Vendimi/Vrasja e Begallës, analiza e ADN-së shpëtoi Serezin nga dënimi

Gjykata zbardh vendimin e plotë për vrasjen në ish-Bllok të biznesmenit të ndërtimit Memli Begalla. Dënohet me 25 vjet burgim Denis Demiri, si autor i krimit, por lihet i lirë i dyshuari tjetër. Konfliktet që çuan në vrasje dhe analizat e AND-së që çliruan nga qelia ish-efektivin e policisë.

Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e marrë disa javë më parë, për vrasjen e biznesmenit në ish-Bllok, rreth dy vite më parë. Sipas vendimit të togave të zeza të kryeqytetit për ngjarjen e 14 shkurtit të vitit 2018, ku biznesmeni Begalla u ekzekutua në hyrjen e pallatit të tij, gjykata ka dënuar me 25 vite burg Denis Demirin.

Ndërsa për Ardian Serezin, u vendos të pushohen hetimet. Ky i fundit ishte dhe personi që kishte konflikt me biznesmenin 64-vjeçar. Çështja ndaj Serezit u pushua për shkak të mungesës së provave. Ishte analiza e ADN-së që e shpëtoi 40-vjeçarin nga akuza si person që mori pjesë në ekzekutimin e Begallës.

Sipas aktit të ekspertizës, ADN-ja e tij nuk përputhej me provat e gjetura në vendin e krimit. “Në bazë të nenit 201/a/2 K.Pr. Penale, është marrë pëlqimi i të pandehurit Ardian Serezi, për kryerjen e ekspertimit biologjik të ADN-së.

Sipas Aktit të ekspertimit biologjik nr.3184 datë 19.03.208, ekspertët e policisë shkencore kanë arritur në përfundimin se profili gjenetik i shtetasit Ardian Serezi nuk përfshihet në profilet mikste të përftuara nga ekzaminimi i provave materiale marrë gjatë këqyrjes së automjetit BMW.

Gjithashtu, nga këqyrja e automjetit janë sekuestruar një certifikatë regjistrimi e automjetit tip BMW, me ngjyrë të zezë, me benzinë, në emër të shtetasit Loncar Rasima, Zagreb, siguracion ndërkombëtar dhe siguracion mjeti në emër të shtetasit të sipërpërmendur”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Memli Begalla u ekzekutua më 14 shkurt 2018, me një plumb në kokë, nga dy persona të maskuar, të cilët teksa largoheshin u fiksuan nga kamerat e sigurisë, pranë një tuneli. Prokuroria akuzoi fillimisht Serezin se ishte ai personi që e inskenoi vrasjen e Begallës, për shkak të një konflikti mes tyre.

Konflikti mes Serezit, ish-polic dhe Begallës, sipas hetimeve dhe vendimit të gjykatës dyshohet se lidhet me një sasi prej 1 ton hashash që u kap në vitin 2014, në Tepelenë, në një kamion ku drejtues ishte Serezi.

“Me viktimën kam mbi 8 vjet që njihem, kemi pasur marrëdhënie pune, e kam njohur në rreth shoqëror, më pas kemi punuar bashkë. Ai ka pasur një firmë gomash, unë e kam ndihmuar. Kishte një pikë në Kombinat, aty ku unë banoj, kjo ka qenë njohja ime me të.

Lexo edhe :  Të shtëna me armë pranë Bashkisë, një i vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër

Për herë të fundit jemi takuar te Blloku, një ditë para se ai të vritej, e takova, kemi pirë kafe te lokali “Bardh e Zi” te Blloku, nga ora 7 e mëngjesit deri rreth orës 8-9. Ka qenë 13 shkurt, pra jemi ulur rreth orës 7 deri në 8-9 të mëngjesit.

Viktima kishte konflikte të vazhdueshme me persona të ndryshëm, për shkak të punës së tij, mospagimit të detyrimeve.” – thotë Serezi në dëshminë e tij. Më tej ai shton se “Unë Denis Demirin fatmirësisht nuk e njoh e as e kam njohur ndonjëherë, madje dhe në seancën e pyetjeve kam thënë që nëse më kanë parë 50 metra larg tij unë e pranoj.

Unë s’e kam parë në jetën time asnjëherë këtë zotëri. Kur kam folur me viktimën, rreth orës 6 pasdite, unë kam qenë ne banesën time në Kombinat, ndërsa për viktimën s’e di, se s’më tha ku ishte. Biseduam e më tha do të jap 3000-3500 euro, sa të kapësh veten”.

Për policinë dhe më pas prokurorinë Serezi ishte një nga “porositësit”, madje bashkëpunëtor edhe në vrasjen e biznesmenit, por provat e siguruara nuk e bindën trupin gjykues, si nga analizat e AND-së, ashtu edhe intinerari i të pandehurit ditën kur u krye vrasja e Memli Begallës.

“Ne kemi punuar bashkë dhe herën e parë që isha në burg, zotëria (Memli Begalla) ka qenë me mua, pavarësisht se nuk u thirr asnjëherë nga policia apo prokuroria. Ai kishte së pari detyrim moral ndaj meje.

Unë e dija që kur merr përsipër një vepër penale do dënohesh, kemi qenë bashkëpunëtorë. Kur unë u izolova, ai u interesua për mua dhe familjen time për një vit kohor, derisa u mbyllën hetimet. Më pas komunikonim me telefonata dhe më pas u shkëput lidhja.

Kur e kam takuar në lokal, i kam thënë që ti ke një detyrim moral ndaj meje, të më ndihmosh të paktën për kohën që qëndrova në burg dhe më tha që ti do të vish të punosh me mua.” – shprehej në dëshmi Serezi, i cili nuk e mohon konfliktin për sasinë e drogës, por në asnjë moment nuk pranoi se e kishte kryer ai krimin e vrasjes, apo të kishte pasur dijeni për ngjarjen.

 

l.m/Fjala.al