Marrëveshja politike për reformën zgjedhore po zvarritet në procedura teknike. Edhe pse e arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar, ajo rrezikon të dështojë, për shkak të formulës së zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Opozita nuk ka besim te Kuvendi i dominuar nga mazhoranca dhe propozon procedura jashtëparlamentare për përzgjedhjen. Por si mund të zgjidhet ky ngërç dhe cila palë ka të drejtë? Analizojnë për gazetën “Fjala” ekspertët e çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume dhe Premto Gogo.
Nga Blerina Gjoka
Buzëqeshjet e natës së 5 qershorit kur katër përfaqësuesit e Këshillit Politik, të ngritur për reformën zgjedhore, firmosën për një marrëveshje të re politike që do t’i hapte udhën kësaj reforme, po zbehen. Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët në një takim maratonë në ambasadën amerikane, ka nisur të futë ujë në teknikalitet me të cilat duhej të plotësohej drafti përfundimtar.
Ngërçi ka të bëjë me procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, organi kryesor i menaxhimit të zgjedhjeve, për formulën e përbërjes të të cilit ishte rënë dakord në marrëveshjen politike.
Shkak është bërë një propozim i detajuar i opozitës për ta kaluar përzgjedhjen e anëtarëve të rinj në një procedurë të re, që anashkalonte Kuvendin në përzgjedhjen e kandidaturave. Opozita, e cila ndodhet prej shkurtit të shkuar jashtë parlamentit, nuk ka besim te një parlament i dominuar nga mazhoranca socialiste, ndaj kërkon që procedurat të kryhen nga Avokati i Popullit dhe një komision ad-hoc politik që ngrihet mes PS-së dhe dy partive kryesore të opozitës, PD e LSI.
Ky propozim bëri të dështonte një tryezë e mbajtur të martën në mbrëmje. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, mazhoranca nuk pranoi të thërriste një tryezë të dytë, të kërkuar nga opozita, duke i kërkuar opozitës të hiqte dorë nga propozimi i saj. “Në lidhje me propozimin për formulën e emërimit të KQZ-së, si dhe mekanizmat e vendimmarrjes që propozuan, u shprehëm kundër dhe nuk mund të diskutohen më në mbledhjen e radhës.
E gjykojmë një propozim jashtë marrëveshjes dhe traditës parlamentare për rolin e Kuvendit në zgjedhjen e KQZ-së. Për këtë çështje do të diskutojmë pasi të na sillni paraprakisht një propozim tjetër që respekton faktin që Kuvendi është sovran në zgjedhjen e organit të KQZ-së, duke siguruar edhe konsultimet dhe dakordësimet në lidhje me emrat që plotësojnë kriteret dhe kanë miratimin tuaj.
Pra, e theksoj vetëm nëse sillni propozim të ri, bazuar në këto parime, mund të vazhdojë ky diskutim.” – shkruante në e-mail-in e tij për opozitën Damian Gjiknuri, përfaqësues i PS-së në Këshillin Politik. Por kolegu i tij demokrat në Këshill, Oerd Bylykbashi, beson se formula e propozuar për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së nga opozita, është e njëjta formulë e përzgjedhjes që është përdorur për organet e reja të sistemit të drejtësisë.
Sipas Bylykbashit, kjo formulë e prezantuar asokohe nga faktori ndërkombëtar, u pranua nga palët si zgjidhje për të ruajtur profesionalizimin dhe pavarësinë e institucioneve. “Konkretisht, formula parashikon tri faza: a) Kontrolli i kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit. b) Zgjedhja nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve, me përbërje të balancuar, 3 mazhoranca dhe 2 opozita. c) Votimi i listës në bllok nga Kuvendi.” – tha ai.
Opozita akuzon mazhorancën se nuk po e pranon propozimin e ri, sepse do që të kapë të tria organet e KQZ-së. Pas dështimit të tryezës, opozita i kërkoi dje mazhorancës një formulë të re për KQZ-në, që, sipas saj, të reflektojë dakordësinë e arritur mes palëve në 5 qershor.
