Falë kërkesës gjithmonë në rritje për letërsi omgj dhe shkrimtarë që punojnë me ngut e me mall fason, letërsia si art, mezi arrin të mbijetojë.
Nga Leonard Veizi
E kam dashur gjithmonë poezinë e tij, edhe pse nuk jam vënë në radhë e as jam grindur me librarët për të marrë kopjen e fundit nga vëllimi i sapodalë. E dua poezinë e tij,edhe pse nuk është nevoja që për t’i dhënë një kuptim estetik me elozhe të skajshme,të bëj cilësime banale.
Poezinë e tij e kam lexuar pa zë, në “sheshin tim të xhirimit”, herë shtrirë mbi kanape e herë me këmbët vendosur mbi jastëk, duke u vetëkënaqur me tingullin tim të brendshëm,të cilit në vazhdimësi i rregulloja regjistrin që çakordohej me një mikster profesional studiosh.
Dhe si kisha mësuar dorën, kisha menduar pa dilemë gjithashtu se disa poezi të miat, të hershme, do t’i nxirrja prej dosjes së harresës për t’u dhënë të njëjtin ngjyrim. Por m’u zhvlerësua gjithçka kisha regjistruar në studion time imagjinare, databaze me emra të koduar poetikë, kur në një ambient publik me plot akustikë,poezitë mrekulluese të Arian Lekës i recitonte mrekullisht Timo Flloko.
Mund të mos ishin të tilla, veç mua ashtu m’u dukën atëherë dhe nëse do të përsëritet e njëjta situatë,do të më duken edhe tani. E meqë ishim në shtëpinë e Zotit, te Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse, isha gati të bëja kryq e të ndizja një qiri, se pikërisht Ai, nuk më kishte lënë të bëja marrëzinë time, të futesha në konkurrim me Arianin e Timon bashkë.E gjithë kjo sa për hyrje, sepse për më tepër, Arian Leka flet vetë për lexuesit e gazetës “Fjala”:
Tanimë karantina cilësohet e mbyllur, por a kanë qenë frymëzuese për ju ditët e izolimit?
Tani që duket se “lufta” po shkon drejt “armëpushimit” dhe “armiku i padukshëm”, me sa duket, do të bashkëjetojë me ne, mund të them se për mua ishte një gjendje e tendosur, aspak krijuese dhe e pakëndshme herë-herë.Mbyllja nuk luajti ndonjë rol kryesor, izolimi i detyrueshëm, po.
Nga fëmijëria unë jetoj brenda një urdhri pune e disipline, që i ngjan vetëmbylljes me pëlqim, por kthimi në regjimin e detyrimit, përcaktimi prej të tjerëve i orareve të tua, sigurisht që krijoi kundërshtim.
Por, ngaqë me frymëzim unë kuptoj gjendje tjetër, them se bëra ndonjë përpjekje, shpesh të kotë, për të kuptuar diçka më shumë nga sa ndodhte dhe nga sa na paraqitej. Edhe pse mes shumë të panjohurash dhe paqartësish (që sigurisht do të qartësohen më vonë, kur të mos i hyjnë kujt në punë, veç historisë), diçka u bë e kuptueshme.
Ishim të thyeshëm, të pambrojtur e të papërgatitur, të trembur e të manipulueshëm, deri në komizëm tragjik. Vura re se komunikimi i një qytetërimi pa frymëzim,si ky në të cilin jetojmë, me botën e epidemive na bëri të rivlerësojmë marrëdhënien me falsitetin, që zgjodhi maskat dhe dorezat për simbolikë.
Gjithë sa proverbat, si anatomi e sistemit shoqëror, na kishin këshilluar (“fol pa dorashka!”, “hiqe maskën!”) u zhvleftësuan. Miti “i mesdhetarit dhe ballkanasit të ngrohtë”, që shpreh çdo gjë me përqafim, u shkërmoq aty për aty. Nga të vetëkënaqur, të mllefosur, nacionalistë, ksenofobë dhe arrogantë, pothuajse të gjithë popujt, përfaqësuar nga liderët e tyre dritëplotë, u shndërruan në lypsarë.
