Grabitja në Rinas, SPAK-u dërgon dosjen në gjykatë me 7 të pandehur

SPAK-u përfundon hetimet dhe dërgon në gjykatë dosjen e grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur rreth një vit më parë. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për këtë ngjarje ka dërguar si të pandehur për akuzën e vjedhjes së 6 milionë eurove, 7 persona.

Të dyshuar si pjesëtarë të grupit që kreu grabitjen janë vëllezërit Eldi dhe Klemend Çala, të arrestuar dy muaj më parë në Qerret të Kavajës, Oltion Veseli, Elton Pikli, Renaldo Sula dhe Alkond Bengasi.

Hetimet janë pushuar për dy kryesorët e këtij grupi, për Ragip Hajdinin, i njohur si “daja” nga Kosova, pasi ai ndërroi jetë tri ditë më parë në Spitalin e Traumës, nga një sëmundje e rëndë. Gjithashtu hetimet u pushuan edhe për Admir Muratajn, i cili mbeti i vrarë pas shkëmbimit me armë zjarri dhe policisë, kur grabitësit po largoheshin pasi vodhën paratë.

Gazeta “Fjala”, nga informacionet e siguruara, ka mësuar se në këtë dosje ka dëshmi, përgjime dhe prova shkencore që implikojnë personat e arrestuar në ngjarjen e bujshme. Përmes burimeve është mësuar se në dosje, përveç përgjimeve mes personave që është kërkuar të merren të pandehur, është edhe dëshmia e Alkond Bengasit, i cili në hetimet paraprake ka treguar detaje mbi grabitjen dhe personat që e organizuan atë.

Për sa i përket dinamikës së ngjarjes së 9 prillit, në dosjen hetimore thuhet se ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë dhe grabitësve, ndjekja ka vijuar dhe rrugës ku u gjet një trup i pajetë, i cili i përket Admir Muratajt. Gjatë këqyrjes, atij iu gjet një granatë dore, dy granata tymuese, një pistoletë, gërshërë dhe aparat për bllokimin e valëve. Më tej thuhet se u gjet një gjurmë e cila thuhet se është e Bengasit, i cili ndodhet aktualisht nën arrest. Ai ka pranuar para hetuesve se e njeh Klement Çalën, sepse e ka kushëri.

Lexo edhe :  Aksident i rëndë në Lushnje/ Humb jetën pasagjeri, përfundojnë në spital tre persona

Ndërsa në vendimin e zbardhur nuk përcaktohet shuma e parave të grabitura, pasi banka nuk ka sjellë përgjigjen mbi shumën e parave të grabitura. Grupi i grabitësve është vënë në përgjim ambiental si para, ashtu edhe pas grabitjes.

Nga përgjimet ambientale dëgjohet se babai i Klement Çalës para grabitjes i ka kërkuar atij që të ketë kujdes, pasi policia mund t’i ketë vënë përgjues. Pas arrestimit të disa prej autorëve të dyshuar, policia i vuri në përgjim ambiental të dyshuarit e tjerë, të cilët kanë shprehur shqetësim mes tyre, duke u shprehur “çfarë tersi, e dija që do të përfundonte kështu”…ka.ta/Fjala.al/