Opozita vë në dukje se PS-ja ka mbetur te drafti i vjetër i saj, duke refuzuar të reflektojë dakordësinë e 5 qershorit, ku është sanksionuar se “komisioneri i Zgjedhjeve përzgjidhet në konsultim mes palëve, zv/komisioneri përzgjidhet nga partitë e opozitës, kurse anëtarët e Rregullatorit dhe KAS përzgjidhen nga partitë e mazhorancës dhe opozitës, të ndarë në mënyrë proporcionale.”
Opozita pretendon se drafti që mbron PS-ja përcakton emërimin e të gjithëve anëtarëve të KQZ-së nga qeveria, ku, sipas saj, palës tjetër i hiqet çdo garanci ekzistuese, në lidhje me propozimet dhe vendimmarrjen.
Në të vërtetë beteja për dominimin politik të KQZ-së është një betejë e kahershme politike mes palëve.
KQZ, molla e përhershme e sherrit politik
Nga një institucion kushtetues i pavarur, në një institucion në duart e partive. Ky është fati i KQZ-së, i cili, në nëntor të vitit 1998, nëpërmjet një referendumi kombëtar për kushtetutën e re, në nenet 153 dhe 154 sanksionoi krijimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si organ të përhershëm, i përbërë nga shtatë anëtarë.
Qershori i vitit 2000 shënon fillimin e aktivitetit të KQZ-së me gjashtë anëtarë të emëruar sipas Kushtetutës, dy nga Presidenti i Republikës, tre nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe një nga Kuvendi. Një muaj më pas, dhe pikërisht në korrik të vitit 2000, Kuvendi emëroi anëtarin e shtatë të KQZ-së. Zgjedhjet e para që u përgatitën nga ky Komision ishin ato të zhvilluara në tetor të vitit 2000, për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore.
Pas një ndryshimi ligjor në vitin 2007, ndryshoi Kushtetuta dhe KQZ-ja nga shkurti i 2007-s përbëhej nga 9 anëtarë, por një vit më vonë, me marrëveshjen e famshme PD-PS për reformën zgjedhore të vitit 2008, ndryshoi Kushtetuta dhe shfuqizoi nenet 153 e 154 ku sanksionohej krijimi i KQZ-së, duke ia lënë këtë Kodit Zgjedhor.
Në ligjin e ri u saksionua krijimi i KQZ-së si organi më i lartë shtetëror i përhershëm, i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve, me 7 anëtarë, me mandat 4-vjeçar. Anëtarët dhe kryetari i KQZ-së zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Tashmë KQZ-ja mund të ndryshojë sa herë bëhen ndryshime në kodin zgjedhor, siç ndodhi dhe me marrëveshjen e re politike të këtij qershori. Sipas formulës së re të dakordësuar, struktura e re e KQZ-së duhet të përbëhet nga rregullatori (pesë anëtarë); apeli (pesë anëtarë); dhe një kryetar ekskluziv dhe nënkryetar ekzekutiv.
Anëtarët do të dakordësohen në proporcion shumicë-pakicë në organet rregullator dhe të apelit. Komisioneri i shtetit do të zgjidhet përmes konsultimit. Por dakordësia politike për formulën përbërëse kishte harruar një detaj të rëndësishëm; atë të mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve, e cila kalon nëpërmjet Kuvendit, ku opozita nuk është pjesë. Kësisoj po kërkohet një procedurë e re që do t’i garantonte asaj praninë dhe vendimmarrjen në procesin e përzgjedhjes së emrave të rinj që do të menaxhojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Premto Gogo: Nuk mund të zgjidhet jashtë parlamentit një organ si KQZ-ja
Një KQZ e re, e zgjedhur sërish mbi bazën e balancimit politik, nuk jep asnjë garanci dhe do të shënojë dështimin e radhës. Eksperti i çështjeve zgjedhore, Premto Gogo, kryetar i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, në një analizë për gazetën “Fjala” kritikon qasjen e Këshillit Politik për mënyrën e zgjedhjes së KQZ-së së re.
