Leonard Veizi posaçërisht për “Fjala”:Përmbahuni burra, mos e zbërtheni zinxhirin

113 563 lexime

77,318FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

“Më përdhuno”. Askush nuk e pranon dhunën, as atë fizike, por as atë mendore që në rastin më të lehtë interpretohet si bulizëm. Mirëpo një vajzë adoleshente, me pantallona të shkurtra e këmbët jashtë i kishte shkruar këto fjalë mbi lëkurën e shalës deri te kërciri, duke ftuar këdo që ishte keq me planin të hidhej mbi të në mënyrë të papërmbajtshme.

Dhe për çdo rast justifikimi mbetet në xhep: Tek e fundit vetë e kërkoi. Një tjetër po te shala e saj nga ana e prapme, deri poshtë pulpës kishte preferuar të ngrinte në art një pikëpyetje duke të futur në dilemë “A po ta ngref?”.

Kjo është goxha e rëndë për një mashkull. Sepse vë në dyshim gjithçka burrërore të tij, gjë që vlerësohet edhe më shumë se gishti që tërheq këmbëzën e kobures. Pra, ka të bëjë me sedrën e tij. Shumë prej tyre do të kishin vënë dorën te “dyqani”, por vetëm namuzi i ka mbajtur të mos e tregonin burrërinë duke zbërthyer zinxhirin deri te hallka e fundit.

Të dyja adoleshentet së bashku, njëra që i tregonte aparatit pjesën e pasme nga vithet e poshtë dhe tjetra që tregonte pjesën e përparme në të njëjtat kuota, ishin pjesë e së njëjtës fotografi të shkrepur apo thjesht të bërë publike nga Genci Sejko, që njihet si aktivist i shoqërisë civile. U tha se fotografia në fjalë bëri xhiron e rrjetit.

Mirëpo rrjeti është i gjerë dhe varet çfarë xhiroje ka bërë kjo foto pa ngjyra. Mund të ketë marrë unazën e madhe që kalon nga Astiri del te Selita e përfundon në Sauk, por mund të ketë bërë edhe atë unazën e vogël rreth 15-katëshit e 9-katësheve.

Këtë s’e dimë. Por dimë që fotoja bardh e zi u komentua vrullshëm nga gjithfarë njerëzish, nga ata që kanë mësuar nëpër shkolla dhe e kanë marrë nga një diplomë, por edhe nga ata që nuk ua kanë thekur mësimeve e, për këtë shkak, nuk dinë të shkruajnë as shqip.

Por asnjërit nuk mund t’i ndalojmë të thotë me zë të lartë atë që mendon, ashtu siç nuk kemi çfarë t’u themi dhe vajzave për mesazhin që kërkonin të jepnin, gjatë një tubimi e marshimi me përqendrim të theksuar femëror, si një formë proteste kundër dhunës ndaj grave në përgjithësi dhe një rasti përdhunimi konkret, të nxënëses së një shkolle nga roja i derës së po të njëjtës shkollë, që për nga mosha po kalon ditët në segmentin e tretë të jetës, praktikisht një gjysh i saj.

“Më përdhuno”. “A po ta ngref?”

Duhet të bëjmë moral rreth mendimeve që duhen mbajtur nën kontroll, rreth veshjes që duhet mbajtur sipas një modeli të caktuar, apo mënyrës së jetesës që duhet bërë sipas ca rregullave anonime?

Keq të bësh moral, se të cilësojnë anadollak si në kohën e dovletit, keq të mos bësh, se do të thonë: nuk mbajte qëndrim për kauzën.

Mirëpo kjo punë nuk ka fund. Brezat lëvizin. Jeta vazhdon të modernizohet. Seksi mbetet po ai. Instinkti bazë. Të përbrendshmet gjithfarë modelesh, ekspozuar prej manekineve në shitoret e modës të joshin nga vitrina, dhe ti si mashkull gjen një mënyrë të errët për të kënaqur pasionin e fshehur.

Si rregullohet kjo? Me ligj, natyrisht. Kodi Penal. Por që të mos shkojë puna deri te dënimi mbi një fakt të kryer, duhet të funksionojnë dhe hallkat e tjera.

“Edukata qytetare” është një lëndë brenda kurikulave të miratuara për shkollat e mesme. Megjithatë, duket si një mësim i tejkaluar tashmë. Sepse në jetën e përditshme gjithkush mendon e flet çfarë i do qejfi, vishet si e sheh të arsyeshme dhe e jeton jetën e tij si t’i vijë. Por përderisa nuk cenohet jeta e dikujt tjetër, gjithkush është i lirë që brenda kuadratit të madh të lirisë së tij të bëjë çfarë të dojë.

Por “Edukata qytetare”, si lëndë që mësohet, ka të bëjë edhe me këtë fakt. Pra, mbi njohjen e ca normave e parimeve që duhet t’i dimë e t’i zbatojmë edhe kur nuk kemi pikë dëshire. Sepse, po të udhëhiqesh nga sentenca “kam qejfin tim, e s’pyes njeri” do të kthehet pas i njëjti togfjalësh, se njerëz prej mishi e gjaku qenkemi të gjithë.

Lexo edhe :  COVID-19/ Numër i lartë vdekjesh, ky vend nuk po ‘gjen qetësi’

Dhe këtu fillon lufta e brezave.

Të dalësh me pantallona të shkurtra, me fund të shkurtër, me bluzë pa mëngë apo me jakë të hapur nuk përbën krim. Nuk është as thirrje për seks të hapur, por as thirrje për përdhunim, sigurisht.

