Nga Leonard Veizi
Mbështetur mbi librin “Mid’hat Frashëri, ministër fuqiplotë Athinë (1923-1926)” e studiuesve Luan Malltezi e Sherif Delvina
Dhjetë vjet pasi Shqipëria kishte fituar pavarësinë, ishin intensifikuar bisedimet për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Greqinë fqinje. Nga të dyja anët e kufirit ishin shpeshtuar telegramet ku kërkoheshin hapjet e konsullatave përkatëse dhe emërimi i drejtuesve të parë diplomatikë. Në krye të qeverisë shqiptare të asaj kohe ishte Ahmet Zogu, ndërsa ministër i Punëve të Jashtme, Pandeli Vangjeli. Në 3 shkurt 1923, Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare njofton homologen e Greqisë për akreditimin në Athinë të Mid’hat Frashërit si i dërguar me mision special i qeverisë shqiptare. Mid’hat Frashëri në atë kohë sapo kishte lënë postin e ministrit fuqiplotë në Uashington dhe ishte në pritje të një emërimi të ri diplomatik, kur në dorën e tij mbërrin një telegram i ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme ku thuhej: “Kam nderin t’ju lajmoj se Këshilli Ministruer, me vendimin e tij Nr. 8, më 9 janar 1923 përfundoi dërgimin e Zotni suaj n’Athinë me mision special me qëllim qi të hapni marrëdhëniet dhiplomatike midis Shqipënis dhe Greqis”. Pak ditë më vonë Mid’hat Frashëri i përgjigjet pozitivisht propozimit të ardhur nga kabineti i kundërshtarit të tij politik, Ahmet Zogut. Por duket se mbreti i ardhshëm i shqiptarëve kishte vlerësuar tek Mid’hat Frashëri jo vetëm shpirtin rebel e kundërshtues, por edhe inteligjencën dhe interesin e lartë në mbrojtje të kombit. Në një telegram të nisur nga ai më 13 shkurt 1923 thuhet: “Kam nderin të ju them, se me gëzim të math e pranoj Misionin që më ngarkoni për në Athinë, duke ju falënderuar për besimin që më rëfeni dhe duke ju siguruar, se vullneti s’më ka për të munguar në mbarim të kësaj detyre”. Pasi është njohur me këtë fakt, ministri i Jashëm grek, Aleksandër, shprehet se qeveria e Greqisë ishte e gatshme ta pranonte kërkesën e qeverisë shqiptare. “Unë jam i bindur që vendosja e marrëdhënieve diplomatike krijon një periudhë të re bashkëpunimi të ngushtë dhe të leverdishëm në interes të Shqipërisë dhe Greqisë”, thuhet në telegramin e ministrit Aleksandër. Më 27 shkurt të vitit 1923, Mid’hat Frashëri dorëzoi letrat kredenciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, pranë ministrit të asaj kohe, Aleksandër. Sipas shtypit të kohës, data 3 mars 1923 mbahet mend si dita e parë kur flamuri shqiptar u valëvit në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ky ishte flamuri që ishte vendosur në makinën e diplomatit Mid’hat Frashëri, i cili bëri disa vizita në disa institucione qendrore të qeverisë greke dhe në ambasadat e tjera të huaja të akredituara në Athinë.
Mbreti Jorgo, audiencë me ambasadorin shqiptar
Më 20 mars të vitit 1923, i dërguari i Shqipërisë, Mid’hat Frashëri, u prit në një audiencë të veçantë nga mbreti 33-vjeçar i Greqisë, Jorgo II. Gjatë bisedës mbreti jo vetëm ka treguar interes për forcimin e miqësisë me Shqipërinë, por është shprehur se kishte dëshirë të mësonte dhe gjuhën shqipe. Ndërsa më 22 mars 1923 qeveria shqiptare bën të njohur pëlqimin e saj që z. Panurjas të emërohet si ministër fuqiplotë i Greqisë në Tiranë. Ngjarja e rëndësishme e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinje është pasqyruar gjerësisht edhe nga gazetat e asaj kohe për të dy vendet.
