Christopher Hill: Lufta në Kosovë pas dështimit të bisedimeve me Millosheviqin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga libri “Pararojë – në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, ish i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë

Ushtarët e trupave shumëkombëshe, të sigluar “KFOR”, kaluan kufirin me mjetet e blinduara, dhe trupat e armatosura serbe, të mbledhura te godina e doganës, edhe pse ende nuk ishin të çarmatosura, ishin krejt të demoralizuara. Përkundër tyre shqiptarët kishin dalë rrugëve dhe në sheshet e qyteteve duke pritur çlirimtarët me brohoritma. Ishte 12 qershori i vitit 1999…

…Ideja e gjithhershme se: “Kosova duhej çliruar me çdo kusht”, nuk mori jetë vetëm nga veprimet luftarake të UÇK-së. Që në vitet ‘80 ushtria shqiptare përgatitej për një operacion të jashtëzakonshëm, që gjithsesi ruhej në sekret të plotë. Plani “Shpërthimi”, mbi të cilin punuan vetëm katër ushtarakë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes, përcaktonte deri në imtësi, mësymjen frontale që do të mund të merrte me forcë territoret shqiptare të humbura nga Konferenca e Londrës.

Gati 20 vjet më vonë, lufta do të niste vërtet, por këtë herë në kushte të tjera. Shqipëria nuk u përfshi në luftë frontale, por vetëm në mbrojtje të integritetit të saj territorial. Por në luftime morën pjesë edhe vullnetarë nga Shqipëria, siç është rasti i Indrit Carës, i njohur më së shumti si ‘ushtar Kavaja’, i cili dha jetën për lirinë e Kosovës. Në luftën e vërtetë për çlirimin e Kosovës përveç UÇK-së, do të përfshihej edhe një fuqi e madhe ushtarake, me inicialet NATO.

Kujtimet e të dërguarit amerikan

Christopher R. Hill, i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë gjatë viteve të krizës, në librin e tij “Pararojë – në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, shkruan: “Në pranverën e 1998-s Ballkani pati trazira të reja, këtë herë në Kosovë, provincë serbe me shumicë popullsie shqiptare, e cila nuk pranonte të udhëhiqej nga Beogradi. Serbët i referohen Betejës së Kosovës, në qershor 1389, si më e rëndësishmja e kombit. Ata humbën ndaj Perandorisë Osmane, por kur historia tregohet, nëpërmjet princit serb Lazar, identiteti serb supozojnë se lindi. Historia e vërtetë e betejës është mjaft e ndërlikuar. Për fillestarët, nuk është e qartë se kush luftoi për kë, megjithëse, sipas disa historianëve, ata që aktualisht quhen shqiptarë luftuan përkrah me serbët dhe të tjerët, kundër Perandorisë Osmane që kishte nisur pushtimin e Ballkanit, dhe nuk ndodhi e kundërta, siç shpjegojnë serbët”.

Forca e UÇK-së

“Në shkurt 1998 Ushtria Çlirimtare e Kosovës, (UÇK-ja) po shndërrohej në një forcë të madhe brenda vendit. Ajo kishte historinë e vet të ankesave, por ishte furnizuar gjer në dhëmbë me armë nga Shqipëria, e cila sapo kishte kaluar “rënien e skemave piramidale”. UÇK-ja operoi në mënyrë sporadike në 1996-n, por në 1997-n, sulmet ndaj forcave të sigurisë serbe u rritën dhe u bënë më vdekjeprurëse.

Forcat serbe kundërvepruan dhe shumë shpejt Kosova u bë arenë lufte. Në Maqedoni njerëzit shihnin të alarmuar atë që po ndodhte me Kosovën, e cila po shndërrohej në kaos.  UÇK-ja rendiste në radhët e saj patriotë, por edhe ish-kontrabandistë dhe banda të armatosura, dhe ishte e kujdesshme me privatësinë e liderëve të saj dhe politikat që ndiqte. Ky nivel privatësie dhe sekretesh, çoi në krijimin e miteve të tilla që thoshin se ushtarët e UÇK-së ishin terroristë islamikë, ose luftarakë guerilas marksistë, apo të dyja bashkë, sipas imagjinatës shterpë të atyre që urrenin shqiptarët”, shkruan mes të tjerash Christopher Hill në librin e tij.

Pas Rambujesë

Kthesa filloi pas Rambujesë. Marrëveshja e Rambujesë ishte një marrëveshje e propozuar për paqe mes Republikës Federale të Jugosllavisë dhe një delegacioni të shqiptarëve të Kosovës. Ajo u hartua nga Organizata e Paktit të Atlantikut Verior (NATO) dhe zgjodhi kalanë e Rambujesë si vend ku u mbajtën negociatat. Jugosllavia e refuzoi atë dhe NATO-ja e përdori këtë si justifikim për ndërhyrjen në luftën e Kosovës. Por si e kujton këtë episod Christopher Hill në librin e tij:

Lexo edhe :  “Kosova nuk ka asnjë përparim ndërkombëtar”

“Më 19 mars, në Paris, e gjithë udhëheqja e shqiptarëve të Kosovës nënshkroi marrëveshjet, ndërkohë që Wolfgang Petritsch, unë dhe të tjerët qëndronim prapa tyre. Ishte një moment i ëmbël dhe i hidhur njëkohësisht, sepse të gjithë e dinim, sidomos unë dhe Wolfgang, se në mungesë të firmës serbe dhe me gjendjen e dhunshme që ekzistonte, do të kishte luftë. Uashingtoni, në gjykimin e tij kolektiv, vendosi se ne duhej të bënim një përpjekje më shumë, dhe i kërkoi Holbrooke-ut të kthehej në Beograd, të takonte Milosheviqin. Marrëdhëniet e mia me këtë të fundit, ishin përkeqësuar, nën dritën e Rambujesë.

