Në një shkrim të thelluar për gazetën « Fjala », Akademik Artan Fuga analizon parlamentarizmin në Shqipëri jo vetëm si institucion, por mbi të gjitha si produkt, që mund të ngjajë «qesharak» në sytë e qytetarëve, por është më e «djallëzuar» se vetë shfaqja publike. Zigzakja e rrezikshme me Kodin Zgjedhor që monopolizon jo vetëm pushtetin por edhe opozitën…
Ngjarja që ndoqa tri net më parë në ekranet televizive më tërhoqi disa minuta vëmendjen. Jo më shumë. Te dera e Kryesisë të Kuvendit të Shqipërisë, në një intervistë të furishme, ku disa pyetje njëherazi merrnin disa përgjigje njëherazi, dëgjova dhe mora vesh që deputetët që kanë mbetur në Kuvend nga opozita e dikurshme atje, shpreheshin të revoltuar.
Kuptova që deputetët që hynë në Kuvend nga listat e partive LSI dhe PD, pasi këto të fundit u tërhoqën dhe dogjën mandatet e deputetëve të tyre, para nja një viti e gjysmë, si edhe disa deputetë nga këto parti që nuk pranuan të largoheshin nga kolltuqet e tyre në atë kohë, ishin revoltuar nga marrëveshja për Kodin Zgjedhor që Këshilli Politik realizoi pak ditë më parë, nën presionin dhe iniciativën e ambasadorëve të huaj, por edhe me pëlqimin e forcave politike kryesore.
Më tërhoqi vëmendjen, sepse simbolikisht ishte njësoj si të ngjallej Llazari i vdekur! Deputetët e asaj që po e quajmë me mirëdashje “opozitë parlamentare” (pra deputetët nga listat dhe deputetët e opozitës që mbetën në Kuvend, pas ikjes nga LSI dhe PD) po bënin një akt të foluri që nxirrte nga poshtë tavolinës një faktor që kishte mbetur disi në hije. Vërtet partitë LSI, PD, PS u morrën vesh nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Këshillin Politik që Kodi Zgjedhor pak a shumë të mbetej i njëjti.
U morën vesh që as administrata zgjedhore të mos ndryshonte, as deputetët të mos votoheshin individualisht dhe kokë më kokë nga elektorati, por këta të mbeten ushtarë në lista partish, u morën vesh pra që ta ndajnë ato si gjithmonë në këta 30 apo 300 vjet pushtetin në Shqipëri, u morën vesh që të monopolizojnë pushtetin, por të monopolizojnë edhe opozitën, (monopolizimi më i rrezikshëm që mund të ekzistojë), e rregulluan midis tyre ujdinë, e rregulluan edhe me faktorin ndërkombëtar, por…
Nuk e paskan bërë mirë llogarinë me hirushen e varfër, deputetët e “opozitës parlamentare”, si mbetje të largimit të LSI dhe PD në Kuvend! Këta u revoltuan: Ne nuk e votojmë Kodin Zgjedhor! Pra, duket si një revoltë brenda kështjellës kafkjane politike, një kryengritje e papritur brenda pallatit të Kuvendit të Shqipërisë, një revoltë brenda kazermës të deputetëve shqiptarë, një revoltë si ato të filmave në anijet pirate, ku marinarët e dehur ngrenë krye kundër komandantëve dhe rrëmbejnë anijen mes dallgëve të një oqeani në fortunë.
Në frëngjishten klasike kjo revoltë nga brenda quhet ndryshe mutineri, mutinëri, por është një fjalë plot kuptim, dhe sado në shqipe duket se ka lidhje me fjalën “mut”, nuk do të thotë, së paku në frëngjishte, «punë muti». Por çfarë është kjo revoltë e «të nënshtruarve», e «të pallogariturve», e «të përbuzurve» në Kuvend? Si ta lexojmë ne si qytetarë? Çfarë ka ndodhur?
Çfarë është kjo «punë muti»?
Më së pari unë do të thosha që ne si qytetarë shqiptarë që duam që kombi të stabilizohet, që shoqëria të dalë nga këneta ku është futur, ne që ruajmë ëndrrën e viteve ’90 për një Shqipëri të zhvilluar, të lulëzuar dhe të drejtë, na takon që sa herë ka elemente që i dalin jashtë kontrollit politikës, të kemi gëzim dhe shpresë.