Legata shqiptare nën vrojtimin e spiunazhit grek
Pasi ka marrë informacione të pakundërshtueshme, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, Mid’hat Frashëri, njofton Tiranën zyrtare se legata shqiptare është vënë në vrojtimin dhe përgjimin e shërbimit të fshehtë grek. “Kam kohë që kam vërejtur se rreth legatës s’ime sillenë spiunë për të ndiekurë cilët hyjnë e dalin. Kam dhe mësuar se një shërbim espiunazhi ekzersohet edhe në legatat e tjera”, raporton ministri fuqiplotë për Ministrinë e Jashtme. Por, në një takim që ai ka pasur me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, ky i fundit e ka mohuar një fakt të tillë, duke u shprehur se një shërbim i tillë nuk ekzistonte në Greqi. Gjithsesi, intensifikimi i vrojtimit të legatës Shqiptare erdhi pas një vargu notash proteste të dërguara nga ministri fuqiplotë, Mid’hat Frashëri, kundër terrorit që ushtrohej nga qarqet greke mbi popullsinë çame, mbi shkaqet që detyronin shqiptarët e Epirit të iknin nga vendi i tyre dhe pas një kërkese të ardhur nga pala greke për rishikimin e kufirit me Korçën, gjë që më pas u anulua.
Shqiptarët pajisen me certifikata kombëtare
Çështja e parë me të cilën u përball kryediplomati shqiptar i Athinës, Mid’hat Frashëri, ishte ajo e pajisjes së shqiptarëve që jetonin në shtetin fqinj me certifikata kombëtare, gjë që pa dyshim deri në ato momente ishte penguar rregullisht nga qarqet greke. Në telegramet e këmbyera të asaj kohe, ministri i Jashtëm shqiptar, Pandeli Vangjeli, i kërkon Mid’hat Frashërit të jetë aktiv në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. “Sikundër se e dini, në Greqi ndodhen shumë shqiptarë orgjinarë nga viset e Shqipërisë së 1913-s. Shumic’e këtyreve kanë lënë vendet e tyre nga shkaku i ngjarjeve të 1914-s, por këta janë nënshtetas shqiptarë. Pra është e domosdoshme që këtyre t’u jepet le Certifikat de Nacionalitet që kësisoj të drejtat e tyre të mos merren ndër këmbë. Kështu dhe Turqia ju njojti pa as një kundërshtim nënshtetësinë shqiptare gjithë shqiptarëve që banojnë në Turqi dhe janë nga viset e Shqipërisë të 1913-ës”. Në një gazetë të kohës, të titulluar “Shqiptari i Amerikës” dhe që botohej në Korçë, thuhej se mbërritja në Greqi e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë është pritur me gëzim të madh, pasi në këtë mënyrë ata shpëtuan nga grabitjet që u bënte pala greke, duke shtuar se kishte dhe detyrimet artificiale për të nxjerrë pasaportat. “Z. Ministër u zu nga puna dhe po vepron duke dhënë pasaporta dhe duke visuar të tilla dhe duke dhënë certifikata nënshtetësie: kështu u mbyll përgjithmonë fabrika që u jepte “pistopiotika” të rrema dhe i milte që të rrojnë dy a tri të papunëshme nga djersa e punëtorëve”, shkruhej në këtë gazetë.
