Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka zbardhur sot vendimin për 10 personat e akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që merreshin me falsifikim të vizave e dokumenteve.
Togat e zeza dënuan me 48 vjet e 8 muaj burg 10 të pandehur. Vendimi u mor dy ditë më parë nga ana e Gjykatës së Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Më konkretisht GJKKO dënoi me nga 6.8 vite burg shtetasit Ilir Myrtaj, Alfred Myrtaj dhe Florjan Hysenaj.
Me 6 vite burg u dënua shtetasi Marjo Myrtaj. Me 5.6 vite burg Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi shtetasit Arben Kadiu; Gentjan Stojku; Shkëlqim Mema; Keldi Beshi dhe Albert Xhelilaj. Ndërsa me 2 vite e 8 muaj burg u dënua shtetasi Ismail Alushani.
Personat e lartpërmendur u gjetën fajtor nga gjykata për veprën penale të “Ndihma për kalim të kufijve, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Ata arrestuan në maj të vitit 2018 në sajë të operacion të koduar “272”.
Kujtojmë se gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe dy policë. Arrestimi i tyre u bë falë një bashkëpunimi të ngushtë mes Policisë së Shtetit, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat si dhe ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.
Këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë për të cilët hetimet vazhdojnë, kanë kryer falsifikime të dokumenteve zyrtare, si: letërnjoftime, pasaporta, viza, duke i vënë në shërbim të personave të ndryshëm kundrejt përfitimit monetar dhe material, si dhe nëpërmjet linjave ajrore dhe linjave të tjera të udhëtimit, kanë trafikuar shtetas të ndryshëm për në shtete të tjera, kryesisht në SHBA dhe Kanada./E.M/fjala.al