Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit/ Çejku: Gjykata vonoi dialogun, por nuk ndikoi te marrëveshja

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë dhe anëtar i Bordit të Këshillit të Ambasadorëve, diplomati Arben Çejku, në analizën e tij për gazetën “Fjala” e quan aktakuzën ndaj Thaçit si epilogun e ndarjes së Kosovës me të kaluarën dhe ai beson se akuza, pavarësisht dëmit momental, nuk do të ndikojë në ecurinë e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të vendosë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve si vende fqinje.

Nga Blerina Gjoka

Në Kosovë Prokuroria Speciale për Krime lufte nisi procesin ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, dhe shtatë anëtarëve të tjerë të UÇK-së. Përse pikërisht tani, dhe përse në këtë formë?

– Unë mendoj që Prokuroria Speciale e kishte gjithë kohën e nevojshme për ta bërë njoftimin e saj në një kohë tjetër dhe jo pikërisht në momentet kur njëri prej të akuzuarve prej saj, ishte në avion rrugës për në Uashington. Kjo “koincidencë” pati ndikim të drejtpërdrejtë në bllokimin e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe disa efekte të tjera të cilat lidhen me stabilitetin e brendshëm politik e institucional në Prishtinë. Arsyet se përse u lëshua ky njoftim nga kjo zyrë, mund të jenë të shumta dhe rreth tyre mund të ngrihen shumë teori e arsyetime. Por, duhet të mos harrojmë, nga ana tjetër, se pas intervistimit të shumë figurave të UÇK-së nga kjo prokurori, përfshirë edhe Kadri Veselin (që ishte në Hagë pak kohë më parë) do të vinte momenti që të njoftohej rreth hapave të tjerë lidhur me hetimin e pretendimeve të Dick Marty-t. Nëse ky njoftim do të bëhej në një moment tjetër, nuk besoj se do ta kishte impaktin publik që pati tani. Megjithatë, njoftime të mëtejshme të këtij institucioni do të qartësojnë më mirë arsyet rreth formës dhe përmbajtjes së njoftimit që u dha dje nga Haga.

Të shtunën pritej takim i Thaçit dhe presidentit serb Vuçiç në Uashington, tashmë gjithçka nga pala kosovare është anuluar, meqë edhe kryeministri Avdullah Hoti refuzoi pjesëmarrjen në takim. Sa e dëmtojnë këto procese për krime lufte imazhin e vetë Kosovës, por edhe të liderëve të saj në arenën ndërkombëtare?

– Prej kohësh ka pasur përpjekje për ta dëmtuar imazhin e Kosovës dhe reputacionin e saj si shtet demokratik. Natyrisht që në thelb, akuzat nuk janë kundër UÇK-së dhe luftës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës, por ato përfshijnë persona të caktuar, të cilët ende nuk janë njohur me akuzën. Por ngado që ta shohësh ky është një moment i vështirë për Kosovën, e cila ka nevojë për mbështetje dhe fuqizim të sovranitetit dhe integritetit të saj. Kosova ka dhënë shembuj se si figura të njohura të saj janë ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare dhe kanë dalë faqebardhë. Kjo do të thotë që sot nuk është momenti për kaos emocional dhe etiketime kolektive, por marrje përgjegjësish institucionale, për të vënë interesin e Kosovës para interesit personal. Deri më sot, ish-drejtuesit e UÇK-së, si zoti Haradinaj etj., i kanë fituar betejat me akuzat e prokurorëve të Serbisë që u trajtuan nga Gjykata e Hagës, ndaj le të besojmë që edhe këtë herë, në këtë epilog të ndarjes me të kaluarën, të fitojë Kosova dhe ata që luftuan për lirinë e saj.

Pas akuzës zyrtare, a mendoni për një dorëheqje të mundshme të Thaçit si president i vendit, duke ndjekur “praktikën” e mëparshme nga Ramush Hardinaj, i cili dha dorëheqjen si kryeministër dhe shkoi para gjykatës si qytetar i thjeshtë? 

– Kjo varet nga rrethana që lidhen me publikimin e akuzës. Deri tani nuk ka arsye të mjaftueshme që presidenti të japë dorëheqje. Por në momentin që ai mund të thirret në Hagë, atëherë ai ka në dorë të shkojë si president, ose si qytetar i lirë. Mendoj që është herët për të folur për largimin e tij përmes dorëheqjes. Megjithatë, duhet të presim leximin politik, juridik dhe moral që vetë zoti Thaçi do t’i bëjë qasjes më të fundit të Prokurorisë Speciale dhe komunikimeve që ai do të ketë në të ardhmen me këtë prokurori dhe gjykatën në Hagë. Dorëheqja e presidentit do të ishte një hap për t’u vlerësuar në momentin që atij do t’i kërkohej një udhëtim për në Hagë. Posti i presidentit nuk imunizon askënd, nëse ndaj personit të tij ka akuza konkrete, kështu që heqja e petkut presidencial do t’i jepte një imunitet më të fortë moral. Sidoqoftë, theksoj se sjellja e tij personale dhe institucionale do të diktohet nga hapat që do të bejë Gjykata dhe Prokuroria Speciale në Hagë.