Shqiptarët vuajnë në burgjet greke
Në një informacion të vazhdueshëm mes Mid’hat Frashërit dhe Ministrisë së Jashtme, qeveria shqiptare vihet në dijeni për kushtet e rënda në të cilën ndodheshin të burgosurit shqiptarë në Greqi. Në një telegram Mid’hat Frashëri shkruan se nga ana e autoriteteve greke janë dënuar disa figura të njohura të popullsisë çame. Xhevat Merushi, Ymer bej Çapari, Musa Demi, Mufti Mehmet Zeqeria dhe Haki Musa janë dënuar apo akuzuar për vetë faktin si propagandistë shqiptarë. Në këtë mënyrë zyrtarët e Athinës kërkonin t’u mbyllnin gojën shumë prej iniciuesve të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve shtetërorë. Një pjesë e tyre ishin përfshirë në luftimet e Greqisë me Turqinë. Në këto kushte Mid’hat Frashëri merr iniciativën për t’i dërguar një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, ku i kërkohej lirimi i 20 të burgosurve shqiptarë. Në letër thuhet: “Ashtu siç do të vërë re Shkëlqesia Juaj, pjesa më e madhe e këtyre të burgosurve gjenden në burgje qysh më 1912-ën; ndonjë prej tyre është paditur për krime të kryera përpara amnistisë së shpallur për krimet që kanë të bëjnë me luftën greko-turke”. Mid’hat Frashëri i argumenton ministrit të Jashtëm grek se, meqenëse të dënuarit ndodhen të burgosur prej shumë vitesh, dhe se e kishin kryer pjesën më të madhe të dënimit, ishin bërë të denjë për të fituar mëshirën e qeverisë greke. Sipas Mid’hat Frashërit, akti i lirimit të tyre do të tregonte shpirtmadhësinë e shtetit grek ndaj të burgosurve shqiptarë dhe kjo do të kontribuonte më shumë për të forcuar lidhjet e miqësisë që i bashkonin të dy popujt.
Athina nuk njeh origjinën shqiptare
Një vit pas marrjes së detyrës, më 23 janar 1924, Mid’hat Frashëri i shkruan me urgjencë Tiranës zyrtare për ta njohur me një fakt të ri që bëhet i ditur nga qarqet e qeverisë greke. Është pikërisht termi “origine albanaise”, ku qeveria greke kërkon të njohë si shqiptarë vetëm ata që kanë lindur në Shqipëri. Me anë të këtij termi qeveria greke nuk donte të njihte ata shqiptarë që kishin lindur dhe jetonin jashtë kufijve shqiptarë, madje kërkonte t’i shpërngulte ata në Turqi. Për të arritur këtë synim, qeveria greke u mbështet te Konferenca e Lozanës, e cila synonte thjesht të bënte dallimin mes myslimanëve të racës shqiptare dhe myslimanëve të racës turke, si dhe t’i dallonte ortodoksët shqiptarë me banim në Turqi nga ortodoksët apo të krishterët e tjerë. Në këtë mënyrë pjesa tjetër e shqiptarëve kishte rrezik të konsiderohej thjesht si myslimane dhe të dëbohej nga territori grek. Mid’hat Frashëri i dërgon një notë proteste kryetarit të Komisionit Mikst të Athinës për këtë çështje, ku i shpjegon se lufta është bërë midis grekëve dhe turqve dhe jo midis myslimanëve dhe të krishterëve e, si rrjedhim, bëhet fjalë për racën dhe jo për fenë. “Pra çdo përmendje e origjinës shqiptare duhet marrë me kuptimin individ me origjinë nga raca shqiptare”, shpjegoi ndër të tjera Mid’hat Frashëri, i cili më pas i bëri të ditur kryetarit të Komisionit Mikst se dallimi midis turqve dhe shqiptarëve u bë i nevojshëm nga përdorimi i termit të përgjithshëm mysliman, pra ishte e qartë që duhej bërë dallimi mes fesë dhe racës. “Është e vështirë të pranohet që në një traktat midis Turqisë dhe Greqisë të jetë pretenduar të vendoset për fatin e myslimanëve shqiptarë, e në rast se do të kishte qenë synimi i Greqisë të dëbonte nga territori i saj shqiptarët e fesë myslimane, kjo duhej të ishte bërë objekt i një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe jo midis qeverisë greke dhe Ankarasë”, shprehet Mid’hat Frashëri në notën e tij të protestës.