Na kanë mbytur marrëveshjet përtej, mbrapa kurrizit tonë, nga politikanët, që kur merren vesh janë edhe më të rrezikshëm, sesa kur nuk merren vesh. Sepse kur nuk merren vesh, së paku i nxjerrin disa të palara njëri-tjetrit, pengojnë njëri-tjetrin në aventurat egoiste, kurse kur merren vesh, shuajnë çdo dallim mes opozitës dhe pushtetit, dhe qytetari mbetet pa asnjë mbrojtje dhe pa asnjë shkëmb ku të mbështesë kokën.
Prandaj, kur forcat politike atje në Pallatin e Kongreseve të Partisë të Punës, ranë dakord që ta ndajmë përsëri vetëm mes tyre pushtetin politik, rrethuar nga deputetë lolo e servilë, kur sheh që këta deputetët e “opozitës parlamamentare”, të quajtur edhe “deputetë të listave” ngrenë krye, thua: Sa mirë! Jo se beson te kauza e tyre, as se beson patjetër te fakti që ata mund të ndryshojnë diçka në kënetën moçalore të Shqipërisë, por sepse sheh se diku politika që kontrollon gjithçka, ekonominë, artin, jetën tonë të përditshme, mediat, së paku paska një moment jokontrolli mbi gjithçka. Të duket sikur nuk qenka aq e plotfuqishme, nuk e paska gjithçka nën gjurin e vet, nuk e paska zbutur si mace shtëpie gjithçka që ende ruan një dinjitet, sado modest në Shqipëri. Kjo është pamja e parë. Pastaj analiza vjen e të qetëson, të zbut, të moderon në shpresat që mund të ushqeje.
-Në fillim shtrohet pyetja se përse këta deputetët e listave të ndarë mes tyre në nja tri a katër grupime brenda sallës së Kuvendit u revoltuan pikërisht tani? Unë nuk e paragjykoj mutinërinë e tyre, revoltën e tyre, kryengritjen e tyre që poshtë «kuvertës», atë mbrëmje te dera e Kuvendit, pikërisht aty ku kemi parë skena hamletiane të rrënimit tonë. Por si qytetar kam të drejtë të mendoj. Ata mund të thonë se nuk e bëjnë këtë revoltë për interesa personalë, por kjo nuk shkon.
Nuk ka njeri që çështjen e përgjithshme nuk e lidh edhe me fatin e vet personal. Sepse po qe se nuk mendonin fare për interesin e tyre personal, çka do të kishte qenë një donkishotizëm, atëherë do të duhej ta kishin provuar këtë qysh më parë, duke refuzuar ta zemë pagat dhe privilegjet e deputetit që, me thënë të drejtën, u japin atyre një status shumë herë më të privilegjuar sesa ai i elektoratit që i ka votuar ose mosvotuar, duke i lënë në lista kandidatësh për deputetë!
Pra, pa dyshim që duhet bërë edhe analiza e interesit të tyre personal. Pasi ndenjën një e ca muaj, dhe do të bëjnë dy vite, në Kuvend, ndërkohë që partitë që i sollën aty e braktisën Kuvendin, ata po e kuptojnë se koha e tyre politike po përfundon. Ëndrra e bukur, që as e kishin përkundur ndonjëherë kaq fort, po mbaron. Deputetët «e listave» kuptuan menjëherë pas marrëveshjes për Kodin Zgjedhor, se partitë politike të establishmentit 30-vjeçar i hodhën tutje nga anija e politikës. U morën vesh me njëra-tjetrën, pa pasur nevojë për deputetët «e listave».
