtoi diferencat por Partizani nuk evitoi dot humbjen, pasi mbetën vetëm 5 minuta kohë. (fjala.al). Me disfatën e kësaj mesjave në stadiumin “Selman Stërmasi”, kryeqytetasit janë më shumë pranë rënies, sesa objektrivave të fillim sezonit, një dështim i bujshëm që nuk do vonojë të sakrifikuarit e radhës.