Komisioni që i detyronte shqiptarët të ktheheshin në grekë
Një Komision i quajtur “Mikst” vepronte mes Athinës dhe Ankarasë, në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Komisioni në fjalë, mes të tjerash, merrej dhe me të drejtat e popullsisë greke e turke në të dyja anët e kufirit, por në kurriz të popullsisë shqiptare. Fushata kishte për qëllim shpërnguljen e myslimanëve shqiptarë në brendësi të shtetit turk, duke i emërtuar ata thjesht si popullsi me fe të kundërt që nuk kishte pse të bashkëjetonte me komunitetin ortodoks grek. Por ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, Mid’hat Frashëri, denoncoi pranë kryetarit të Komisionit Mikst punën e nënkomisioneve që vepruan në Selanik, Allosonë e Kozanë, duke e cilësuar atë si abuzive, duke i detyruar subjektet shqiptare myslimane të ktheheshin në subjekte greke, dhe duke mos pranuar të japë certifikata mosndërrimi. “Lutemi të jepni urdhër urgjent që të lëshojnë certifikata mosndërrimi pa detyruar të kthejnë origjinën e tyre nga shqiptarë në grekë”. Por Ministria e Jashtme e Greqisë shprehet se bëhej fjalë për një keqkuptim, pasi nënkomisionet nuk kishin detyruar askënd që të ndërronte kombësinë. Por Mid’hat Frashëri insiston se Komisioni Mikst duhet të lëshojë certifikata moskëmbimi për popullsinë shqiptare, me qëllim normalizimin e situatës së saj. “Besoj se është detyra ime t’i lutem Komisionit Mikst të rikthehet në vendimin e tij dhe të lëshojë këto certifikata. Kjo nuk i krijon asnjë punë komisionit, por i bën një shërbim të madh shqiptarëve”, thuhet në notën që Mid’hat Frashëri i dërgonte kryetarit të Komisionit Mikst, z. Ekstrad.
Relacioni/ Përndiqen shqiptarët nga Epiri dhe Maqedonia
Një relacion i nisur nga Athina për qeverinë e Tiranës, sqaron mbi problemet që haste popullsia shqiptare në territorin shtetëror grek. Ministri Fuqiplotë në Athinë i kryeministrit Ahmet Zogu në atë kohë, Mid’hat Frashëri, shkruante se “elementi shqiptar në Greqi ndahej në: element ortodoks dhe mysliman”. Për ortodoksët Greqia kishte tendencë të plotë që t’i cilësonte ata si grekër, meqenëse, sipas mentalitetit helen, një ortodoks nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një grek. Mid’hat Frashëri relaton se shqiptarë myslimanë gjendeshin në Janinë, Konicë e Voshtinë. Ndërsa si popullsi kompakte e dytë, ishte në Prefekturën e Follorinës dhe Kosturit me 37 katunde dhe 2 qytete e afërsisht me 35 mijë njerëz. Por kishte edhe popullsi shqiptare të shpërndarë në shumë qytete si: Selanik, Karaferi, Vodena, Niusta, Katerinë, Allasojë, e Kavallë. Sipas përllogaritjeve, në atë kohë duhet të ishin gati 100 mijë shqiptarë në të gjithë këtë shtrirje. Mid’hat Frashëri relaton për qeverinë e Tiranës se, që të nesërmen e Luftës Ballkanike, politika helnike u shfaq hapur për të përndjekur dhe përzënë elementët myslimanë shqiptarë nga Epiri dhe Maqedonia. Sipas tij, realizimi i kësaj politike të mbrapshtë, filloi me anë të çetave të hajdutëve, si dhe të sjelljeve të ashpra të autoriteteve civile e ushtarake greke. Mid’hat Frashëri shkruante se kjo politikë mori një ngjyrë të re dhe fare militante, pas vitit 1920.
