Ndërsa vëmendja është përqendruar në tetë ndeshjet e mbetura të Superligës shqiptare, futboll, madje me shumë pasion dhe sportdashës luhet edhe në Kategorinë e Parë. Një nga futbollistët kryesorë të Lushnjës, Brunild Pepa, shprehet i bindur se deri në fund të sezonit do t’ia dalin.
Nga Katerina Tafa
Gara e fortë me Pogradecin dhe Apoloninë e vendit të parë dhe të dytë ia kanë vështirësuar punën për kalimin në Superligë skuadrës së Lushnjës. Lushnja është një ndër ato klube që ka siguruar hyrjen në elitën e futbollit shqiptar shpeshherë, por po aq shpesh edhe është rrëzuar.
Megjithatë lojtari Brunild Pepa, në një intervistë për gazetën “Fjala” është shprehur i bindur se ekipi lushnjar do të mundë të kalojë mbi Apoloninë dhe Pogradecin, dhe të qëndrojë fuqishëm në Superligë, sezonin e ardhshëm.Ndërsa ka folur për ekipin dhe formën, mesfushori Pepa ka renditur me pika se çfarë e favorizon Lushnjën.
“Besoj që do t’i kalojmë të dy ekipet rivale, dhe do të futemi direkt në Superligë. Forcën e kemi, çunat janë të motivuar, kemi lojtarë me eksperiencë, si dhe i kemi të dubluara vendet në fushë, gjë që na bën më të fortë se Pogradeci dhe Apolonia.”-është shprehur ai.
Me tej ai ka folur edhe për derbin me Apoloninë, ku ka zbuluar faktin që do të jetë startues që në minutën e parë të lojës, dhe ka theksuar se kjo ndeshje është analizuar e, sipas tij, Lushnja e ka fitoren të sigurt.
Intervista me Brunild Pepën
Si ka qenë periudha e izolimit për ju, si jeni stërvitur dhe sa ka ndikuar kjo fazë në formën tuaj?
Kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë dhe mund të them që ka pasur të këqijat dhe të mirat e veta. Kemi pasur mundësi të qëndrojmë afër familjes, por nga ana sportive ka qenë shumë problematike, pasi jemi stërvitur në kushte shtëpie.
Tani që jeni rikthyer në fushë, si po procedohet me stërvitjen?
Na kishte marrë malli dhe mirë që u rikthyen. Kemi pasur pak vështirësi, si gjithmonë kur nis stërvitjen pas një pushimi, por tani jam shumë mirë fizikisht dhe po punoj fort.Po, në fakt, edhe rregullat e vendosura nga FSHF-ja i kemi zbatuar, për të ruajtur veten dhe familjet. Tani besoj se çdo gjë është duke shkuar në normalitet, dhe e njëjta gjë po ndodh edhe me stërvitjen.
Synimi i skuadrës së Lushnjës, ashtu si dhe çdo ekipi tjetër të Kategorisë së Parë,është kualifikimi për në Superligë. Megjithatë, duke parë që keni dy skuadra, si Pogradeci dhe Apolonia, që janë në krye, sa shanse mendoni se keni ju që të kaloni në njërin nga dy vendet e para?
Besoj që do t’i kalojmë të dyja ekipet rivale dhe do të futemi direkt në Superligë. Forcën e kemi, çunat janë të motivuar, kemi lojtarë me eksperiencë, si dhe i kemi të dubluara vendet në fushë, gjë që na bën më të fortë se Pogradeci dhe Apolonia.
Para keni një ndeshje të rëndësishme, siç është derbi me Apoloninë, a mendoni se mund ta fitoni këtë takim, dhe çfarë përgatitjesh janë duke u bërë në ekip për këtë sfidë?
Këtë derbi e kemi vlerësuar si të ishte një ndeshje e radhës, dhe do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin. Sa më shumë ditë kalojnë, aq më të motivuar jemi, dhe te kjo ndeshje kështu do të jetë. Është një përballje e bukur dhe shpresoj të fitojmë.
Po mungesën e minutazhit në lojë dhe të golave, si i komenton?
Unë erdha te Lushnja në janar.Kam pasur një dëmtim në shpatull, kur isha te Kruja, dhe është e vështirë të kapësh formën fizike, por me Apoloninë do ta nis nga minuta e parë, pasi me pushimin që kishim të gjithë, kam bërë shumë stërvitje dhe shpresoj të shënoj.Momentalisht është shumë shpejt të flasësh për oferta pa u mbyllur sezoni. Ta mbyllim njëherë mirë me Lushnjën, pasi jam i përqendruar këtu, pastaj të shohim.
Nga skuadrat ku keni luajtur deri tani, me cilën do të veçoje eksperiencën tënde më të mirë?
Kam luajtur me shumë ekipe dhe çdo ekip ka uljet e ngritjet e veta, por do të veçoj Durrësin, sepse më dha mundësi të luaja kur isha 18 vjeç dhe shënova 13 gola në vitin tim të parë në Superligë. Sot është shumë e vështirë që dikush në atë moshë të shënojë aq gola.