Lexo edhe :  Gjykata e Posaçme shpall të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit, Eduard Duro

A është kjo lëvizje e Prokurorisë Speciale dhe nisja e procesit ndaj Thaçit edhe një përlasje SHBA-BE për çështjen e “korrigjimit të kufijve”? Shtëpia e Bardhë ishte thuajse e bindur në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, me ndikimin e drejtpërdrejtë të Grenell-it, ndërsa tashmë duket se kthehemi në pikën zero.

-SHBA-ja e ka qartësuar pozicionin e vet lidhur me këtë dhe nuk ka lënë shteg për keqkuptime. Ata e kanë mbështetur Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale dhe nuk e kanë lidhur njoftimin e kësaj gjykate me fillimin e dialogut, por kanë mirëkuptuar delegacionin e Kosovës, i cili kërkoi kohë për rikthimin në tryezë. SHBA-ja ka qenë shumë e qartë edhe kur ka pasur iniciativa në Prishtinë për shfuqizimin e kësaj gjykate, por edhe në mesazhin e fundit që sekretari Pompeo i dërgoi zotit Thaçi. Unë mund të them se gjykata vonoi dialogun, por nuk ndikoi te marrëveshja, përmbajtjen e së cilës nuk e dimë. Pasi të stabilizohet situata, besoj se palët do të rikthehen në tryezën e dialogut, sepse ajo është e vetmja rrugë për të lënë pas të kaluarën dhe për të arritur një marrëveshje që siguron njohjen reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinje, siç janë Kosova dhe Serbia.

Në Kosovë po hetohen dhe dënohen për “krime lufte”, ndërkohë, në Serbi, e cila është përgjegjëse për mijëra viktima në Bosnjë, Kosovë dhe Kroaci nuk po mbahet i njëjti kriter. A mund të flitet për një lloj “lobimi antishqiptar”?

– Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka trajtuar shumë raste të krimeve serbe në Kosovë, ndonëse dënimet që janë dhënë kanë qenë të pamjaftueshme. Mbi të gjitha, për fat të keq, kjo gjykatë nuk arriti t’i zbardhë të gjitha krimet e, sidomos, nuk arriti të zbardhë fatin e të zhdukurve dhe varreve masive me viktima shqiptare, civilë, gra, pleq e fëmijë. Po ashtu, nuk u bë e mundur që Serbia të ndihej fajtore dhe të kërkonte falje për këto krime. Prej kohësh flitet për një disproporcion në sjelljen e drejtësisë ndërkombëtare ndaj krimeve serbe dhe përgjegjësve të tyre, në krahasim me gjykimin e figurave nga Kosova, të cilët ende përballen me sagën e gjyqeve ndërkombëtare për akuza që janë hartuar në Beograd. Koha është për ta përballuar me sukses dhe të bashkuar edhe këtë sfidë të fundit që lidhet me hetimet që ka ndërmarrë Dhoma e Specializuar e Kosovës me bazë në Hagë. Dua të theksoj se jo vetëm Kosova, por çdo shqiptar është i vetëdijshëm për miqtë dhe armiqtë e vet…

Lexo edhe: Aktakuza e paralajmëruar, Kosova për herë të dytë në dorë të aleatëve

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Vetëvendosja kryeson me 41%! KQZ numëron mbi 93% të votave

Po shkon drejt fundit numërimi i votave nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura ditën e djeshme në Kosovë. Deri më tani...

Marrëdhënie me “Sugar Mama”? Albi i ‘Përputhen’: Donin të më vinin qaforen e qenit

I ftuar në “Live From Tirana” ishte një nga konkurrentët e “Përputhen”, Albi Buzali. Ai ka folur për eksperiencën e këtij në këtë format...

Tërmetet në Santorini, ekspertët tregojnë sa do të zgjasin lëkundjet sizmike në ishull

Lëkundje të shumta sizmike kanë pushtuar Santorinin si dhe 3 ishujt e tjerë përreth. Lëkundjet më e forte ishte ajo me magnitudë 5.0 mbrëmjen...

Arrestohet me kërkesë të SPAK, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar mesditën e sotme (10 Shkurt). Urdhri është dhënë nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Burime konfirmuan se ndaj Erion...

Faqja e KQZ-së në ngërç, vazhdojnë problemet me shfaqjen e rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të ketë probleme me faqen e rezultateve. Vazhdimisht kanë probleme pasi rezultatet nuk po shfaqen. Probleme të cilat kanë nisur...

Lajme të tjera

Web TV