Ajo që po ndodh me KQZ-në, sipas Gogos, është një kthim pas, sepse “një organi kaq të rëndësishëm, organ kushtetues deri më 2008, t’ia heqësh të drejtën e zgjidhjes nga parlamenti është një zgjidhje ektraligjore dhe ektrainstitucionale, që nuk do të sjellë asnjë gjë të mirë, por do të vazhdojë të rrënojë aspiratën dhe procesin shtetformues”.
“Mendoj se rrënja e problemit në këtë ngërç të ri të krijuar, është te qasja që kanë palët, nëse KQZ-ja do të jetë një organ i pavarur apo me balancim politik, sikundër është modeli aktual, i formësuar në reformën zgjedhore të 2012-s nga PS-ja dhe PD-ja, sepse ky model dështoi. Arsyeja kryesore e dështimit ishte te qasjet e ndryshme në atë kohë, të PS-së dhe PD-së, për pavarësinë e KQZ-së.
Formalisht u pranua prej të dyja partive aspirata për pavarësinë e KQZ-së, madje u parashikua që kryetari të zgjidhej nga kandidatura të pavarura, gjoja në një proces që siguronte të ishte apartiak. Nga ana tjetër, vendosën që zv/kryetari të ishte përfaqësues i opozitës, duke nënkuptuar që kryetari nuk ishte i pavarur, por i mazhorancës.
Kjo dhe sjellja politike më pas e anëtarëve të KQZ-së, zhbëri aspiratën për pavarësi të institucionit, duke përfunduar në situatën anormale ku ndodhet sot. Sot, me këtë diskutim që po ndërtohet dhe po serviret, është e njëjta situatë.
Është një model që nuk jep asnjë garanci dhe është i dështuar. Për më tepër, formula e zgjedhjes së tyre me balancim politik bie në kundërshtim edhe me vetë marrëveshjen e arritur, e cila parashikon që pas dy procesesh zgjedhore të arrihet një administratë zgjedhore totalisht e pavarur.” – shprehet Gogo.
Duke komentuar propozimet e opozitës për procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, ai thotë se duhet që mazhoranca të bëjë më shumë e të krijojë një frymë besimi, por, nga ana tjetër, nuk mund të pranohet asesi një procedurë që anashkalon parlamentin. “Thelbi i pjesëmarrjes së opozitës në procesin e ndërtimit të KQZ-së, në kontekstin e aktual, duhet të bazohet në marrëveshjen politike, kompromisin dhe në besueshmërinë reciproke, ndërkohë që mazhoranca duhet të bëjë përpjekje maksimale për t’i siguruar brenda kësaj fryme të gjitha garancitë që kërkon opozita. Formula që kanë propozuar, nuk është as më shumë e as më pak, por propozimi që secila palë të çojë militantët e vet në nivelin më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, çka na çon në pikënisje të ciklit të krizave.” – thotë më tej ai.
Një tjetër problem, sipas Gogos, është jetëgjatësia e parashikuar e mandatit të anëtarëve të KQZ-së. Sipas tij, kufizimi i numrit të mandateve, në sistemin e patronazhit politik të ngritur, nuk nxit kandidatura me integritet personal, profesional, e të pavaruara, por do të nxitë militantë partiakë që e shohin këtë moment si një mundësi për t’i shërbyer një pale politike, e prej së cilës do të shpërblehen më pas.
Sipas Gogos, “kriteret përzgjedhëse për kandidatët duhet të jenë më të plota, përtej kritereve formale që parashikon ligji, pra të mund të sigurojnë vlerësime lidhur më profesionalizimin, integritetin përsonal e moral, përvojat e pasura etj. Madje, ato të pikëzohen dhe të parashikohen edhe procdura të qarta e të detajuara, çka mungojnë sot në parlament, në mënyrë që votimi i deputetëve t’i referohet procedurës dhe pikëzimit dhe jo votimit politik në bllok, sipas orientimit partiak. Pikërisht edhe për këtë Këshilli Politik mund të bashkëpunojë me Kuvendin”. Eksperti Gogo thekson se kjo lojë politike me KQZ-në duhet të marrë fund dhe zgjedhja e anëtarëve duhet të lidhet vetëm me integritetin, kapacitetin, vizionin dhe pavarësinë e individëve.
