ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ka organizuar të premten një takim për të diskutuar në lidhje me hartimin e strategjisë së futbollit shqiptar 2020-2025. Në këtë mbledhje morën pjesë një grup pune i përbërë nga drejtuesit e disa prej departamenteve kryesore të organizmit që qeveris futbollin në vend, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, përfaqësues të klubeve, ndërkohë që përmes video-konferencës mbledhjen e ndoqën edhe përfaqësues të UEFA-s.
Në fjalën e mbajtur në nisje të këtij takimi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, shpjegoi rëndësinë e madhe, që ka ky dokument strategjik, që po hartohet edhe në bashkëpunim të ngushtë me organizmin që qeveris futbollin kontinental, UEFA-n, për zhvillimin e futbollit në të ardhmen dhe për vendosjen e disa objektivave të qarta. “Kemi organizuar këtë tryezë për të diskutuar lidhur me nevojat e hartimit të një strategjie afatgjatë”, – ka thënë ai.
“Të gjithë e dimë tashmë se Federata Shqiptare e Futbollit është zhvilluar shumë në disa dimensione, kështu që, ka lindur nevoja, padiskutim. që aktivitetet në FSHF patjetër të kenë nevojë për një dimension tjetër, – vijoi Shulku, duke theksuar edhe një herë prioritetet që FSHF-ja ka në 5-vjeçarin e ardhshëm. – Në bashkëpunim me përfaqësues të UEFA-s dhe në bashkëpunim me klubet është hartuar një strategji afatgjatë.
Dua të falënderoj përfaqësuesit e UEFA-s, të cilët kanë qenë ndër kontributorët kryesorë për hartimin e kësaj strategjie.”
“Ka ardhur koha, kur ne duhet patjetër që prioritetet kryesore të Federatës t’i zhvillojmë dhe të gjithë aktorët bashkë të jemi në unison për ta ngritur edhe më lart nivelin e zhvillimit të futbollit, – u shpreh ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së. – Nuk do të lija pa përmendur prioritetet kryesore, që kemi shpallur Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, siç janë futbolli i femrave, futbolli i bazës, pra ai i fëmijëve, si edhe infrastruktura.”
Pasi u prezantuan pikat kryesore ku do të mbështetet hartimi i këtij dokumenti, të pranishmit në mbledhje diskutuan për idetë të reja, që mund të përfshihen në strategjinë e futbollit shqiptar dhe u dakordësua një plan për vijimësinë e takimeve konsultative./Bl.Ba/Fjala.al