Partia Socialiste as nuk u njeh ndonjë detyrim, sepse u thotë ju nuk keni fare lidhje me ne! Jeni deputetë, madje të rivalëve tanë. Pasi kaloi të gjitha ligjet që donte, sipas qejfit, Edi Rama, as nuk pyet për këta deputetë që ngrinin kartonat në Kuvend, pikërisht kur PS kishte nevojë dhe, siç duket, nuk u premton asgjë. «Ikni o tutje, kaq meritonit!». Kurse PD-ja së paku, me siguri që i konsideron ata tradhtarë! Nuk e di në planin politik, por mendoj shkulmet e inatit të deputetëve të PD-së dhe LSI-së që ikën nga Kuvendi, kur panë që vendin ua zunë individë që ata në partitë e tyre i kishin konsideruar në listat për deputetë, si «mbushës topi», pra si gjindje e nivelit të dytë periferik. LSI-ja dhe PD-ja, me përjashtim të ndonjërit që e konsiderojnë të infiltruar në Kuvend, këta deputetë i quajnë si të djegur, si fëmijë harramë, si të shitur, madje edhe si një shembull që duhet të zhduket krejtësisht nga memorja e çdo militanti, e çdo drejtuesi politik, e çdo deputeti.
Ne duam nënshtrim absolut zotërinj, …edhe ju zonja!
Tani ka ardhur koha që deputetët e listave të ngrenë kokën, ndonëse është shumë vonë! Pazari ka përfunduar. Kali u shit! Edhe lopa! Madje, edhe gomari! Ata tashmë kanë dalë nga politika, në mos të gjithë, shumica e tyre, madje rrezik që shumica as në administratë nuk zë dot një vend pune, me përjashtim të ndokujt që është i stërpërdorur, dhe që mund t’i hedhin muajt e parë pas zgjedhjeve të ardhshme, ndonjë kockë për ta lëpirë! Në kohën kur kanë ndier, pas festës, pasi u ka dalë pija, se gëzimi mbaroi, se ëndrra përfundoi, revoltohen!
Sepse po qe se do të kishin menduar për interesin e e gjerë publik, atë “bojkot” që thonë se do të bëjnë, apo atë mospjesëmarrje që kërcënojnë në punime, do të duhej ta kishin bërë kur partitë që i sollën në Kuvend u larguan nga Kuvendi! Deputetët e listave po na përmendin tani po ato teknika betejash politike, sikurse është abandonimi i punimeve, me të cilat ata u distancuan kur partitë e tyre u larguan nga Kuvendi para nja dy vitesh! Mua më vjen keq, por ata janë të pabesueshëm.
Janë të pabesueshëm nga militantët e partive, nga elektorati, nga media, nga opinioni publik! Ndofta ndonjeri prej tyre edhe mund të ketë ende kapital politik, sidomos ndonjë që ka qenë edhe më parë deputet, ose edhe ndonjë deputete që, sido që e listës, ka mbajtur qëndrime korrekte opozitare, por të tjerët, politikisht janë për t’u hedhur në kosh!
Tri arsye për këtë. E para, sepse nëse opinioni publik konsideron si kancerin politik të Shqipërisë këtë Kuvend prej gjasme, gjysmagjel, Kuvendin më të keq që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, kjo gjendje ka një përgjegjës kryesor që tallet me atë Kuvend, por ka edhe bashkëfajtorët që e ndihmuan atë.
Dhe këtu përgjegjësia është e këtyre deputetëve, që tashmë të përfshirë në mutinëri nuk duhet të harrojnë se po qe se edhe ata do ta kishin braktisur atë sallë, atëherë përpara dy viteve kombi shqiptar nuk do të ishte sot këtu. Të mos e harrojnë këtë, sepse edhe po qe se e harrojnë, jemi këtu që t’ua kujtojmë.
Çfarë do të kishte ndodhur po qe se ata nuk do të kishin hyrë në Kuvend nga deriçkat ? Çfarë do të kishte ndodhur po qe se ata nuk do të kishin ngelur aty në Kuvend kur kolegët e tyre u larguan? Hataja? Hiç more asgjë. Do të kalonim shpejt në zgjedhje dhe aq! Kurse kështu ata kanë ndihmuar pikërisht që fasada e gjoja demokracisë, gjoja e Kuvendit, gjoja e shtetit të së drejtës të mbahej në këmbë nga klika në pushtet.
