“Dua 40 milionë Paund në vit”! Kërkesa Hamilton krijon dilema te Mercedes në F1

Një rritje e tillë do ta bënte Hamilton qartësisht pilotin më të paguar të globit

Piloti anglez Lewis Hamilton po kërkon 40 milionë Paund në vit për të nënshkruar një marrëveshje të re me skuadrën e Mercedes. Kampioni botëror për gjashtë here në garat e Formula 1, kontrata e të cilit do të skadojë në fund të këtij viti, do të përcaktojë kushtet e tij në negociatat me drejtorin e ekipit Toto Wolff gjatë javëve në vazhdim.

Hamilton, 35 vjeç, po kërkon një përmirësim të pagës së tij aktuale, nga 36 milionë Paund në 40 milionë. Një rritje e tillë do ta bënte Hamilton qartësisht pilotin më të paguar të globit. Bisedimet ranë në heshtje gjatë ndërprerjes së shkaktuar nga Covid-19, por Mercedes tani pret një përparim ndërsa Hamilton dhe Wolff presin startin e sezonit në Grand Prix të Austrisë të dielën.

Të dy palët pretendojnë se janë të qetë për arritjen e një marrëveshje, duke thënë se ata besojnë njëri-tjetrin në mënyrë të verbër. Fakti që Ferrari e ka zgjidhur përzgjedhjen e shoferit të tyre – duke e sjellë Carlos Sainz si partner të Charles Leclerc sezonin e ardhshëm – zvogëlon opsionet dhe e kufizon fuqinë e pazareve të Hamilton në negociata.

Sidoqoftë, e ardhmja e Wolff dhe thashethemet për përfshirjen afatgjatë të Mercedes në këtë sport – mund të kenë akoma një ndikim. Wolff do të mbetet në krye, megjithëse ai ndoshta do të kalojë në një rol më të distancuar si drejtori i Bordit. Sainz, i cili aktualisht është te McLaren, është i lidhur me Ferrari vetëm për vitin 2021, që do të thotë se mund të ketë ende hapësirë ​​për Hamilton vitin e ardhshëm te “Kokëkuqja”.