Rozafa Shpuza: Krijimet e dobëta, më vjen të ulërij nga përdhunimi që i bëhet poezisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fotografia dhe poezia që krijoj kanë një lidhje të çuditshme, një lloj varësie emocionale, në qasje të baticave dhe zbaticave pa të cilat deti nuk do të ekzistonte

Nga Leonard Veizi

Ndjesia me të cilën ka lindur dhe e ka marrë me vete kudo, që prej çastit që është ndërgjegjësuar, nuk mund të zhbëhet. Nëse ka lindur shkodrane, e tillë do të jetë deri në fund. E çlirët, jo statike, kontraverse me dhe humor të rrjedhshëm. Gegërishtja e saj muzikale i ndihet kudo, në vargjet e shprehura apo në prozat e shkruara. Dhe nuk ka rëndësi nëse një pjesë të jetës e ka kaluar në Tiranë, ashtu siç ndoshta mund ta kalonte në Romë, Paris apo Nju-Jork. Në të gjitha rastet ajo do të mbetej një veç Rozafë prej Shkodre…

…Poete, piktore e fotografe. Ajo mund të jetë gjithçka, po t’i përmbahemi shprehjes aq shumë urbane “Me qen shkodran, t’tana i ban”. Nuk ka drojë, nuk ka emocione negative dhe as mëdyshet nëse në kokën e saj ka lindur diçka imagjinare që kërkon të kthehet në realitet të prekshëm. Krijimtaria e saj është spontane, e ajo thotë se i lind krejt natyrshëm. E ndërsa ka plane të reja që pret t’i realizojë, Rozafa Shpuza ndan me lexuesit e gazetës “Fjala” disa ide të saj që kanë lindur e kanë marrë jetë pikërisht në vendin e misterit të legjendës që quhej e quhet Shkodra:

Me emrin Rozafa, e lindur në Shkodër. Sa e lidhur jeni me qytetin tuaj?

Kam ndjesinë se për çdokënd emri është çelësi që përcakton fatin e jetës. Unë u ngjiza mes tinguj  jaresh, sharm luleborash, sekrete arkapijash e, çka është më sublimja, mes misterit të një legjende prej kah e ka amën Shkodra.

Im atë më pagëzoi me këtë emër e unë ndihem mirë që jam Rozafa e parë në Shkodër, mandej filluan ta përdorin këtë emër edhe të tjerë prindër për vajzat e tyre.

Anipse kam 25 vjet që jetoj në Tiranë, prore ndihem si e huaj në atë qytet, se shpirtin e kam në Shkodër. Shtëpinë e vjetër në Shkodër e kam shndërruar në një galeri arti dhe ëndërroj që ajo të bëhet strehë për artistët, kudo qofshin nëpër botë.

Poete apo fotografe, ku është shtrati që ju qëndroni më mirë?

Nuk do ta quaja shtrat, se unë jam tepër impulsive si tip dhe asnjëherë s’e kam menduar se arti që bëj mund të shtriqet në një vend të rehatshëm.

Krijimet e mia janë spontane, lindin krejt natyrshëm, lindin teksa udhëtoj, teksa pi një kafe me cigare te lokali i lagjes, apo teksa shoh një film të mirë. Fotografia dhe poezia që krijoj kanë një lidhje të çuditshme, një lloj varësie emocionale, në qasje të baticave dhe zbaticave pa të cilat deti nuk do të ekzistonte.

Cila është tematika e fotove të tua, jeni më shumë te foto-lajmi apo te fotografia artistike?

Prirem më së shumti drejt fotografisë së rrugës, se më pëlqen të fiksoj karaktere në përditshmërinë e tyre, ashtu siç janë, pa truke apo zbukurime kallpe. Qysh kur kam filluar të merrem me fotografi, udhëtoj shumë. Rrugëtimi është frymë për mua, e kësisoj fotografoj, fotografoj e prore fotografoj, duke fiksuar të veçantën e personazheve të vendeve ku shkoj.

Lexo edhe :  Nga dritat e skenës nën mjegullën e internimit, historia e valltares Adivije Alibali

Pandemia dhe izolimi, çfarë të reje solli kjo situatë e pazakontë në artin tuaj?

Lajmet e kobshme që vinin me nji intensitet të frigshëm nga Italia fqinje, ishin paralajmërim për nji situatë tejet ekstreme. E nesërmja e secilit ishte e pasigurt. Askush nuk e dinte cakun se deri kur humanët do t’i rezistonin këtij armiku të padukshëm. Ankthi, frika, pasiguria për mbijetesë u ulën këmbëkryq nëpër qytete, të cilat heshtën, sikur të mos kishin gumëzhitë kurrë më parë.