E dyta, të mos harrojmë se ata kanë ndikuar dhe kanë qenë faktori kryesor që ka bërë të aprovohen shumë ligje të poshtra në atë Kuvend, të cilat e kanë rrënuar Shqipërinë, shoqërinë, dhe ne qytetarët e saj. Kanë ndenjur mbi privilegje duke na shkelur me këmbë. Mjafton të kujtoj këtu ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, ku ligje gjenocidiste, diktatoriale, të panjohura në asnjë kod ligjesh në botën e qytetëruar, hynë në fuqi duke i dhënë grushtin e fundit shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në vendin tonë.
Së treti, ata nuk ndërtuan asnjë imazh politik, nuk ndryshuan sjelljen politike, mbetën si deputetët e tjerë, për të cilët populli dhe elektorati nuk ka asnjë nderim dhe asnjë besim. Të mbyllur në vetvete, me gërr-mëre parlamentare llogjesh dhe hidhje-pritjesh në Kuvend, pa ide, pa platforma, me vetëlavdërime të shëmtuara, me figura jo pak groteske mes tyre, nën talljet e rënda të zotërve të Kuvendit, imazhi i tyre politik është në shumicën e rasteve qesharak.
Kur më ka ndodhur të kem qenë tri ose katër herë në Komisionin e Edukim, Arsim, Media, veç dinjitozes, zonjës Fatjona Dhimitri, që nuk e bashkoj me askënd atje, nuk arrije të dalloje se cilët ishin deputetët e shumicës nga ata të opozitës. Veç qendrimeve të rralla dinjitoze të ndonjë deputeti, e njëjta sjellje servile ndaj Kryeministrisë, e njëjta frikë në sy nga hija e kryeministrit, i njëjti qëndrim budalla ndaj çështjeve që trajtoheshin për arsimin, kulturën, shkencën, rininë, e njëjta kulturë kazerme, i njëjti trajtim banal, vulgar, mediokër, katunaresk i problemeve, aq sa thoshe me vete: O Zot, në duar të kujt ka rënë Shqipëria jonë e mjerë! Të vinte të mbyllje dosjet e të ikje nën vështrimin e hutuar e pa orientim për shembull të Musa Ulqinit, apo të Fidel Yllit, a të Mirela Kumbaros, dhe agresiv të Milva Ikonomit a të tjerëve!
Çfarë kërkojnë këta deputetë të listave tani? Nuk përjashtoj që midis tyre mund të ketë disa kokrra që ende ruajnë ndonjë nerv politik të sinqertë, por shumica prej tyre janë të kalbur, të vdekur politikisht. Koha e tyre fatkeqësisht ka përfunduar. Duhet ta kuptojnë këtë. Ne qytetarët që e përmbuzim këtë Kod Zgjedhor, sepse ai monopolizon pushtetin, por monopolizon edhe opozitën, nuk kemi asnjë besim se nga mutinëria e portës të Kuvendit do të dalë diçka shpëtimtare për Shqipërinë, për kombin, për demokracinë. Unë nuk i akuzoj se i përdor Edi Rama kur përfshihen në mutinëri, nuk kam prova për këtë, por di që janë në fazën e agonisë politike.
Ndonjëri prej tyre mendon se kështu në sprintin e fundit do të ndërtojë një imazh për të kandiduar si i pavarur diku, edhe mund të jetë llogari e drejtë personale, por më shumë se kaq mutinëria nuk na jep. Ne si qytetarë duam gjithandej nga Jugu në Veri deputetë pa histori të komprometuara në Kuvend! Deputetë të dyshimtë që i kanë bërë karrierat nisur nga përulje në restorante plazhi! Nuk e shikon? Ngeli Shqipëria pa djem e vajza, burra e gra, që të përfaqësojnë si duhet popullin në Kuvend, i cili tani ka mbetur në batakun e një niveli mendor, kulturor dhe etik shumë më të ulët sesa minimumi i nivelit të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
-Me interes do të ishte të analizohej sjellja e partive politike zyrtare të Pallatit të Kongreseve ndaj mutinërisë së deputetëve mbeturina të tyre apo deputetë të listave. Edi Rama menjëherë e trajtoi se ai ndodhej mes dy zjarresh gjoja. Ilaritet i madh! Mes opozitës jashtë Kuvendit dhe opozitës së listave në Kuvend! Të shkrihesh gazit! Në këtë mënyrë ai ndërton imazhin e vet para ndërkombëtarëve, sepse qytetarët shqiptarë e njohin këtë fiasko si shaka e radhës, sikur ai është pika e ekuilibrit politik në Shqipëri. Pushteti si pika e ekuilibrit mes opozitës dhe opozitës! Rivihet në qendër. Sigurisht që është një falsitet, sepse së paku duhet thënë se ai nuk ka dy zjarre, sepse nuk ka zjarr fare. Ka tym pa zjarr.
