Një numër i madh protestuesish kanë marshuar para institucioneve shtetërore për të reaguar në mbrojtjen e të miturve nga dhuna seksuale. Avokatja e Popullit: Reagimi i institucioneve i vonuar, funksionimi i fragmentuar nuk mund të parandalojë ngjarje të tilla
Nga Ina Allkanjari
Me sloganin ‘për fëmijërinë e vjedhur’ mijëra qytetarë, aktivistë dhe figura publike protestuan pasditen e djeshme në sheshin “Nënë Tereza”. Protesta u organizua duke marrë shkas nga abuzimi seksual ndaj 15-vjeçares nga ish-roja i shkollës, Abaz Doga, i cili pas abuzimit kishte shpërndarë edhe video nga akti. Mijëra protestues ngritën zërin për t’i thënë stop dhunës dhe abuzimit ndaj femrave në një marshim-protestë kundër kulturës së heshtjes ndaj viktimave të dhunës seksuale i cili nisi në sheshin “Nënë Tereza” rreth orës 16:00 ndërsa pas grumbullimit, përshkuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndaluan para Kryeministrisë, si dhe te Ministria e Arsimit. Përballë Ministrisë së Arsimit, me pankarta në duar protestuesit brohorisnin “MASR, Ministria e turpit”. “Për fëmijërinë e vjedhur’, ‘Pse nuk raportojmë’, ‘Mësues mos hesht para përdhunimit’, ‘Mbroni vajzat, jo pedofilët’, ‘Marshoj për vajzën dhe mbesat e mia’, ‘Mos përdhuno’ ishin disa nga sloganet dhe pankartat që qytetarët mbanin në duar.
Ato që binin më shumë në sy, ishin ato me mbishkrimet apo figurat që propozonin kastrimin e pedofilëve. Mes turmës mund të shihje me lehtësi, Aurela Gaçen, Eli Farën, Irma Libohovën, Fiodora Fjorën, Alketa Vejsiun, Olti Currin, Avokaten e Popullit, Erinda Ballancën, Iris Luarasin, Rozana Radin, Marina Vjollcën, Argjentina Ramosajn, Soni Malajn, Oriola Marashin, Florian Binajn e të tjerë.
Avokatja e Popullit
Në një prononcim për gazetën “Fjala”, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, shprehu përkrahjen ndaj kësaj kauze, si dhe theskoi rëndësinë e meshkujve në protesta të tilla.
“Mesazhi që unë kam është se prania e të rinjve në një protestë të tillë, është ajo që duhet të mbushë zemrat e gjithkujt që është sot këtu. Unë kurrë nuk kam parë kaq shumë vajza dhe djem të rinj prezentë në një protestë, me përjashtim të protestave studentore, për të treguar që ato kanë tolerancë zero ndaj përdhunuesve, kanë tolerancë zero ndaj dhunës ndaj femrave. Sa më tepër meshkuj të ketë në këtë protestë, aq më e rëndësishme është kauza që ata mbrojnë, sepse, nëse vetëm ne gratë do të flasim për njëra-tjetrën, kjo tregon që kauza jonë nuk është në nivelin e duhur”, u shpreh Ballanca.
Më tej avokatja theksoi se reagimi i institucioneve shtetërore në këtë ngjarje të rëndë, ka qenë i vonuar, duke nënvizuar se në këtë situatë ka vend për t’u hetuar e gjithë problematika. Sipas saj, funksionimi i fragmentuar nuk mund të parandalojë ngjarje të tilla.
“Reagimi i policisë nga momenti që ka ardhur në dijeni të faktit, ka qenë reagimi i duhur, por pse erdhi kaq vonë. Këtu ka vend për t’u hetuar dhe për t’u trajtuar e gjithë problematika. Reagimi i Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve ka qenë reagimi i duhur, por edhe ata me vonesë, në momentin kur ngjarja ndodhi. Të tëra stukturat mund të funksionojnë, mund të ketë një fillesë për t’i ndihmuar këto vajza. Mendoj se reagimi nga ana e Ministrisë së Arsimit mund të ishte më i fortë. Për mua, e rëndësishme është që ne të gjithë të reagojmë me tolerancë zero ndaj këtyre personave që janë përdhunues, sepse vetëm atëherë do të jemi të gjithë të gatshëm të identifikojmë persona që kanë sjellje të tilla dhe të parandalohet një gjë e tillë. Me funksionim të fragmentuar, kjo çështje nuk zgjidhet”, reagon Avokatja e Popullit.