Ndoshta instinkti për të kundërvepruar mbi diçka fatale e të padukshme më bëri që, për herë të parë në jetë, të kapja bojërat dhe t’i hedh krejt shkujdesur mbi telajo. Ishte si një lloj dufi, një lloj reagimi ndaj asaj që po ndodhte, një lloj mënyre për t’u shprehur spontanisht, jo me vargje apo fotografi, siç isha mësuar të shprehesha deri më tash.

Qysh nga fundi i marsit kam derdhur imagjinatën në më shumë se 15 telajo. Në të shumtën e herëve, kam pikturuar dy telajo njiherësh, ngaqë shfrimi i emocioneve ishte kaq kaotik, sa ma diktonte  diçka të tillë. Teksa rrugët ishin të zbrazuna dhe në parkun para shpisë ndiheshin veç cicërima zogjsh, ballkoni u bë studioja ime. Nuk di sa ka me zgjatë kjo ndjesi, veç di se riti i të hedhurit të bojërave mbi telajo më ka dhënë një adrenalinë të mrekullueshme.

Pjesëmarrëse në shumë mitingje poetike dhe fituese çmimesh, sa të nevojshme janë këto organizime për njerëzit që merren me letra?

Është e vërtetë që marr pjesë në shumë tubime poetike. Prirja ime në jetë është të shemb mure dhe të ndërtoj ura, prandaj këto tubime janë mënyrë më e mirë për të njohur njerëz, për të parë vende të ndryshme, për të shkëmbyer eksperienca krijimesh. E admiroj dëshirën e mirë të atyre që organizojnë të tilla veprimtari artistike, se poezia është art i brishtë dhe do patjetër përkrahje.

Në Shqipëri ka shumë njerëz që merren me poezi. A është ajo në nivelet e dëshiruara?

Shpesh gjendem para krijimeve poetike aq të dobëta, sa më vjen të ulërij nga ky përdhunim që i bëhet poezisë. Gjithkush mund të krijojë, dhe e them me bindje se krijimi i bën mirë shpirtit, njerëzit bëhen më të mirë kur merren me poezi apo me art në përgjithësi, por unë e kam fjalën për krijuesit që promovohen, që marrin çmime, që botojnë nga dy-tre libra në vit. Librat e tyre janë pa asnjë vlerë, të paredaktuar, plot gabime ortografike, pa kurrfarë shijeje estetike.

Panairet janë kthyer në pazare, ku vorbullohen antivlera, duke i shtyrë me bërryla të neveritshëm vlerat e vërteta letrare. Është fatkeqësi kur një vendi i mungon kritika letrare.

Kam respekt dhe admirim të pashoq për poetët e vërtetë, të heshturit, të zgjuarit, të cilët krijojnë për të bërë art, jo për të marrë lajka.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

“Do të kenë sukses financiar në 2025″/ Ja cilat shenja do të marrin rrogën e ëndrrave

Astrologu Evan Nathaniel Grim deklaroi se disa shenja të zodiakut do të kenë një sukses financiar në vitin 2025. 1. Binjakët Lidhja...

Ja cilat fruta të thata duhet të konsumoni, nëqoftëse keni mungesë hekuri

Nëse keni marramendje të shpeshta apo ndiheni të lodhur e të dobët, atëherë trupi juaj mund të jetë i mangët në hekur. Hekuri është një nga...

Vigjilje Krishtlindjesh, Pastori Akil Pano: Ngjarja më e madhe në besimin e krishterë!

Krishtlindja është një nga festat më të vyera për të gjithë besimtarët ortodoks dhe katolikë. E teksa jemi në vigjilje të Krishtlindjeve pastori Akil Pano në...

Kleri katolik dhe ortodoks uron besimtarët në prag të Krishtlindjeve

Në Shqipëri, ndërsa besimtarët katolikë dhe ortodoksë janë përgatitur të festojnë lindjen e Jezu Krishtit, udhëheqësit e tyre shpirtëror u përcollën sot mesazhin tradicional...

Udhëtarët shqiptarë tejkalojnë vizitorët e huaj! Europa, burimi i flukseve

Instat ka publikuar të dhënat e flukseve hyrëse-dalëse të shtetasve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajit nëntor. Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar...

Lajme të tjera

Web TV