Kristaq Kume: Duhet një formulë që të përfshijë opozitën
Procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të përfshijnë edhe opozitën reale jashtë parlamentit, nëse nuk ndodh kjo, atëherë mazhoranca do të zgjedhë një KQZ tërësisht të kontrolluar prej saj.
Eksperti i çështjeve zgjedhore, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, duke analizuar ngërçin e ri të reformës zgjedhore, i tha gazetës “Fjala” se çështja ka ngecur te procedurat e emërimit të komisionerëve të rinj të KQZ-së, pasi opozita jashtë parlamentit kërkon garancitë e saj që KQZ-ja e re nuk do të dominohet nga mazhoranca në përzgjedhjen e emrave.
Ai mendon se opozita ka të drejtë, por propozimi i saj nuk qëndron plotësisht, pasi e anashkalon Kuvendin. Kume ka një propozim të tij për t’i afruar palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për këtë çështje, e cila rrezikon t’i kthejë në pikën zero gjithë negociatat e kryera në 6 muaj dhe të hedhë poshtë marrëveshjen e arritur në fillim të qershorit.
“Propozimi që bën opozita nuk pranohet nga mazhoranca dhe ky ngërç bën që marrëveshja e arritur të mos zbatohet dot, sepse palët duhet të bien dakord më parë për procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Opozita thotë që jemi për formulën e re, po duam rregullla të zgjedhjes, ku të jemi dhe ne.
Mazhoranc a thotë nëse ju s’e doni këtë formulë, ne vazhdojmë me komisionin parlamentar. Por, unë besoj se duhet të gjendet zgjidhja, ka rrugëzgjidhje që mund të jetë e pranueshme dhe kjo mund të jetë zgjidhja që iu ofrua opozitës kur doli nga Kuvendi për të marrë pjesë në komisionin parlamentar për reformën e zgjedhore. Të vijnë në komision në cilësinë e vëzhguesit, po me të drejtë vetoje në vendimmarrje.” – sqaron Kume.
Sipas tij, dhënia e vetos opozitës jashtëparlamentare për të qenë e pranishme në komisionin përzgjedhës të kandidaturave, do të krijonte mundësinë që asnjë kandidaturë të mos kalojë pa dakordësinë e saj, edhe pse nuk është pjesë e Kuvendit. Sipas Kumes, kjo formulë do ta zgjidhte ngërçin nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, nuk do të anashkalonte Kuvendin.
“Procesi është politik dhe nuk mund të lihet komisioni parlamentar, që nga përbërja është vetëm mazhorancë, të zgjidhte kandidatët”, saktëson ai. Sipas tij, mazhoranca nuk mund të ndërtojë procedura të reja, pa qenë prezente opozita, kjo nuk është normale. Kjo është ekuivalente me faktin që të gjithë anëtarët të jenë të mazhorancës.
Një pikë që nuk është e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për një institucion të rëndësishëm, dhe të bësh një KQZ që ta ketë të gjithin njëri krah, që nesër kjo mazhorancë bie në opozitë dhe e ka në dorë. “Është e domosdoshme, në vlerësimin tim, që në këtë nivel politik që kemi gjëja të bëhet me dakordësi, sepse ndërkombëtarët këtë kanë kërkuar; bëni një reformë me konsensus politik.” Sipas Kumes, mosdakordësimi për këtë pikë do ta bënte marrëveshjen politike të arritur në Këshillin Politik të pavlefshme.