Zëvendësimi i çamëve myslimanë me shqiptarë ortodoksë
Mid’hat Frashëri informon qeverinë e Tiranës se ngjarjet në Çamëri bëhen me qëllim për ta detyruar popullsinë të largohet nga vendi. Në një telegram për Minitrinë e Jashtme shqiptare, dërguar nga Athina më 7 korrik 1923, thuhet: “Mua më duketë se këto bëhen për të terrorizuar shqiptarët e Çamërisë që të ikin dhe të zbrazet dheu për refugjatët. Këtë ma forcon lajmëja e botuarë në gazetët “Partis”, ku thuhetë se deputeti Bakallbashi po vete n’Epir për instalimin e refugjatëve me fuqi diktatoriale”. Duke bërë të ditur zyrtarisht fushatën greke për shpopullimin dhe shpronësimin e popullsisë çame nga trojet e tyre, diplomati shqiptar i Athinës i sugjeron Ministrisë së Jashtme që për këtë të informojë Gjenevën. Njëkohësisht një komision prej katër shqiptarësh të Çamërisë, në atë kohë mori një takim me krerët më të lartë të shtetit grek. Nga ana tjetër, përfaqësues nga krahina të ndryshme të Çamërisë kërkuan nga qeveria shqiptare ndërhyrje pranë qeverisë turke për të mos i pranuar çamët në Turqi. Në letrën e kësaj përfaqësie thuhet: “Qeveria greke, pas nomit të ndrimit ndaloj shitjen e niqasjen nga gjithë muslimanët pa ndarë shqiptarët të cilët s’janë në këtë nom. Kërkuam nga qeverria përjashtimit t’onë nga ky nom me që jemi shqiptarë e për këtë duhet të jemi të lirë si dhe të tjerët”. Përfaqësuesit çamë në letrën e tyre i shpjegojnë qeverisë së Tiranës se qeveria greke fillimisht dha urdhër të deklarohen zyrtarisht ata që kanë origjinë çame dhe që flasin vetëm shqip. Pas kësaj çamët janë dyndur për të deklaruar origjinën e tyre, por letra bën të ditur se myftiu i Filatit, Mehmet Zeqiraj dhe ish-myftiu i Gumenicës, Halil Hilmiu, gënjyen popullin duke i thënë që të mos tregonin se ishin shqiptarë, pasi ata që do të deklaronin në këtë mënyrë do të mbeteshin në Greqi dhe do të digjeshin prej grekëve, ndërsa të tjerët do të shkonin në Turqi e do të rregulloheshin një herë e mirë. Përfaqësuesit çamë përcollën pranë qeverisë shqiptare shqetësimin e tyre se e gjithë kjo propagandë bëhej vetëm e vetëm për të përzënë popullsinë çame nga trojet e veta.
Çamëve të Greqisë u ndalohet votimi
Në një letër që Mid’hat Frashëri i dërgon Mehmet beut, i bën të ditur grabitjet e pasurisë së çamëve nga qeveria greke, situatën e mjeruar të kësaj popullsie që shkonte në Turqi, si dhe vrasjet që bënin serbët në Kosovë. Kjo letër e arkivuar në Arkivin Qendror të Shtetit, është nisur nga Athina më 9 nëntor 1923. “Këtu, sikundër që të thashë, kemi dy çështje. 1-Pasunin që po e grabit dhe e konfiskon qeveria (nën emër ekspoptim). 2-Muslimanët (çamër etj) që i përzijn me Turqit dhe i bën që të vdesin”. Sipas kësaj letre, gjendja e nënshtetasve shqiptarë ose grekë, ishte bërë gati tragjike me instalimin në mënyrë të dhunëshme të refugjatëve, me shtetësimin e drithit dhe ndalimin e shitblerjes. “tani po mesoj se çamët po i ndalojnë nga votimi për zgjedhjet”, informon Mid’hat Frashëri në letrën e tij. Gjithashtu, ai bën të ditur që edhe shqiptarët në Serbi ishin të ekspozuar çdo ditë e më shumë ndaj terrori. Madje, Mid’hat Frashëri sugjeron që opinioni publik në Angli duhet të dijë se ç’bëhet në Kosovë.
Xhandërmaria greke grabit me urdhër pasuritë çame
Dy muaj më vonë, dhe pikërisht në datë 9 janar 1924, ministri fuqiplotë, Mid’hat Frashëri, informon sërish Tiranën zyrtare për grabitjet e pasurisë së çamëve, arrestimin dhe keqtrajtimin e tyre nga xhandërmaria greke dhe vendosjen në pronat e tyre të grekëve të kthyer nga Turqia etj. Në dokumentet orgjinale sipër telegramit dallohen fjalët: “Urgent dhe importent”. Madje, Mid’hat Frashëri në këtë telegram i sugjeron ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Ilias Vrionit: “Do të qe mirë sikur të shkruhesh nji herë në Stamboll ose në Angora dhe të vinte këtu nji urdhrë kategorik; se ndryshe gjithë Çamët do të eksponohenë në emigrim dhe në vdekje, nëpër vaporët ose skelet e Tyrqisë”.
