Shënohet viktima e 49-ë, ndërron jetë 66-vjeçari në Infektiv

Një 66-vjeçar nga Tirana ka humbur jetën ditën e sotme në Spitalin Infektiv në QSUT. Ministra e Shëndetësisë bëri me dije se burri që ka qenë prej një jave në gjendje të rëndë nuk ia ka dalë që të shpëtojë.

Vështirësitë në frymëmarrje kishin rënduar gjendjen e tij, ndërsa më tej Ministria bën me dije se viktima ka pasur edhe sëmundje të tjera si diabeti dhe hipertensioni.

Pavarësisht frymëmarrjes së drejtuar, terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, ai ka humbur jetën.

Që nga muaji mars që është edhe fillimi i pandemisë në vendin tonë janë regjistruar 49 jetë të humbura.ka.ta/Fjala.al/

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë: Ndërron jetë pacienti 66 vjeçar në spitalin infektiv

MSHMS apel bizneseve dhe qytetarëve të respektojnë rregullat për të frenuar përhapjen e COVID19

Një pacient 66-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej një jave në gjendje të rëndë. Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësë në frymëmarrje dhe pavarësisht frymëmarrjes së drejtuar, terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 66-vjeçari, i cili vuante nga diabeti dhe hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë.

Që nga fillimi i epidemisë, 49 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19, ndërsa vijon të ketë raste të rënda që po trajtohen në shërbimin infektiv. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregojnë kujdes në zbatimin e rregullave në përditshmëri dhe bizneset të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor dhe Task-Forca anti-COVID vijojnë të jenë në terren 24/7 për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të protokolleve të sigurisë.