Me partitë opozitare zyrtare ai e mbylli marrëveshjen me një dakordësi të pashoqe, që do ta kishte pasur zili edhe Fronti Demokratik, ndërsa për të gjetur nja dhjetë deputetë nga këta të “mbetjeve parlamentare”, ai nuk e ka problem fare. Nuk e ka problem, sepse midis tyre ka që i ka përdorur shumë rëndë prej kohësh, çka duket edhe nga mënyra si disa prej tyre qethen, dhe që kanë dhënë shembullin tashmë që me një çmim shumë të lirë e japin votën pa problem për zotninë. Ende më dalin surratet e tyre përpara, të frikura, servile, në Komisionin e Edukimit, Arsimit, Medias, dhe më vjen sa pështirë, aq edhe të zgërdhihem. Ata shiten!
Edi Rama sigurisht e zmadhon ngjarjen, sepse përfiton nga mutinëria e mbeturinave parlamentare. Dëshiron t’i faktorizojë se lëkund në kokë synimin që mund t’i përdorë në fushatë ose si kandidatë të pavarur, apo edhe sikur t’i shtyjë drejt formimit të një partie politike që, ndonëse i kanë privilegjet për ta krijuar, nuk i kanë këllqet për këtë punë. Shpreson se ata mund të marrin qoftë edhe disa vota nga ato të opozitës në ditën e votimeve.
Edi Rama, gjithashtu, kërkon ndihmën e LSI-së dhe sidomos të PD-së për t’i zbutur, nënshtruar, futur në rresht gjoja deputetët pjesë e mutinërisë, dhe këtu sigurisht ka një synim. Do t’i njohë ata si pjesë të partive zyrtare, të ndajë me këto të fundit çmimin që duhet paguar për t’i futur në rresht përfaqësuesit e revoltës në një gotë me ujë, pra për të ndarë shpenzimet e një përfitimi që ai e ka mjelë me aq shumë rendiment!
Është bërë një shërbim, kush do ta paguajë faturën!
Ndërkohë që LSI-ja hesht, por jep shenja me anë të ndonjë qëndrimi personal se paska pasur dëshirë për lista të hapura, por pa pasur mundësi juridike për t’i kërkuar ato (çfarë shakaje!). PD-ja distancohet nga mutinëria dhe e quan si instrument të Edi Ramës. Edi Rama përfiton, i ka përdorur gjithë kohës këta deputetë, por, nga ana tjetër, kemi aty edhe një dukuri të mirëfilltë të sociologjisë politike.
Këta deputetë të cilëve PD-ja u ngarkon një pjesë të fajit për gjendjen e sotme të shtetit shqiptar, të mos harrojë se ne i kemi dhuratë prej saj. Të mos harrojë që janë produkt i atij sistemi zgjedhor me lista të mbyllura që ajo nënshkroi si marrëveshje pikërisht me ata që nuk pranoi të ndante përgjegjësitë parlamentare, duke e shuar zërin e opozitës në Kuvend! Pas marrëveshjes së Pallatit të Kongreseve të Partisë së Punës, llogaria për ne qytetarët është e qartë. Braktisja nga ana e opozitës e Kuvendit dy vite më parë, sado që ne e paguam dhe e mbajtëm mbi kurrizet tona peshën e sakrificës, nuk na solli asgjë.
Asgjë!
Institucionalisht jemi braktisur pa mëshirë, me cinizëm, pa solidaritet në të njëjtin batak institucional, ndërkohë që ne duam dritë, duam ajër, duam kulturë, duam të drejta, duam liri, nuk duam ndryshim vendesh midis të zgjedhurve të kryetarëve nga pushteti në opozitë, ku të jesh në opozitë atje është edhe më mirë sesa të jesh në pushtet! A e kupton zotëri, mik, a armik qofsh?