Mbetëm me sytë nga qielli, prej nga mbërrinin ndihma dhe me sy nga tabelat e rishpërndarjes së pasurisë së Bashkimit Evropian.Kujt i vlejti krekosja, institucionet, kur u gjendëm aq të papërgatitur? Po institucionet? Eufemizmi, edhe në këtë rast u gjet.
Ç’ishte cinizëm, u quajt solidaritet. Një gjendje e tillë, zakonisht prodhon më shumë frikë sesa art, më shumë çoroditje sesa përqendrim. Por gjendje si këto mund të jenë nxitëse për të mbajtur shënime, për të kryer vëzhgime a ndoshta për të filluar ndonjë prozë distopish a dialogë komedish të zeza.
Gjendja shtypëse, që krijohet gjatë izolimit, jeta në duart e të tjerëve, mungesa e përgatitjes dhe e edukimit mbi ndodhi të tilla, sjellin para nesh fytyrën e çmendurisë, histerinë kolektive,shtetëzimin e lirive dhe ringjalljen e formave të fobive shoqërore.
Pashë se jo rrallë mbyllja, izolimi dhe këqyrja e tjetrit si armik kaloi nga ndrydhja në histeri.Krahas solidaritetit, mendjelehtësisë së fillimit apo ndjenjës së egoizmit ekstrem, dëgjova pashpirtësi në komunikimet mes njerëzve, ndjeva sadizëm, shfaqje dhune dhe kënaqësi nga dhunimi fizik, psikologjik e kulturor ndaj tjetrit.
Ata që dinë të përfitojnë gjithmonë nga gjendje të tilla janë politikanët dhe njerëzit në pushtet.Në një mënyrë, nga gjendje të tilla “përfitojnë” dhe artet, kur dinë të nxjerrin lëndë nga ndodhitë dhe ngjarjet me turma e politikanë që, ndonëse pretendojnë shumë,janë gjithmonë e më pak“guru” frymëzues të kombeve të tyre.
Në kohën kur jo pak nga mediet kanë hyrë në shërbim e janë radhitur nën armë, krijimtaria artistike ka ende hapësirë për rebelim, për ta bërë të dukshme që gjithë sa politikanët prodhojnë është mbivlerësuar, njëlloj siç është mbivlerësuar edhe inteligjenca,mirëdashja, kultura apo aftësia e tyre qeverisëse.
Artet, proza sidomos dhe veprat skenike, mund të vëzhgojnë se ligjet dhe veprimet e tyre (me gjithë ambiciet, vepra zor se do të kenë) janë pjesë e së përkohshmes, ato mund ta bëjnë qesharake “krenarinë dhe të lavdishmen”e pretenduar deri në shpërdorim, ato mund të tregojnë se në shoqëri pa kulturë demokratike, si kjo e jona dhe të ngjashmet e saj në Evropën Juglindore, hija e fronit mbretëror rri galiç në trurin e çdokujt që qeveris a drejton, qoftë edhe në periferi.
Të gjitha këto instinkte pandemia i vuri në provë e në veprim. Por në vendet me liri të kontrolluar, në një pikë njeriu vazhdon të jetë i lirë të zgjedhë diçka. Ai e ka ende lirinë të zgjedhë mënyrën dhe mjetin për t’u vetëposhtëruar.
Leximi apo krijimtaria,cila ka qenë parësore në ditët e izolimit?
Kam lexuar më shumë, sesa kam shkruar, duke u kujdesur me sa munda t’i rrija disi më larg kompjuterit dhe çdo forme të ekranit. Mund të kem humbur shumë por, mendova se kjo ishte mënyra ime, ndoshta jo më e mira, për të krijuar largësi nga cunami i lajmeve, jo gjithmonë të dobishme.
Më dukej sikur dëgjoja: – Je ankuar gjithmonë se nuk ke kohë! Ja ku e ke tani. 24 në 24 orë. Kohën e fituar ia kushtova leximit. Librave të palexuar dhe leximit të teksteve të mia, si përmirësim, korrekturë, plotësim detajesh.Kisha kohë pra, të hyja me kujdes më në thelb të çdo fjale të përdorur nga unë, të hulumtoja kuptime të tjera, përdorimin e së njëjtës fjalë në poezi, në prozë a në përditshmëri.
