Pandemia COVID-19 do të japë një ndikim të fortë negativ në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2020. Kjo goditje është e dyta në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit, pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, tërmet i cili vlerësohet të ketë shkaktuar dëme dhe humbje ekonomike në masën 7,5% të PBB-së. Ringritja pritet në vitin 2021. Ky është parashikimi i Bankës së Shqipërisë në lidhje me të ardhmen ekonomike të vendit. Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë të këtij viti, Banka e Shqipërisë bën të ditur se emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga përhapja e COVID-19 dhe masat autoriteteve publike për kontrollimin e saj, në Shqipëri dhe në botë, përbëjnë një sfidë për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, për shëndetin e financave të bizneseve dhe familjeve, si dhe për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike të vendit, në afatin e mesëm dhe të gjatë. Masat e distancimit social dhe rritja e pasigurisë kanë sjellë një ngadalësim të përgjithshëm të thuajse gjithë komponentëve të kërkesës agregate: eksportit të mallrave e shërbimeve, konsumit familjar dhe investimeve. Paralelisht me to, mbyllja e përkohshme e disa aktiviteteve të prodhimit e shërbimit, ka sjellë një rënie të mëtejshme të prodhimit. “Kjo goditje e dyfishtë, kërkese dhe oferte, do të pasqyrohet në rënie të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020. Më tej, rënia e prodhimit pritet të shoqërohet me rënie të punësimit, rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave familjare dhe vështirësi financiare për bizneset. Dinamika afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit ekonomik në Shqipëri, sikundër dhe në botë, do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë. Në skenarin pozitiv, atë të një reduktimi gradual të masave të distancimit social gjatë tremujorit të dytë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021.” – thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Sipas saj, ky skenar parashikon një normë inflacioni relativisht të qëndrueshme gjatë vitit 2020 dhe një rritje graduale të saj drejt objektivit në dy vitet pasuese. Në këtë skenar, pandemia do të lërë gjurmë të dukshme, por kalimtare, në ekonominë dhe financat e vendit. Mbi të gjitha, ajo nuk do t’i cenojë ekuilibrat ekonomikë e financiarë dhe trendet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit. Nga ana tjetër, një zgjatje potenciale e pandemisë, përtej tremujorit të dytë, nënkupton dhe një ndikim proporcionalisht më të lartë negativ në treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit. “Objektivi primar i politikave publike, si dhe i reagimit të sektorit privat, duhet të jetë marrja e masave për përballimin e emergjencës dhe krijimi i premisave për rekuperimin sa më të shpejtë të rritjes ekonomike në të ardhmen. Kjo do të kërkojë, së pari, ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit dhe, së dyti, kufizimin e dëmeve mbi kapacitetet prodhuese të vendit.” – thuhet në raport. Banka sugjeron alokimin e fondeve të nevojshme për përballimin e emergjencës shëndetësore, ndihma sociale për familjet e prekura dhe në nevojë, si dhe masat fiskale për përmirësimin e gjendjes së likuiditetit të bizneseve, si masa të nevojshme për adresimin e situatës. “Rritja e borxhit publik është një kosto e pranueshme për ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Biznesi privat duhet të jetë fleksibël në adoptimin e modeleve të reja të biznesit, i kujdesshëm në administrimin e situatës së likuiditetit, si dhe largpamës në një ndarje të drejtë të kostove, në interes të ruajtjes së zinxhirëve të prodhimit e shërbimit”, – thotë Banka e Shqipërisë./En.Br./Fjala.al
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H