Rektori i Universitetit të Elbasanit: Jemi kundër vendosjes së mesatares

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Arsimi i lartë/Rektori i Universitetit të Elbasanit: Jemi kundër vendosjes së mesatares

 Rektori i Universitetit të Elbasanit, prof. Skënder Topi, në një prononcim për gazetën “Fjala”, shpreh shqetësimin lidhur me pragun minimal të mesatares të përcaktuar në VKM. Sipas tij, të njëjtin mendim ndajnë thuajse të gjithë rektorët e universiteteve në rrethe, teksa thotë se në asnjë vend të Evropës dhe botës nuk ka mesatare në bachelor.

Nga Ina Allkanjari

Ndërkohë, Anila Neziri, pedagoge bio-kimie në Universitetin e Shkodrës, shpreh shqetësimin lidhur me autonominë e universiteteve. Pasi, sipas saj, përcaktimi i mesatares për degë të ndryshme u duhet lënë në dorë universiteteve.

Disa prej fakulteteve në universitetet e rretheve janë drejt mbylljes. Këtë gjë e dëshmon numri i ulët i regjistrimeve gjatë dyvjeçarit të fundit, përkatësisht në degët e mësuesisë. Rektorë dhe pedagogë të disa prej këtyre universiteteve u shprehën për gazetën “Fjala” se shkak i rënies së numrit të studentëve është vendosja e mesatares në degët e mësuesisë.

Skënder Topi, rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, tregon se nuk kanë qenë asnjëherë dakord për vendosjen e mesatares për pranimet në bachelor. Topi thekson se thuajse të gjithë rektorët ndajnë të njëjtin mendim, që mesatarja duhet të vendoset për pranimet në master dhe jo në ciklin e parë të studimeve.

“Ne nuk kemi qenë dakord asnjëherë për vendosjen e mesatares në bachelor. Është e gabuar vendosja e mesatares për pranimet në trevjeçar. Pothuajse të gjithë rektorët ndajnë të njëjtin mendim, pasi në asnjë vend të Evropës dhe botës nuk ka mesatare në bachelor. Mesatarja duhet të vendoset në master”, u shpreh rektori i Universitetit të Elbasanit.

Teksa deklaroi se nuk e di a do të ketë kërkesa të maturantëve këtë vit për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Elbasanit, Topi tha se me vendosjen e pragut të mesatares në degët e mësuesisë, ka rënë numri i studentëve me rreth 20%.  “Ne ende nuk e dimë nëse do ketë kërkesa të maturantëve këtë vit për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Elbasanit.

Normalisht, me vendosjen e mesatares në degët e mësuesisë ka rënë numri i studentëve, kjo është e vërteta. Nëse më herët kemi pasur 100 studentë, me vendosjen e pragut të mesatares në degët e mësuesisë, ka rënë numri i studentëve me rreth 20%.

Nuk e di se çfarë do të ndodhë këtë vit, si do të jenë kërkesat”, tha Skënder Topi. Teksa theksoi se në Universitetin e Elbasanit aktualisht janë tri fakultete mësuesie, sipas tij, për sa i përket numrit të studentëve, ky universitet ka pësuar më pak rënie se të tjerët.

Universiteti i Shkodrës

E pyetur nga gazeta “Fjala”, lidhur me vendosjen e pragut minimal 7,5 të mesatares për degët e mësuesisë, Anila Neziri, pedagoge në Departamentin e Biologjisë dhe Kimisë në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, u shpreh se vendimi nuk është i drejtë. Kjo pasi, sipas Nezirit, jo çdo student që diplomohet në bachelor për degët, si Bio-Kimi, Histori-Gjeografi, Gjuhë-Letërsi, Shkenca Edukimi etj., i vazhdon studimet master për mësuesi. “Për mendimin tim, vendimi ku përcaktohet pragu i mesatares 7,5 në degët e mësuesisë, nuk është i drejtë. Ne si degë nuk përgatitim vetëm mësues.

Kjo pasi përveç masterëve të mësuesisë, që deri tani nuk kanë qenë te ne, por te Fakulteti i Edukimit, kemi dhe master shkencor Biologji Mjedisore. Ky master nuk ka lidhje me mësuesinë. Trevjeçari është bazë dhe ti mund të ndjekësh master për Teknolog Ushqimi, mund të shkosh për analiza mjekësore etj.

Pra, kjo është arsyeja pse ne të gjithë e kundërshtojmë, pasi nuk mund të etiketohemi që përgatisim mësues që në bachelor.  Pra, ai student që do të bëhet laborant duhet ta ketë minimumi mesataren 7,5 që të ndjekë studimet bachelor për Bio-Kimi. Shumë studentë bëjnë trevjeçarin në Universitetin e Shkodrës për Bio-Kimi, dhe më pas bëjnë masterin kudo, jo domosdoshmërisht për mësuesi”, deklaroi Anila Neziri.