Tokat e minoritetit grek në Shqipëri, për çamët e dëbuar
Në fillim të marsit të vitit 1924 Mid’hat Frashëri i sugjeron qeverisë shqiptare ngritjen e një komisioni qeveritar për të vendosur popullsinë çame në Shqipëri. Në një telegram për ministrin e Punëve të Jashtme, Ilias Vrionin, ministri fuqiplotë, Mid’hat Frashëri, thotë se shqiptarët e Greqisë (në zonat e Çamërisë, Kosturit e Follorinës) arrinin numrin prej 60 mijë frymësh. Ai parashtron vështirësitë që kanë shqiptarët për të emigruar në Turqi dhe se një gjë e tillë ishte fort e rëndë për ta. Mid’hat Frashëri shprehet se duke parë këto probleme, besonte se shqiptarët e Greqisë do të vinin më së shumti në Shqipëri, pasi i tërhiqte afërsia e kufirit dhe interesi i përbashkët i të njëjtit gjak. “Një emigrim i tillë do të formojë nji vështirësi të madhe ekonomike dhe politike për Shqipërinë, në qoftë se nuk parashifen konsekuencat e s’mirren masat e duhura”. Ndërsa në 8 maj 1924 Mid’hat Frashëri e njofton qeverinë e Tiranës se prefekti i Prevezës dhe hajdutë të tjerë me emër në Greqi, po terrorizonin popullsinë çame. Me këtë rast ai i sugjeroi Tiranës zyrtare të deklaronte se Shqipëria do t’i pranonte çamët e dëbuar nga autoritetet greke dhe do t’i vendoste në tokat e minoritetit grek në Shqipëri.
Dhuna i detyron shqiptarët të mohojnë kombësinë
Mid’hat Frashëri, në një telegram të tijin, dërguar për Ministrinë së Jashtme shqiptare, nga Athina, në 8 mars 1924, e cilëson si “të lig” një raport të Komisionit Mikst (një komision i përbashkët turko-grek) të paraqitur në Lidhjen e Kombeve. Ai i cilëson si të pavërteta deklaratat që ky komision ka paraqitur në Lidhje, pasi pikërisht këto deklarata bënin fjalë për mohimin e karakterit shqiptar të popullsisë çame. Mid’hat Frashëri thotë se këto deklarata mohuese janë bërë nën presionin dhe dhunën e autoriteteve greke. “Fundi i punës do të rrefejë ç’fat i pret shqiptarët e Çamërisë. Po, sido që të jetë, mosqenia e nji Konsulli Shqipëtar në Janinë ose Korfuz, si dhe mungesa e tij në Selanik, na shkakton nji dëm moral dhe material të paçmueshëm. Mbi këtë të metë shtoni edhe të mospasurët relata zyrtare me Tyrqinë”, shkruan ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë.
Grekët kërkojnë shtrirjen e influencës në Korçë e Gjirokastër
Dyshimet e Mid’hat Frashërit se autoritetet greke kishin një marrëveshje me ato turke për të shkëmbyer rreth 10 mijë shqiptarë ortodoksë të Stambollit me shqiptarë myslimanë të Çamërisë, doli se ishin të vërteta. Në një telegram të datës 1 shtator, Mid’hat Frashëri, mes të tjerash, shkruan: “Greqia është marrë vesh me Tyrqit që edhe ata në Çamëri të ngrenë shqiptarët myslimanë. Të heqin në Greqi nj’a 10.000 shqiptarë ortodoksë, t’u japin pak tokë etj., dhe në këtë mënyrë, të shtojnë influencën e tyre në Korçë dhe Gjirokastër”. Megjithatë, qeveria greke nuk iu mbajt asnjëherë deklaratave të dhëna para Këshillit të Lidhjes së Kombeve për heqjen e kufizimeve dhe të masave robëruese ndaj shqiptarëve myslimanë.