Kodi Zgjedhor sot në Kuvend, paqartësi për votën opozitare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Funksionimi i balancuar i KQZ-së, sanksionohet hapja e kutive të votimit, dënim për shkeljen e kuotave gjinore dhe mundësi votimi për emigrantët. Përçahet opozita parlamentare lidhur me amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës

Nga Blerina Gjoka

Këshilli Politik miratoi mbrëmë amendamentet e hartuara nga ekspertët për draftin përfundimtar për Kodin Zgjedhor, bazuar mbi marrëveshjen politike, të arritur më 5 qershor, mes palëve.

Kjo marrëveshje tashmë ka marrë formën teknike të një kodi zgjedhor të ndryshuar, që do të vihet në funksion në zgjedhjet e ardhshme. Por, para se të hyjë në fuqi, do t’i duhet vota e Parlamentit, me një shumicë të cilësuar, 84 vota pro. Votimi në Kuvend pritet të bëhet sot, mes një paqartësie për votën e deputetëve opozitarë, të ardhur nga listat shumemërore të PD-së dhe LSI-së, pas djegies së mandateve të tyre.

Mazhoranca socialiste ka vetëm 77 vota të sajat, prandaj i duhen të paktën dhe 8 vota të tjera nga grupimi opozitar për të kaluar kodin e ri, të arritur me një marrëveshje politike jashtëparlamentare.

Deri më tani ky grupim nuk është kompakt në qëndrimin e tij dhe në vetëm pak ditë ka pasur lëvizje të ndryshme prej eksponentëve të ndryshëm. Një iniciativë e kryesuar nga deputeti demokrat Myslim Murrizi mblodhi firmat e 29 deputetëve që e kundërshtonin këtë marrëveshje dhe kërkonin ndryshime më të thelluara në Kushtetutë, që kishin të bënin me sistemin zgjedhor.

Por fill pas prezantimit të saj, filloi firimi i firmave nga kjo inciativë dhe nisën akuzat ndaj kryeministrit Rama për përdorim të opozitës parlamentare.

Përçarja e opozitës

Futja në amendamentet e opozitës parlamentare e një kërkese surprizë, që kishte të bënte me ndalimin me ligj të koalicioneve parazgjedhore u bë shkak për përçarjen e deputetëve opozitarë, të cilët përfaqësojnë parti të ndryshme. Pasi u tërhoqën nga firmat e tyre në këtë propozim deputetët e Ballit Kombëtar, Artur Roshi dhe Besnik Troplini, dje ka pasur edhe tërheqje të disa deputetëve të tjerë.

Disa prej krerëve të partive të vogla opozitare në Parlament kanë dalë kundër ndryshimeve Kushtetuese të propozuara nga Myslim Murrizi, edhe pse e kanë firmosur më parë dokumentin e dorëzuar në Kuvend. Kostaq Papa, deputeti i listave të PD-së, njëherësh kryetari i Partisë së Emigracionit, tha se kishte firmosur për kërkesën e Murrizit, por ajo kishte ndryshuar, nga drafti që kishte nënshkruar në fillim.

Ai e ka tërhequr firmën e tij nga kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës, teksa tha se nuk mund t’ia bënte PD-së që t’i hiqet e drejta e koalicioneve në zgjedhje. “Marrëveshja që u bë në këshillin politik mund të quhet vetëm një kthim i opozitës jashtëparlamentare në institucione.

Tërheq emrin tim dhe firmën për ndryshimin e Kushtetutës, pasi firmosëm, u shtuan çështje që nuk kanë lidhje me këto, dhe i kanë bërë ata që nuk janë parti parlamentare. Janë shtuar dy elemente në fund të çështjes që kanë të bëjnë me pragun elektoral dhe koalicionet, nuk kemi ndryshim në thelb, luajmë kungulleshkën.”- tha ai.

Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe Selami Jenisheri, kryetari i Partisë së Pensionistëve, edhe ky firmëtar i nismës së Myslim Murrizit, por që dje ndryshoi qëndrim.

Ndërsa Krenar Rryçi, kryetari i Partisë së Reformave Demokratike, tha se nuk është tërhequr nga firma e tij për ndryshimin e Kushtetutës, por, nga ana tjetër, ai tha se nuk është kundër koalicioneve parazgjedhore dhe se partia e tij do të shkojë në zgjedhje me një marrëveshje të tillë.

Lexo edhe :  A kishte dijeni për shpenzimet e bashkëshortes së tij? Ja si përgjigjet Veliaj nga qelia

Nga ana tjetër, Kujtim Gjuzi, Kryetar i Partisë Konservatore, tha se do të bëhet gati një rezolutë ku do të përfaqësohen 7 parti politike.

Deputeti opozitar, Lefter Maliqi, akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të përçajë opozitën në Kuvend, pasi, sipas tij, nisma e kolegëve të tij të pakicës parlamentare për ndryshime kushtetuese, ku fillimisht kërkohej edhe heqja e koalicioneve, është në fakt produkt i Taulant Ballës.