Madje, ky “provokim” femëror është një nga lezetet e jetës. Sepse më e errët do të ishte dita, nëse gratë do të visheshin si burrat, nuk do t’i lyenin flokët dhe nuk do t’i jepnin një grim fytyrës. Problemet e vërteta fillojnë te ngacmimet pa dëshirë. Ndërsa përdhunimi është i pafalshëm.

Si në të gjitha rastet, edhe në Tiranën e vitit 2020, kur një rojë shkolle abuzon me një nxënëse, blloqet midis konservatorëve dhe liberalëve u ndanë nga hendeku i zakonshëm i mendësive. Dhe si në të gjitha rastet, fajtori herë vishte qyrkun e rojës hajvan, dhe herë të nxënëses viktimë. Se dhe ajo nuk ishte pa faj: “Donte ajo, pa iu hodh ai.”

Hajde logjikë, hajde.

Por le të ndalemi te seksi, se që aty fillon sherri.

Në fillimvitet ‘60 Amerika e më pas Evropa u pushtuan nga lëvizjet hippi. Seksi u zhvlerësua deri në atë pikë sa nuk mbaje mend asnjërin nga ata që të hipte mbi shpinë. Ç’është e vërteta, edhe kafshët e kanë një përzgjedhje para se të ndërzehen. Por njeriu tregoi përmasa edhe më perverse.

Gjatë këtij revolucioni seksual, ku edhe homoseksualiteti mori një dimension më të gjerë, një vajzë e re shtatzënë e gati për të lindur, vinte vërdallë nëpër turmën e hippive duke mbajtur mbi qafë një tabelë kartoni ku kishte shkruar “Fëmijë qejfi”. Kjo është parë nga kronikat e kohës.

Tabela në fjalë nënkuptonte jo fshehtësinë e atësisë së fëmijës, por thjesht se ai as që dihej. Mirëpo fëmija i qejfit nuk hidhet në plehra, se pasi të lindë i duhet një përkujdesje e madhe, po duhen pelena, ushqim, pastaj veshje sipas moshës, e më pas dhe aksesorë të tjerë, për të cilët të zë koka vetëm t’i mendosh.

Pra, na u dashkan para. Dhe po të dihej babai, të paktën gjyqi do ta vinte me shpatulla për muri, sa të paguante gjysmën e shpenzimeve. Mirëpo kur pallohesh pa kuptim, e lëshon pa duar dhe ia jep kujt ta kërkon, një ditë mbetesh në mes të rrugëve duke rritur fëmijën e qejfit, e duke të rënë bretku në punë, që t’i sigurosh të ardhmen, të cilën, në fakt, duhet t’ia siguronte edhe babai.

Pra, na u dashka një familje.

Që të mos keqkuptohemi, normat e një familjeje të shëndoshë nuk është se kanë të bëjnë me normat e moralit komunist. Se ne kemi dhe një reminishencë të keqe nga e kaluara, ndaj shpesh i ngatërrojmë gjërat.

Dhe, sipas kësaj logjike, “për inat të sime vjehrre, po shkoj të fle me mullixhiun”. Pa dyshim, sekush e di vetë ku i pikon çatia. Por që një protestë me përqendrim të lartë femëror të bjerë në sytë e meshkujve nuk ka nevojë për thirrje erotike që nënkuptojnë të kundërtën, pa dyshim. Se ndonjëherë logjika njerëzore nuk shkon dot deri atje.

Fotoja me shalët e vajzave ku shkruhej dukshëm “Më përdhuno” dhe “A po na ngref?”, gjithsesi e bëri efektin e saj. Nuk është mënyra më e mirë për te reaguar, padyshim. Sepse kemi të bëjmë me një revansh provokues, që e lëviz boshtin e peshores, e ku viktima merr rolin e agresorit.

Gjithsesi, me pantallona të shkurtra, apo pak më të gjata se aq, në të gjitha rastet kjo nuk do të thotë se ato ftojnë për seks pa kufi këdo që i bie rruga të kalojë nga ajo anë. Se ç’duhet më mendojmë për plazhin pastaj, ku hiqen dhe pantallonat e shkurtra e femrat dalin me rroba banje, ku do të përballesh dhe me ca gjëra më shumë. Apo: “u bë deti kos, dhe o burra lugën nga brezi…”.

Përmbahuni burra, dhe zinxhirin e pantallonave mos e zbërtheni që në çastin e parë.

l.m/Fjala.al

Të fundit

Vuçiç dialog me Kosovën, por jo zgjidhje të komanduar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë me dije këtë të mërkurë se Beogradi është i gatshëm për të vazhduar...

Kukësit i ka mbetur vetëm Kupa! Shehi kërkon trofeun nga pankina

I mësuar të fitojë në fushë dhe të jetë një kontigjent me vite me radhë në kombëtaren shqiptare, tani Orges Shehi pret të shtojë...

Jeta e natës/Fauci: Aktiviteti më i rrezikshëm gjatë pandemisë

Dr Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive në SHBA, pati të martën disa fjalë të mprehta për njerëzit që...

Zgjedhjet në UT/ Koni: Do vlerësoj kandidatët më pas do futem në garë

Zgjedhjet për Universitetin e Tiranës do të mbahen në 30 korrik, njoftim i cili është bërë publik nga Ministria e Arsimit. Të parat kandidatura...

“Gropa e zezë” e Barcelonës… 1 miliard Paund shpenzime për asgjë

Megjithë shumat e mëdha për 32 transferime që nga viti 2014, me Coutinho në mesin e dështimeve, skuadra e Barcelonës po kalon nga kriza...

Lajme të tjera

Web TV