Gramoz Ruçi, Kryetari i Kuvendit ka shprehur ngushëllimet e tij për mjekun Arjan Pushi, që humbi jetën si pasojë e Covid-19 në moshën 57-vjeçare. Kujtojmë se mjeku Pushi është i pari nga bluzat e bardha që nuk i mbijetoi dot virusit vdekjeprurës.
Ruçi tha se mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi.
“Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Profesorit të Universitetit të Mjekësisë, mjekut të shquar Arjan Pushi. Doktor Arjani, i cili ua kushtoi jetën dhe karrierën e tij qytetarëve dhe pacientëve, humbi betejën për jetën e vet, në luftë me koronavirusin Covid-19. Ai u shërbeu të sëmurëve deri sa kishte frymë dhe energji, duke mos e marrë në sy rrezikun. I shpreh ngushëllimet familjes, e cila humbi njeriun e vet më të dashur.
Mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi. Kjo humbje duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë, se koronavirusi nuk ka ikur, rreziku prej tij është i madh për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet të mbrojmë jetën tonë, por të bëjmë kujdes edhe për jetët e njerëzve që na rrethojnë.
Institucionet duhet të zbatojnë rreptësisht të gjitha protokollet e mbrojtjes, ndërsa qytetarët të ndërgjegjësohen se mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është kujdesi individual dhe respektimi rigoroz i rregullave mbrojtëse. Mbrojtja e jetëve është sot një detyrë individuale, njerëzore e kombëtare, e institucioneve, por edhe e qytetarëve,”-shkruan Ruçi. Ka.Li/fjala.al