“Pasi përçau opozitën parlamentare, pasi përçau shqiptarët, pasi përçau artistët, përdor opozitën e re, të cilën edhe atë e ka bërë lëmsh me Taulantin e tij, i cili i takon, u rekomandon shkresat për firmë kryetarëve të grupeve të opozitës së re, jo vetëm te kafeneja e Kuvendit, por edhe te Kryesia.

Ky përdor skenarin e fundit, 29 deputetë, sepse 3 prej tyre janë tërhequr, që kanë firmosur dokumentin e Ballës, me porosi të Ramës, për të ndryshuar koalicionet. Kjo tregon qartë që Rilindja e oligarkëve ka frikë nga koalicionet”, u shpreh Maliqi.

Por ndërsa ikin disa firma, ka ardhur një firmë e re në këtë propozim, i cili nëse do të kalonte në Kuvend, do të rrëzonte marrëveshjen politike të bërë nga mazhoranca dhe opozita e bashkuar jashtë Kuvendit.

Tentativën për ndryshimin e Kushtetutës pa konsensusin e saj, PD-ja e ka cilësuar si një lojë të Ramës kundër opozitës. Por deputeti Lefter Koka ka firmosur nismën e tri grupeve parlamentare të opozitës parlamentare për heqje të koalicioneve dhe Lista të hapura. Koka thotë se është i kënaqur me këtë zgjedhje dhe ka marrë mbështetje, ndërkohë thotë se tashmë peshoren elektorale duhet ta vendosë populli dhe jo më partitë.

Çfarë ndryshon për zgjedhjet e reja

Kodi i ri që votohet sot në Kuvend ka saktësuar ndryshime të rëndësishme të organizimit të zgjedhjeve që nga hapja e kutive të votimit, refuzimi i regjistrimit të kandidatëve e deri tek organet e reja zgjedhore, të cilat janë parashikuar në kodin e ri elektoral, për të cilin duhen 84 kartona për ta kaluar në Kuvend.

Kodi i ri i jep zgjidhje fenomenit të zëvendësimit të deputetëve zonja nga kolegët e tyre, pasi për herë të parë partive që nuk respektojnë kuotën prej 30% u refuzohet regjistrimi i kandidatëve. Hap kutitë ose largohu, duket se do të zhduket nga fjalori politik, pasi në ligjin e ri zgjedhor sanksionohet hapja e kutive të votimit, pasi të jetë mbyllur procesi i numërimit.

Zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një zonë, disa zona ose në të gjithë vendin nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, ndryshe KAS, një ndër tri organet e reja të Komisionit Qendror të ri të Zgjedhjeve. KAS bashkë me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisionin Rregullator miratohen me 84 vota. Nëse votimi dështon, atëherë përzgjedhja e kandidatëve për këto poste realizohet me short nga administrata e Kuvendit. Nënkomisioneri i takon opozitës dhe në amendamentet përfundimtare qëndron në detyrë 4 vite, jo 7 vite.

KQZ-ja duhet të garantojë votimin e emigrantëve, të cilët e kanë regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit. Ankimimet zgjedhore marrin zgjidhje në Kolegjin Gjyqësor Zgjedhor, një institucion me 8 anëtarë të cilët e kanë kaluar vetingun dhe përzgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Nuk ka marrë ende zgjidhje problemi i kasetave të cilat u shpërndahen mediave në fushatë zgjedhore, si dhe ndalimi i transportit të zgjedhësve në ditën e votimit nga partitë politike.

 

la.mi/Fjala.al

 

Të fundit

Inteligjenca artificiale na ndihmon të interpretojmë tingujt e kafshëve

Cilido qoftë mendimi juaj për atë që përgjithësisht (dhe shpesh në mënyrë të pahijshme) quhet "inteligjencë artificiale", nuk ka...

Makina që drejton vetë vendos rekord botëror të shpejtësisë!

Një moment historik i ri për lëvizshmërinë autonome është arritur në Qendrën Hapësinore Kennedy: Maserati MC20 Coupé , i pajisur me një shofer AI të zhvilluar nga Universiteti Politeknik i...

Një monografi për artisten Safete Toska, “fisnikja tironse” e këngës qytetare

Nën zërin e mrekullueshëm të këngëtares Safete Toska në sfond, u promovua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit monografia Safete Toska – Fisnikja...

I kemi parë në filmat e Disney/ Makinat fluturuese tashmë janë një realitet!

E keni parë në veprim në sagën Back to the Future dhe Blade Runner , por edhe në Total Recall , Harry Potter dhe madje edhe në një film të vjetër të...

SHBA tërheq trupat?! Makthi i Evropës mund të bëhet realitet

Politikanët evropianë besojnë se SHBA mund të tërheqë rreth 20,000 trupa amerikane nga rajoni, numri që ish-presidenti Joseph Biden përforcoi forcat evropiane në fillim...

Lajme të tjera

Web TV