Rikthimi i Luan Dacit në krye të institucionit që vendos fatin e Drejtësisë shqiptare, KPA, duket se i ka zhgënjyer të gjithë ata që besonin fortë në pezullimin e tij.
Ermal Mulosmanit në shkrimin e tij të radhës nënvizon faktin se Daci kishte gënjyer në Komisionin Parlamentar. gj.b/fjala.al
Shkrimi i plotë
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi rikthimin e Luan Dacit në majën e institucionit që përcakton fatin e Drejtësisë shqiptare, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
U zhgënjyen të gjithë ata që shpresonin në një konfirmim pezullimi. Provat ishin të qarta, të mjaftueshme dhe të kuptueshme për cilindo. Luan Daci nuk e kishte përmendur shkarkimin nga puna dhe arsyet e tij në aplikimin e tij për punësim në institucionin e Avokatit të Popullit. Luan Daci kishte gënjyer në Komisionin Parlamentar ad-hoc (të ngritur enkas). Tashmë kjo ishte një gjë e provuar, shkruan Exspress.
Kur deputetja Vasilika Hysi e pyet në Komisionin Parlamentar për arsyet e largimit nga puna në vitin 1997, Daci përgjigjet:
“ Në vitin 97 kam ikur me dorëheqje sepse nuk na lejuan të regjistroheshim”.
Në proces verbalin e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë për këtë qëllim, lexohen mjaft qartë pyetja dhe përgjigja gënjeshtare e kandidatit në faqen 52 të tij.
E vërteta ishte krejt ndryshe. Ai ishte shkarkuar nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së asaj kohe me motivacionin si “i paaftë” dhe “shkelës ligji”.
Epiteteve të përmendur në Vendimin e KLD-së nr 6, dt 24 Dhjetor ’97, të firmosur nga Presidenti i asaj kohe Rexhep Meidani, si “i paaftë dhe shkelës ligji”, nëse konsiderojmë të vërtetë proces-verbalin e Kuvendit të Shqipërisë, mundet t’i shtojmë edhe epitetin “gënjeshtar”. Pra me dokumente është vërtetuar që anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelit është një gënjeshtar, një i paaftë dhe një shkelës ligji.
Çfarë mund të pritet prej një të paafti gënjeshtar dhe shkelës ligjor?!
Gjykata që dha vendimin për rikthim, e përbërë nga Dhimitër Lara, Nertina Kosova dhe Sokol Binaj mendon se një njeri i tillë është i denjë për të gjykuar moralin e Kryetarit potencial të Gjykatës Kushtetuese apo të Kasacionit, të Apelit apo Prokurorit të Përgjithshëm! Nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Vendimi që e përcaktonte si “shkelës ligji” dhe “të paaftë” është parashkruar- thotë avokati.
Se këtu parashkruhet edhe paaftësia! Kush i përcakton afatet e parashkrimit të paaftësisë?
Po gënjeshtra që ndodhi faqe botës para dy vitesh, e dokumentuar në procesverbalin e mbajtur në Komisionin ad-hoc? Si i bëhet asaj gjurme? A parashkruhet ajo? A nuk është e mjaftueshme kjo gënjeshtër publike për ta pezulluar nga detyra një pozicion ekuivalent me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese?
Kujtoj këtu që anëtarët e komisioneve të Vetingut nuk kanë kaluar dhe nuk kalojnë në procesin e vetingut. Ata kanë paraqitur një kërkesë të thjeshtë pranë Avokatit të Popullit për shprehje interesi. Brenda katër ditësh institucioni i Avokatit të Popullit studioi 190 kandidatura (i bie rreth 48 në ditë ose 6 kandidatë në orë). Pra, një figurë që do ndajë shapin nga sheqeri në drejtësinë shqiptare verifikohet për 10 minuta!
Pra 10-30 minuta u verifikuan Komisionet e famshme të vetingut ndërkohë që gjyqatrët dhe prokurorët që këta “10 minutësha” do të verifikpjnë futen në vrimën e gjilpërës në muaj!
Nëse Kushtetuta përcakton kritere të pastërtisë së figurës për subjektet e rivlerësimit si mundet të harronte të paktën kriteret të njëjta edhe për rivlerësuesin më të lartë?
Kjo është vetëm sa për ta ilustruar paradoksin. Kjo është Reforma e famshme e Drejtësisë!
Reforma e Drejtësisë me Kryetar të Komisionit të Posaçëm të Apelit një “shkelës ligji”, “të paaftë” dhe “gënjeshtar” mundet të kënaqë pritshmëritë e Komisionerit Publik, ONM-së, Kryeministrit ose shumicës por pas së sotmes askush nuk do besojë në të.
Ajo është Reforma luandaciane e Drejtësisë.
gj.b/fjala.al