Emërimi i anëtarëve të KQZ-së, çfarë kërkon opozita
Qëndrimi i Opozitës mbi reflektimin në ligj të dakordësisë së arritur mbi çështjen e riformatimit të KQZ-së:
Avokati i Popullit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për të gjitha pozicionet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit përmban afatin, brenda të cilit duhet të dorëzohet shprehja e interesit, adresën postare ku duhet të dorëzohet dhe listën e dokumenteve që duhet të shoqërojnë atë.
Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, një komision i përbërë nga Avokati i Popullit dhe dy komisionerë të Avokatit të Popullit, përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere, si dhe ngre Komisionin Ad-Hoc të Përzgjedhjes, që përbëhet nga: a) 3 përfaqësues të partive të shumicës parlamentare, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse; b) 2 përfaqësues të partive të pakicës parlamentare, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse.
Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes pas zhvillimit të një seance dëgjimore me kandidatët, mund të vendosë të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale te lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota.
Pas përfundimit të listës së kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes ndjek procedurën e mëposhtme për zgjedhjen e kandidatëve:
- a) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për Komisioner, zgjidhen me shumicë votash katër kandidatët më të mirë. Këto katër kandidatura i kalohen dy anëtarëve të pakicës, ku secili prej tyre ka të drejtë të përjashtojë nga një kandidat. Me shumicë votash më pas, njëri nga dy kandidatët e mbetur në garë zgjidhet nga Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes si komisioner.
- b) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për zëvendëskomisioner, dy përfaqësuesit e pakicës përzgjedhin secili nga një kandidat. Zëvendëskomisioner zgjidhet një nga dy kandidatët që ka marrë shumicën e votave në Komisionin Ad Hoc.
- c) Nga lista e kandidateve qe kane aplikuar për Komisionin Rregullator, secili nga anëtarët e Komisionit Ad Hoc ka të drejtën të zgjedh një anëtar.
- d) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për Komisionin e Apelimit dhe Sanksioneve, secili anëtar i Komisionit Ad Hoc ka të drejtën të zgjedhë një anëtar.
Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes përpilon listën finale të kandidatëve të zgjedhur për secilin pozicion dhe ia përcjell Avokatit të Popullit, i cili brenda dy ditëve ia dërgon Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me dokumentet shoqëruese të aplikimit të secilit kandidat të zgjedhur dhe një raporti të detajuar mbi procedurën e ndjekur.
Komisioni përgjegjës parlamentar për çështjet ligjore, bën verifikimin e kandidatëve të përzgjedhur, nëse përmbushin kriteret e parashikuara nga ligji dhe i përcjell listën për miratim, shoqëruar me raportin përkatës seancës plenare, brenda 10 ditëve nga momenti i marrjes së listës.
Kryetari i Kuvendit njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për votimin e anëtarëve të KQZ-së. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me shumicë votash. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, sipas këtij paragrafi, kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes pranë Avokatit të Popullit për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve.
- Lidhur me kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të KQZ-së, propozojmë të ruhet kohëzgjatja e dakordësuar një herë mes palëve politike në Shqipëri dhe që është aktualisht në fuqi, si më poshtë vijon:
- a) Komisioneri dhe zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.
- b) Anëtarët e Rregullatorit dhe KAS të kenë mandat 6-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.
III. Lidhur me shumicën për vendimmarrje, secila palë duhet të ruajë garancitë aktuale dhe të mos zhbëhet një standard i arritur. Konkretisht, për vendimet që kanë impakt në zgjedhje dhe në rregullat e barabrata të garës elektorale, duhet të ruhet vendimmarrja me shumicë të cilësuar që është një garanci që ekziston aktualisht në Kodin Zgjedhor. Konkretisht, në Kodin Zgjedhor duhet të ruhet formulimi:
- Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 4 anëtarë të KQZ-së, sipas rastit të Rregullatorit apo të KAS, vendimet lidhur me:
- a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore;
- b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
- c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi;
ç) shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;
- d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;
- dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së;
- e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;
ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore;
- f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor.
Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.
la.mi/Fjala.al