“Teza ishte e vështirë”, maturantët në protestë për testin e Gjuhës Shqipe

Maturantët në qytetin e Tiranës dhe në atë të Beratit janë duke protestuar për shkak të provimit të Gjuhës Shqipe që u zhvillua ditën e djeshme.

Sipas të maturantëve, Ministria e Arsimit nuk i është përmbajtur paralajmërimit që kishte bërë në lidhje me strukturën dhe pyetjet e testit. Ata thonë se në provim ka pasur pyetje nga mësime që nuk janë zhvilluar, gjë e cila sipas tyre i ka penalizuar shumë.

“Ministria nuk e mbajti fjalën, testi i Gjuhës Shqipe ishte shumë i vështirë kishte pyetje nga mësime që nuk janë zhvilluar”-shprehen ata.

Në protestë është kërkuar dorëheqja e Ministres së Arsimit, Besa Shahinit, pasi sipas maturantëve është e paaftë.

Maturantët e Tiranës kanë bllokuar rrugën përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa ata të Beratit ndodhen para Drejtorisë Arsimore të qytetit të tyre dhe po kërkojnë që të bëhet rivlerësim i testit të Gjuhës Shqipe.

Ndërkohë ajo që bie në sy është fakti që maturantët janë duke protestuar pa respektuar masat anti-koronavirus, pra pa maska e doreza e duke mos respektuar distancën nga njëri-tjetri.ka.ta/Fjala.al/