Partia Përparimtare Serbe e drejtuar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka fituar sërish zgjedhjet duke marrë kështu mandatin e tretë.
Mediat serbe raportojnë se Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiçit ka triumfuar me 62,5 % të votave.
Ndërsa e dyta më e votuar ka dalë Partia e Socialiste e Serbisë (SPS) e ministrit të jashtëm Ivica Daçiç me 10,7 %.
Në rezultatet e marra nga votimi del që në Kuvendin e Serbisë SNS e Vuçiçit do të ketë 180 deputetë, ndërsa Daçiç 30 deputetë.
Në lidhje me këto rezultate presidenti serb u shpreh se kurrë nuk e ka ndjerë kaq shumë një fitore.
“Në politikë jam qe një kohë të gjatë, por kurrë nuk e kam përjetuar një moment të tillë. Sonte kam fituar besim të madh nga populli në kushte kur pak njerëz kanë besuar. Morëm një paralajmërim të madh nga njerëzit se duhet të jemi më të përgjegjshëm, të kujdesshëm dhe të zellshëm,”-ka thënë Vuçiç.
Por krahas Vuçiç ka qenë të shumta reagimet nga emra të njohur të politikës të cilët kanë komentuar zgjedhjet në Serbi, mes të cilëve është edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj.
Më poshtë po rendisim disa prej reagimeve:
Gent Cakaj (Ministri i Jashtëm)– Të dua Luginë ❤??
Viktor Orban- Urime Alexandar! Urime SNS.
Hashim Thaçi (Presidenti Kosovës)- Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje. Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”,- ka shkruar Thaçi.
Oliver Varhely (komisionari evropian)- Mezi pres që të punojë me qeverinë e re kur të formohet. Jemi të përkushtuar për ta ndihmuar Serbinë të ecë për para drejt pranimit në BE.
Cedomir Jovanoviç (Politikani liberal serb)-E kam ditur se kjo do të ndodhë gjatë zgjedhjeve. Nuk jam i befasuar. Vuçiç i ka fituar këto zgjedhje por politika është mposhtur. Serbia ka përpara kohë të vështira, të cilat janë vështirësuar edhe më shumë me këto rezultate.
Shqiprim Arifi (Kryetari i Komunës së Preshevës)- Kemi siguruar 4 mandate. Jemi të gëzuar tepër, pasi kemi mundur që të bëjmë unifikimin. Duke arritur një sukses që ka qenë teorikisht i mundur. Ne menduam se do arrinim 3, por jemi drejt mandatit të 4. Ky është sukses, pasi kemi mundur që përmes 4 deputetëve të jemi në mesin e 5 partive kryesore të parlamentit të Serbisë. Ka qenë procesi i unifikimit në mënyrë që të garohet.
Unifikimi ka qenë me e rëndë se dita e djeshme. Republika e Kosovës, Lugina por dhe republika e Shqipërisë, është mundur që të unifikohemi. Ka disa arsye se pse kemi arritur listën, është fakti se me modesti e them, se përfaqësoj të rinjtë e Luginës së Preshevës. Kjo ka qenë faktor për arritjen e marrëveshjes së tillë. Po të kesh interesa për kombin, vjen dhe unifikimi. Ne tejkaluam këto interesa të shumë partive.
Kryediplamti Cakaj ka qenë mediator në këtë proces. Mbi interesat partiake, s’ka mbajtur anë nga njëra palë apo tjetra. Ne së bashku kemi unifikuar koalicionin. Kemi marrë një mbështetje të fuqishme nga shqiptarët, kryesisht nga ata të Komunës së Preshevës. Ata e kanë përqafuar këtë ide. Qytetarët e kanë përshëndetur këtë koalicion. Arritja e partive shqiptare në zgjedhjet në Serbi është më surprizë për Vuçiç se sa rezultati për të. Ai preku temën në fjalë dhe për të ishte befasi. Kjo ishte arritje./Bl.Ba/Fjala.al