Desha që teksti të mos ushtronte presion ndaj lexuesit, sidomos me fjalë aktivizmi, fraza politike, slogane e klishe, që i gjemë dendur në letërsinë e sotme, thua se mes letërsisëdhe gjuhës e stilit të medias, nuk ka më dallim, thua se letërsia nuk është më art, por thjesht komunikim.
Unë e çmoj angazhimin domethënës të artit, e çmoj edhe aktivizmin, por jo deri sa kjo përditshmëri frazash, klishesh e sloganesh të shkatërrojë kërkimin për stil, kërkesën për art, imagjinatë dhe atë që është mirëfilli krijimtari letrare.Falë kërkesës gjithmonë në rritje për letërsi omgj dhe shkrimtarë që punojnë me ngut e me mall fason, letërsia si art, mezi arrin të mbijetojë.
Në kushte të tilla, a janë treguar të gatshëm bashkëpunëtorët tuaj që ju të vazhdoni të nxirrni revistën “Poeteka”?
Në këtë pikë besoj se bashkëpunimi i autorëve dhe përkthyesve me revistën “Poeteka” ka qenë i mirë. Arritëm të përfundojmë numrin 54 të revistës dhe të përgatisim për shtyp numrin 55, në të cilët lexuesi shpresoj të vlerësojë jo vetëm “kokëfortësinë” për të vazhduar edhe në kohë shkretimi, por edhe cilësinë letrare. Janërreth 400 faqe të reja, të papublikuara më parë,zgjedhur me përkushtim e kujdes.
Në to paraqitet letërsi e artnga D.Kiš, M.Velo, A.Lushi, A.Cupşa,N.Sardžoska, S.Temali, L.Haziri, R.Soler, L.Ahmeti, R.Ismaili, H.Meçaj, I.Diaconsecu, K.Fragkeskaki, A.Swirszczynska,D.Drndić eA.Dielli.Ka përkthime tëC.Milosz-ite W.Szymborska-s, sjellë në shqip nga P.Çina, të J.Prevert, nga E.Bido, tëE.Jabès, nga M.Karafilaj, të K.Jaio, nga Valbona Sulçe, të J.Brown – fitues i çmimit Pulitzer 2020,tëW.Borchert-in, nga B.Spahia, siç ka edhe kritikë letrare mbi G.Perliçevin, nga A.Mustafa, P.Palushi mbi letërsinë e S.Peposhit, A.Jurukovska-s mbi F.Parmakovska-n dhe L.Dimkovska-n, studimengaS.Risto, S.Leka e B.Shalarietj.
Veç kësaj, ka pasur edhe një tjetër lajm të mirë në lidhje me “Poetekën” dhe ata që bashkëpunojnë me të. Pas anëtarësimit në “Eurozone”– një nga rrjetet më rëndësishme të revistave kulturore evropiane, “Poeteka” tanimë është edhe pjesë e “Versopolis”.
A mund të përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv që në të ardhmen të kemi prozë dhe vargje rreth saj?
Ndoshta! Gjatë periudhës së mbylljes kam bashkëpunuar me grupe të ndryshme shkrimtarësh, herë për eksperimente letrare, si në rastin e 50 poetëve nga bota, që morëm pjesë në projektin letrar “poezi në rrjedhë–metafora e fundit të izolimit” dhe herë me punë përkthimore, si në rastin e poetes kineze Yin Xiaoyuan, e cila ka përkthyer dhe paraqitur për lexuesin kinez një cikël poezish në format audio dhe të shtypur. Kjo periudhë mbylljeje përkoi edhe me botimin në Vjenë të fact/fiction-it tim, me titull “Where Does Light Come From?Prej nga vjen Drita?”, si pjesë e “Circle-Surface-Sun: from somewhere in the Mediterranean”, botuar ngaShtëpia Botuese vjeneze SCHLEBRUGGE.EDITOR. Në Berlin, gjithashtu, në fund të muajit maj, doli në qarkullim edhe libri im me titull “ENVER UND SEIN PARADIES Illusionen und Propaganda im kommunistischen Albanien.”
l.m/Fjala.al