Sipas avokates, ajo çfarë e bën më problematike ngjarjen është fakti që abuzuesi ka qenë roja i një shkolle, ndaj duhet bërë një identifikim i saktë i problemit. Duke nënvizuar se ka mekanizma parandalues për ngjarje të tilla, avokatja tregon se heshtja e atyre që kanë qenë prezentë, si mësuesit apo psikologu i shkollës, tregon se kjo çështje ka nevojë për përmirësim.
“Qoftë në edukimin e mësuesve, apo edhe në rritjen e numrit të psikologëve nëpër shkolla, ka nevojë për përmirësim. Këto kapacitete duhet të rriten në institucionet e arsimit, pasi vërtet ne kërkojmë performancë të mirë”, tha Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.
Protestuesit
Një ndër protestuesit, aktori Andi Llabuti, u shpreh për gazetën “Fjala” se çdokush duhet të ngrihet dhe të mbështesë këtë kauzë, për të mbrojtur vajzat e mitura, dhe gratë.
“Ndodhem sot në sheshin “Nënë Tereza” për këtë kauzë, dhe më vjen shumë mirë që është hera parë që ngrihemi për këtë çështje, për përdhunimin e të miturave, por edhe të grave. Duhet të dalim, çdo ditë për këtë kauzë, pasi ato janë motrat tona, janë vajza nënash dhe nuk ka të drejtë askush të abuzojë me to. Ky është krim. Pse duhet të ngrihemi ne të protestojmë, kur këtu thuhet se ka një shtet, por shteti është jofunksional, prandaj ne jemi ngritur për të protestuar “, u shpreh aktori Andi Llabuti.
Ndërkohë pedagogia Iris Luarasi njëkohësisht dhe përfaqësuesja e Qendrës Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, u shpreh për gazetën “Fjala” se mesazhi që duan të përcjellin sot është ai i qytetarisë, duke u bashkuar të gjithë për të ofruar një ambient më të sigurt për vajzat dhe gratë në të ardhmen. Sipas saj, është skandaloz fakti që një histori e tillë ka vazhduar për një periudhë 2-vjeçare. Luarasi thekson se brenda ambienteve shkollore duhet të realizohen disa ndryshime, duke filluar nga prezenca e psikologut.
“Ka mijëra ndryshime që mund të ndodhin brenda ambienteve shkollore, që nga psikologu, pasi duke pasur një psikolog për tri shkolla, sado i mirë të jetë, nuk arrin dot të takojë si fillim fizikisht fëmijët. E dyta, oficerët e sigurisë që janë vetëm për shkollat e mesme, ne po shohim që këto ngjarje po ndodhin shumë më tepër në shkollat 9-vjeçare, ndaj duhet të ketë patjetër oficer sigurie në këto shkolla. Gjithashtu, një temë që flasim vazhdimisht është policimi në komunitet, pra polici që ndodhet në një zonë, në një lagje, duhet të dijë në mënyrë absolute se çfarë ndodh në komunitet. S’ka asnjë justifikim për mua, që ka 2 vjet një ngjarje dhe nuk e di polici në komunitet”, u shpreh pedagogia Iris Luarasi.
Protestës i është bashkuar edhe babai i vajzës 15-vjeçare të dhunuar. Gjatë fjalës së tij për mediat, ai i ka bërë thirrje shtetit që ta shpërngulë në një shtëpi tjetër, pasi i bëjnë shantazh se do ta vrasin. Ai shprehet që, nëse qeveria nuk jep dënimin e merituar për 65-vjeçarin, është ai që do ta bëjë.
“I lutem shtetit që të na çojë në një shtëpi tjetër dhe Elvis Naçit, kam një hyrje në filan vend, të na e ndërrojë kokë për kokë. Shkoj te shtëpia në Paskuqan, më bëjnë shantazhe, do të vras. Aty është komunitet i vogël, unë tani kam shkuar në Babrru, ku gjejnë e bëjnë. I lutem drejtoreshës së Ministrisë së Arsimit, mirë që e vuajti vajza ime, mos ta vuajnë të tjerët. Ai që e bëri, u kalbtë atje. Unë do ta kisha vrarë, po mirë që hyri në burg. Nëse qeveria nuk i jep dënimin e merituar, do t’ia jap unë si prind”, tha babai i 15-vjeçares para mediave./Fjala.al