Lexo edhe :  Basha për Ditën e Verës në Elbasan: Uroj ndryshime pozitive për shqiptarët në maj

Nga ana tjetër, Neziri shpreh shqetësim lidhur me autonominë e universiteteve. Sipas saj, përcaktimi i mesatares për degë të ndryshme u duhet lënë në dorë universiteteve, teksa thekson se në të gjithë botën çdo universitet i vendos vetë kriteret. Për sa i përket ndikimit që pati në këtë universitet vendosja e pragut të mesatares 6,5 një vit më parë, dhe 7,5 për degët e mësuesisë, Neziri shprehet se numri i studentëve të regjistruar ka rënë ndjeshëm, ndërsa në degën e Bio-Kimisë vitin që lamë pas pati vetëm 10 studentë.

“Nëse bëj një rezyme të tri viteve të fundit, kur ka qenë mesatarja 6,5 për degën tonë, kemi pasur 30 deri në 40 studentë në bachelor. Kur u vendos mesatarja 7, numri i studentëve që ndoqën studimet për Bio-Kimi shkoi në 15. Vitin që shkoi, kur pragu i mesatares u vendos 7,5 ne kishim 9 studentë dhe në fund erdhi edhe një student tjetër që u bë e mundur hapja e degës.

Besoj që edhe këtë vit, me gjithë këto situata e vështirësi që po kalojmë, njerëzit nuk janë shumë të prirur te shkolla por synojnë t’i dërgojnë të rinjtë jashtë Shqipërie, të paktën për studentët me mesatare të ulët”, tha pedagogia e Bio-Kimisë në Universitetin e Shkodrës. Sipas vendimit të qeverisë, për vitin akademik 2021-2022 pragu minimal i mesatares për degët e mësuesisë do të jetë 8.

Në lidhje me këtë vendim Neziri shprehet se kjo gjë do të sjellë mbylljen e degës. Ajo thekson se në Universitetin e Shkodrës ka shumë fakultete që automatikisht rrezikojnë të mos kenë studentë, teksa shprehet se kjo gjë është shumë e trishtë. “Me këto ritme shumë shpejt besoj se do të mbyllemi komplet, dega jonë të paktën besoj se po.

Mund të mbijetojë informatika, pasi në këtë degë mund të vijnë 20 deri në 30 vetë, jo më shumë. Ne kemi dhe Institutin e Studimit të Ujërave, që është shkencor, është Instituti i Albanologjisë që përsëri nuk mendoj se do të mbijetojë me këtë mesatare. Për mua, ky vendim është regres. Zona nuk zhvillohet kështu, po bie. Godinat e universiteteve do të jenë bosh, nuk do të ketë më as profesorë dhe as studentë. Nuk ka zhvillim pa universitet”, tha Neziri.

Qëndresa Qytetare: Kriteri i mesatares ka prodhuar tkurrje të degëve në universitetet e rretheve

Në lidhje me vendimin e qeverisë për ngritjen e pragut të mesatares për pranimet në universitete për ciklin e parë të studimeve, ka reaguar edhe Qëndresa Qytetare. Sipas Rigels Xhemollarit, kryetarit të Qëndresës Qytetare, nga analizat e bëra ndër vite, rritja e përvitshme e kriterit të mesatares ka prodhuar tkurrje të degëve në universitetet e rretheve dhe mohim të së drejtës për arsim të shumë studentëve, të cilët në pamundësi të studimit në Shqipëri u janë drejtuar unviersiteteve të rajonit ose Evropës.

“Kriteri i mestares është një kriter arbitrar, i vendosur dhe i ndryshuar sipas dëshirës së qeverisë, pa realizuar asnjë konsultim me universitetet të cilat nga viti në vit tkurrin degët e tyre në fushën e edukimit”, tha Xhemollari.

Ai thekson se ky kriter cenon në thelb autonominë e universiteteve, pasi vetë ligji 80/2015 i IAL-ve neni 25 pika 8, shprehet se: “Departamenti propozon kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore”.

Pjesa e parë e këtij neni, shprehet Xhemollari, i jep departamentit kompetencën dhe autonominë e kritereve, ndërkohë Këshilli i Minsitrave shkel ligjin dhe vendos kritere përtej kërkesave të departamentit.

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Kos Data: Shqipëria ka qeverinë me numrin më të lartë të grave në Europë me 68.7%

Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria renditet e para në Evropë për përfaqësimin e grave në kabinetin qeveritar, me...

Nis pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout, mijëra besimtarë i drejtohen vendit të shenjtë

E marta e 18-marsit shënoi nisjen e pelegrinazhit në kishën e “Shna Ndout” në Laç. Që prej orëve të para të mëngjesit, qindra besimtarë...

Pse Donald Trump po rrëzon ekonominë amerikane?

I varur nga Fox News dhe mediat edhe më ekstreme, presidenti gjen mbështetje dhe justifikim për veprimet katastrofike për amerikanët dhe botën   Jonathan Freedland   I pakënaqur...

Strehimi social/ Gonxhja: 10-fishojmë fondet për këtë program!130 mijë persona përfitues

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije se, do të 10 fishohen fondet për programin e strehimit social. Në konferencën e zhvilluar ditën...

Pse Gjermania do të futet në borxhe të reja?

Gjermania dëshiron të investojë qindra miliarda euro më shumë në mbrojtjen kombëtare dhe rindërtimin e infrastrukturës së rrënuar. Bundestagu do ta votojë këtë më...

Lajme të tjera

Web TV