Vizita në Beograd, pas sugjerimit të sekretares Albright dhe Jamie Rubin kishte shkuar keq. Më pas më dërguan sërish në Beograd, duke parashikuar për këtë propagandë refuzimin e Milosheviqit për të më parë, sikurse bëri, e duke më dërguar ministrin e tij të Jashtëm fshatar. Holbrooke, unë, bashkë me një delegacion nga Uashingtoni u takuam me Milosheviqin në mbrëmjen e 22 marsit. Ai ishte me një humor të zi, më e pakta që mund të thuhet. “Ju jeni superfuqi. Nëse doni të thoni se e marta është e mërkurë, ju mund ta bëni këtë. Nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë të tjerët”. Kaluam orë të tëra në përpjekje për një zgjidhje mbi përfshirjen e NATO-s, sipas Marrëveshjes së Rambujesë, por ishte e pamundur. Milosheviqi dhe serbët e tjerë nuk ishin të gatshëm të pranonin trupa të huaja”.

Evakuimi

Dhe ja si e kujton diplomati amerikan kufirin që ndau paqen nga lufta “Ambasada jonë në Beograd, u evakuua po atë ditë. Nëntëdhjetë minuta më vonë, arritëm në kryeqytetin e Maqedonisë, ku fytyrat miqësore të punonjësve të aeroportit ishin të trishtuara, nga mundësia e një lufte në kufijtë e tyre. Mëngjesin tjetër, mbyllëm ambasadën, duke riparë procedurat dhe duke kërkuar më shumë ndihmë nga policia lokale. U ula në tryezën time, për t’i bërë një telefonatë të fundit ndihmësit të ministrit të Jashtëm të Milosheviqit, Bojan Bugarçiç-it, si një mundësi e fundit. Ai më tha, “Ne nuk do të jemi më në kontakt për një kohë shumë të gjatë. Ju uroj më të mirat.”

Më 24 mars bombardimet filluan.

Epilogu

KFOR-i hyri në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Trupat e NATO-s si në formën e karvaneve, me helikopterë lart, të zbarkuara deri në atë luginë të njohur në Kosovë, makina dhe traktorë që transportojnë refugjatët e kthyer, edhe toka e trazuar filloi të qetësohej. Liderë të tillë, si Veton Surroi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi dolën nga të fshehurit. Unë shoqërova Ibrahim Rugovën, që erdhi  nga Roma, ku kishte vajtur si mysafir i Vatikanit, në kthimin e tij, në pritjen si hero të luftës me një peizazh të ri në një Kosovë të panjohur më për të.

Shumë qytete dhe lagje ishin djegur deri në themel nga paraushtarakët serbë si hakmarrje ndaj komunitetit shqiptar për bombat e NATO-s. Asnjë nuk ishte më keq se në qytetin e Gjakovës, ku, gjatë një vizite në korrik, pashë rresht më rresht dyqanet që ishin djegur me largimin e trupave serbe. Kosovarët filluan të rindërtonin, me një aktivitet që nuk ka ndër mend të ngadalësohet edhe sot e kësaj dite”, shkruan Christopher Hill në librin e tij “Pararojë – në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”./Fjala.al/

Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

Moti i keq në SHBA, tre viktima dhe dhjetëra të lënduar nga ngricat

Mot i ftohtë dhe reshje të vazhdueshme dëbore kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në SHBA duke rezultuar në të...

Përmbysje e jashtëzakonshme, Milan shpallet kampion i Superkupës së Italisë

Finale dramatike me plot 5 gola! Milani është fituesja e Superkupës së Italisë, teksa mposhti Interin me rezultatin 2-3, në njëduel të çmendur.  Edhe pse...

5 rreziqet që kërcënojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit

Banka Botërore parashikon se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.4 për qind këtë vit. Institucioni më i lartë monetar në botë vlerëson...

Virus i rrezikshëm përhapet në Whatsapp, në fokus punonjësit e Policisë së Shtetit

Një virus është përhapur në rrjetin e komunikimit Whatsapp dhe ka si target kryesisht punonjësit e Policisë së Shtetit. Mesazhi që në pamje te jep...

Detyrim paraqitje për Berishën, Manjani: Vazhdim i humorit të Vitit të Ri

Juristi Ylli Manjani ka komentuar në një intervistë televizive vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali...

Lajme të tjera

Web TV