Benjamin Bakalli/ Arratisja e 1 korrikut, shkallët që i sollën lirinë në ambasadën turke

Benjamini tregon për gazetën “Fjala” kalvarin e mundimshëm të të qenit një qytetar i lirë në një kohë kur lëvizja jashtë vendit cilësohej krim. Afërsia e banesës me ambasadën e Turqisë në Tiranë solli arratisjen e tij dhe të tetë pjesëtarëve të familjes.

Nga Alessia Selimi

Një popull i rreckosur dhe i uritur, me ushqime të racionuara me tallona. E tillë ishte shumësia e shtetasve shqiptarë që u dyndën më 2 korrik 1990 drejt ambasadave të huaja në Tiranë, por Benjamin Bakalli dhe shtatë pjesëtarët e tjerë të familjes e “thyen murin e madh” më datë 1 korrik, duke u hedhur nga lartësia dhe përfunduar në oborrin e ambasadës turke.  Në kundërveprim ndaj formatit të regjimit të ashpër komunist, që shpejt do t’i shënohej fundi, u vendos edhe  Benjamini.

Ky burrë rreth të 50-ave është kordinator i veprimtarisë së Oborrit Mbretëror Shqiptar. Asokohe ishte veçse një 20-vjeçar i cili guxoi të mposhte frikën e prodhuar nga një diktaturë gjysmëshekullore, për të ndjekur ëndrrat dhe shtypur dyzimin-kushtëzimin për të folur jashtë shtëpisë me besnikëri për partinë, dhe kritikat e lëshuara vetvetiu në një rreth më të ngushtë.

Sot, Benjamini rikthehet pas në kohë, i ndikuar padyshim nga data simbolike e revoltës së shqiptarëve ndaj persekutimit politik dhe varfërisë që solli regjimi komunist.  Ai përshkruan për gazeta “Fjalë” kalvarin e mundimshëm të të qenit një qytetar i lirë, si dhe ndalet në zgjedhjen e mëvonshme për t’i shërbyer familjes mbretërore shqiptare. Duket se gjithçka nis nga familja, sado e bukur apo e shëmtuar qoftë ajo.

“Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjen e regjimit komunist, familja ime, me traditë dhe histori shumëvjeçare në Tiranë, e pësoi  si jo pak familje të tjera. Ndonëse ajo i ofroi kryeqytetit arkitekt, doktor dhe piktor, nuk i shpëtoi dot keqtrajtimit. Ishte e pamundur që në shpirtin tonë të mos lindte ëndrra për të ikur nga ky vend”, thotë Benjamini me një zë të ulët dhe sy menlakolikë.

“Rreth viteve 1944-1990 nuk ekzistonte e drejta e lëvizjes së lirë qytetare. Ndërkohë, ishin regjistruar disa tentativa arratisjeje me një përfundim të trishtë, burgosje e vrasje. Si të thuash, ishte një eksperiment antilogjik”, vijon Benjamini duke shtuar se një familje me mbiemrin Popa, që u fut në 1985 në ambasadën italiane dhe iu dha e drejta të lëvizte jashtë Shqipërisë 5 vite më pas, u bë pikërisht shtysa e familjes  Bakalli për të ndjekur një rrugë të pakthyeshme.

“Shtëpia ime ndahej me ambasadën turke nga një mur rreth 4 metra i lartë. Më 1 korrik 1990 vendosëm një shkallë të lartë druri në murin e ambasadës. Në po të njëjtën ditë martohej ime motër, Berlina. Unë nuk isha i vetëm. Krah meje ishin edhe tetë anëtarë të tjerë të familjes Bakalli. Por mund të them se isha i fundit që u hipa atyre shkallëve”, tregon Benjamini duke qeshur, teksa shton se personi i parë që pa brenda ambasadës turke ishte bashkëshortja e ambasadorit të atëhershëm.

“Ora shënonte 13:30 dhe nuk ka dyshim se ajo (i referohet të shoqes së ambasadorit turk) nuk priste njerëz në shtëpi, aq më tepër  njerëz të plagosur, të gërvishtur dhe me kocka të thyera, pas një hedhjeje nga një distancë jo fort e pakët.” Benjamini përshkruan më tej itinerarin e të pasurit një pashaportë, pak para se të shkelte për të parën herë në aeroportin Atarturk të Stambollit.

Lexo edhe :  Rama takim me Peleshin dhe krerët e Komisioneve Parlamentare

“Pasi ambasada turke foli me Ministrinë e Jashtme dhe i kërkoi pajisjen tonë me pashaportë, i zoti i shtëpisë, ambasadori, na thërret në orën 18:00 në holl dhe na komunikon largimin. Rreth orës 04:00 të ditës së nesërme, ambasada sulmohet nga një makinë e shërbimeve komunale dhe kështu na u bashkangjitën edhe 4 djem të rinj. Më datë 2 korrik, fotografohemi të gjithë për pashaportat në Drejtorinë e Policisë”, thotë  Benjamini i cili nuk ngurron të ndajë një detaj mjaft interesant nga udhëtimi me avion drejt Stambollit më 13 korrik.

“Nënkryetari i Kombeve të Bashkuara më tha asokohe se mund t’i ngrinim dy gishta në shenjë fitoreje, por kurrsesi të mos shanim vendin tonë. Vetëm tani, pas kaq shumë vitesh, kam arritur të kuptoj se ç’ka dashur të thotë.” Por si vijoi jeta e Benjaminit pas mbërritjes në qytetin dhe portin më të madh të Turqisë? Ai jetoi vetëm 9 muaj në qytetin turk Jozgat, për të emigruar më pas drejt Floridës, ku dhe lindi një vajzë. Benjamini jetoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për plot 30 vite. Megjithatë, sikundër pohon,  janë pak gjë kur mbizotëron dashuria dhe dëshira për të dhënë kontribut për vendin e lindjes. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 2013, për të punuar në një kompani private në sektorin e naftës. Të angazhohej për familjen mbretërore shqiptare, nuk vonoi shumë. Benjamini ishte dhe vijon të jetë i qartë për vendimin e marrë.

“Monarkia e ngritur në çerekun e dytë të shekullit të XX, është periudha më e mirë që ka pasur vendi ynë”, thotë ai teksa numëron si argumente gjallërimin e jetës, ndërtimin e bulevardeve, ministrive, parqeve dhe teatrove. Benjamini e pohon se ky vlerësim për vitet 1929-1939 është i imponuar nga gjyshi dhe i ati, i cili i ka folur kurdoherë me respekt për mbretin  Zog I, edhe pse ai s’ishte më shumë se nëntë vjeç në kohën e dinastisë vendase. Benjamini shfaq gjithashtu dëshirën që Shqipëria të jetë edhe njëherë principatë. “Nuk është e parealizueshme! Shqipëria është ndër të paktat shtete në botë që është e rrethuar nga bashkëkombas. Në ’97 u bë një referendum ku zyrtarisht shifra e shqiptarëve që e donin monarkinë ishte 38%. Çka nënkupton se nuk është një dëshirë surreale. Përpos të gjithave, mendoj se kjo është e vetmja mënyrë për t’u bashkuar”, thotë Benjamini.

Në një periudhë ku të rinjtë shiheshin si objektivi kryesor i administratës, propagandës apo aparatit shtypës, ishte adoleshent. Dhe në gjirin e një bote të huaj, larg “proletarëve të ndërgjegjshëm për klasat shoqërore”, i rritur. Në këtë 2 korrik, mesoburrë në vendlindje, ku, sipas tij, kapitalizmi dhe komunizmi nuk janë drejtëza të kithëta.

/En.Br./Fjala.al