Shkrimtari turk Onur Caymaz, në një letër drejtuar botuesit të tij në Shqipëri Xhevair Lleshi shkruan se ai është i lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët pasi origjina e tij është shqiptare. “Edhe poetët më të mëdhenj të turqishtes janë bashkëvendasit e mi”, shkruan ndër të tjera Caymaz.
Ai është autor i katër librave me poezi, shtatë përmbledhjeve me tregime, dy romaneve dhe një libri me ese. Poezitë dhe tregimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës si frëngjisht, anglisht, gjermanisht, shqip, etj. Ka marrë pjesë në aktivitete dhe festivale të ndryshme letrare brenda dhe jashtë vendit.
Më poshtë po iu paraqesim letrën e tij drejtuar Xhevair Lleshit.
Si fëmijë, në shtëpi, veç turqishtes, herë pas here, gjyshja dhe nëndaja ime flisnin edhe një gjuhë tjetër. Ndonjë fshehtësi, thashetheme ose gjëra që me gjasë unë s’duhej t’i dëgjoja…Çuditesha, mundohesha të kuptoja. Tani asnjëra prej tyre nuk është gjallë. Çuditesha shumë! Midis fjalëve të tyre zgjateshin përtej pjergulla rrushi, piqeshin petulla, pastaj përgatitej kos me hudhra: Shqipja… Gjuha e vendit ku qenë lëruar rrënjët e mia, toka ime.
Kthesat e bukura të shqipes, pjerrinat e mrekullueshme, vajzat e bukura faqekuqe, burrat e pashëm me duar gjigante, i pata ndjerë përsëri, shumë më vonë, në Durrës, me rastin e festivalit poetik Festivali Poeteka, të organizuar nga Arian Leka, me miqtë poetë në Berat, ose në një bar në Tiranë me Albana Kozeli, përkthyesen e poezive të mia, dhe gjithë duke e shtrydhur fort kujtesën, e pata vënë re, se në fakt e kuptoja pak a shumë këtë gjuhë të lashtë të Evropës, madje edhe mund ta flisja qoftë edhe një grimë.
Kur iu vura kërkimit të origjinës, pemës familjare, e kuptova se jo vetëm im atë, por edhe ime më kishte prejardhje nga Shqiperia, nga Leksoviku. Edhe poetët më të mëdhenj të turqishtes time kanë qenë bashkëvendasit e mi: Memet Akif Ersoji, i cili shkroi marshin e pavarësisë dhe Shemsedin Samiu, autori i romanit të parë turk.
Kurse kjo është një gjë krejt e re: Arbana Rexhepi e njoha para një viti, falë një e-maili që ajo më dërgoi. Më shkruante se sa shumë i pëlqente shkrimet e mia. Sa mirë që e fliste turqishten. E këtillë është jeta, e çuditshme, me kësolloj pikëtakimesh të çuditshme. Më pas, Arbana përktheu një tregim timin që u botua në revistën letrare illz – Revistë letrare e Tiranës. “Po sikur të përpilojmë një libër”, tha, kur i erdhi dita: “ E gjej unë shtëpinë botuese”…Një pikëtakim tjetër: Xhevair Lleshi dhe familja e Uegen Shtepia Botuese. E si mund ta harroj shkrimin tërë mirësjellje që zotëri Xhevahiri shkroi në fund të librit.
Tanimë zëri im tjetër, mbetur nga shumë larg, nga paraardhësit e mi, takohet me lexuesit e mi shqiptarë, pra, me kushërinjtë e mi të rinj të largët. Të gjithë lexuesit e mi i kam kushërinjë të largët; kurse të shkruash është ta sfidosh vdekjen. Atëhetë, le t’i mbjellim farat edhe një herë, në një gjuhë tjetër; bashkë, të gjithë së bashku. E di, shpirtërat tanë paskëshin qenë të pavdekshëm…Tregimet e mia janë tani me ty, përshëndetje, shqipja ime e bukur. Me gotën në dorë, përshëndetje! Gëzuar!
8 qershor 2020 /Fjala.al/Ke.Ba
Burimi:ExLibris