Foto/ Përdorej për transportin e drogës drejt Italisë, gomonia u zbulua në një magazinë

Policia ka gjetur dhe sekuestruar gomonen që përdorej për të transportuar drogën nga Shqipëria drejt Italisë.

Skafi u gjet në një magazinë në Panaja të Vlorës dhe u dërgua në pikën e bllokimit në triport. Sipas bluve të Vlorës janë arrestuar 10 persona në qytet, të cilët janë pjesë e grupit kriminal.

Bëhet e ditur se nga operacioni që po zhvillohet në të njëjtën kohën në Itali e Shqipëri, kanë rënë në pranga 37 persona dhe janë sekuestruar 3 ton e gjysmë drògë e llojit marijuanë, hashash dhe kokainë, e ndarë në 7 milionë doza.

Në Shqipëri operacioni është i shtrirë në Tiranë dhe Vlorë, ndërsa janë angazhuar më shumë se 300 forca police në kapjen e tyre.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia është zbuluar në një magazinë në Vlorë një gomone me dy motorrë të fuqishëm e cila dyshohet se përdorej nga grupit kriminal për transportin e drogës, sipas burimeve ky grup ushtronte aktivitetin kriminal në fushën e drogës që prej vitit 2015./Bl.Ba/Fjala.al