Drejtori i BKH-së/Kush nga 4 kandidatët është më i favorizuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pikëzimi i përafërt e ka bërë të vështirë përzgjedhjen mes katër kandidatëve Aida Hajna Veizaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Poligrafi si “matësi i pagabueshëm”. Gazeta “Fjala” zbulon dy personat që kanë dalë më mirë në testin e së vërtetës, ku njëri prej tyre pritet të zgjidhet në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Struktura kyçe që do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin u “prek” nga COVID-19, duke mbetur pezull për afro tre muaj pandemi. Tashmë situata ka ndryshuar dhe katër personazhet që mëtojnë të kapin postin e drejtorit të BKH-së janë në fazën finale, fundi i së cilës ka vetëm një fitues dhe “tre humbës” (nëse mund të quhen të tillë).

Katër kandidatët, Aida Hajna (Veizaj), Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj tashmë i kanë drejtuar sytë nga treshja e SPAK-ut që do të japë vlerësimin përfundimtar për ta. Në muajin shkurt, Komisioni i Përzgjedhjes, i përbërë nga drejtuesi i SPAK-ut, z. Arben Kraja, dhe nga dy prokurorët Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra, zgodhën katër kanditatët pretendentë që synojnë të marrin drejtimin e të ashtuquajturës “FBI-ja shqiptare”.

Nga 40 kandidatë që ishin në fillim në garën për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, vetëm 4 prej tyre arritën të kalonin me sukses fazat e tjera, të cilat kishin të bënin me testet fizike, shëndetësore, teste me shkrim për njohuritë në krijimin e raporteve.

Për katër kandidatët finalistë vetë SPAK-u ka nisur një proces vetingu, duke bërë verifikime në të tri kriteret, atë të pasurisë; figurës dhe të karrierës. Që të gjithë emrat e përzgjedhur vijnë nga radhët e policisë me një karierë të gjatë, ku kanë pasur disa role drejtuese në Policinë e Shetetit, Ministrinë e Brendshme apo zyrën e INTERPOL-it.

Kush janë kandidatët e përzgjedhur!

Aida Hajna Veizaj, është aktualisht zëvendësdrejtore e përgjithshme Policisë së Shtetit, ndërsa më herët ka qenë drejtuese e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, drejtuese e Drejtorisë për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe jo vetëm. Veizaj është e vetmja grua që arriti të kalojë në fazën përfundimtare të procesit për zgjedhjen e kreut të BKH-së.

Kandidati tjetër, Artur Beu, është aktualisht koordinator i policisë shqiptare me policinë italiane. Beu ka një karrierë të gjatë në strukturat e policisë, ndërsa kaloi më sukses testet e kryera gjatë procesit të përzgjedhjes që konsistuan në teste fizike dhe me shkrim për njohuritë mbi përgatitjen e raporteve dhe testin e të vërtetës.

I treti është Ervin Hodaj, aktualisht pedagog në Akademinë e Sigurisë, ndërsa më herët ka qenë drejtues i Policisë së Tiranës. Hodaj ka qenë më herët edhe drejtuesi i sektorit për krimin e organizuar në Policinë e Shtetit, i specializuar në fushën e narkotikëve. Ai u përzgjodh për të kaluar në fazën përfundimtare pas testeve të kryera.

Lexo edhe :  Kërkohej nga Interpol Roma, shqiptari kapet në kufirin malazez

Idajet Faskaj, është drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ndërsa para kësaj detyre ka drejtuar Drejtorinë e Krimit të Organizuar, që në 2018-n u shkri dhe u krijua ajo që u quajt policia kriminale. Në qershor të 2019-s Faskaj u vlerësua me certifikatën “Për shërbime të dalluara” nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Finalja kalon nga poligrafi…

Gara mes katër pretendentëve për të marrë drejtimin e BKH-së, është mjaft e fortë, pasi sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka mbledhur, të katër kanditatët kanë marrë pothuajse pikët maksimale në të gjitha testet e kryera gjatë kësaj gare, e cila ka zgjatur prej gati 6 muajsh.

Sipas informacioneve, përgjigjet e testit të makinës të së vërtetës (poligrafit), do të jenë ato që do të përcaktojnë zgjedhjen e drejtuesit të BKH-së, i cili është njëri prej institucioneve më të rëndësishme në sistemin e ri të drejtësisë.

Në testin e makinës të së vërtetës kandidatët u vendosën në mes të muajit shkurt. Pas përfundimit të këtij testi në atë kohë SPAK tha se raportet e ekzaminimeve të poligrafit do të merren në konsideratë, por rezultatet e tyre është rreptësisht e ndaluar të aksesohen.

Por, nëpërmjet burimeve të saj gazeta “Fjala” ka mësuar se dy prej kandidatëve kanë marrë pikët maksimale nga përgjigjet që dhanë dhe këta janë Idajet Faskaj dhe Aida Veizaj. Kjo e fundit, e cila aktualisht është numri 2 në Policinë e Shtetit, është një nga kandidatet potenciale për marrjen e drejtimit të BKH-së.

Përveç faktit se Veizaj është me një karrierë të gjatë dhe me disa role drejtuese, sipas informacioneve, ajo ka siguar vlerësim  maksimal gjatë testeve që janë bërë në këtë garë 6-mujorshe.

Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do të shërbejë vetëm pranë SPAK-ut dhe do të ketë në fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet.

Po ashtu, ky organ do të monitorojë anëtarët e SPAK-ut duke u përgjuar telefonat dhe duke u kontrolluar llogaritë bankare. Sidoqoftë, gara për zgjedhjen e kreut të BKH-së po monitorohet nga afër edhe nga ekspertë amerikanë, të cilët në përfundim, kur të zgjidhet më i miri, do të asistojnë në trajtimin e tij dhe të agjentëve të BKH-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Pesë arsyet pse duhet të pini kafe para se të shkoni në palestër

Hulumtimet e fundit zbulojnë 5 arsye që janë të mira për ne dhe duhet të pini një filxhan kafe...

Bilanci i janarit, Koçiu: Investime në shëndetësi dhe mbrojtjen sociale

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë publik këtë mëngjes, bilancin e investimeve dhe reformave të ndërmarra nga institucioni që ajo...

Po na “zhgënjen” shumë zoti President!

Nga Myslim Murrizi Të “ lutem” shumë, të paktën mos na i pengo pagesat për komisionin Xhafaj të “specialistëve” të Sorosit, se ndryshe na “more”...

Fundjava me aksidente/ Qibini: Përveç gjobës, duhen dhe masa administrative për shkelësit

Kjo fundjavë që lamë pas ka qenë e mbushur me aksidente. Sipas ekspertit rrugor, Islam Qibini, shkak janë bërë lëvizjet e shtuara dhe shpërfillja...

Preç Zogaj për protestën e 8 shkurtit: Ndoshta demokratët duan të testojnë…

Analisti Preç Zogaj ka komentuar protestën e planifikuar nga Partia Demokratike më 8 shkurt, duke u shprehur skeptik mbi efektivitetin e saj. Sipas tij, PD...

Lajme të tjera

Web TV