Aleks Çapaliku, trajneri i lojës inteligjente të shahut, më i miri në Italinë e Veriut

113 563 lexime

77,476FansaPëlqeje

Aleksi tregon për gazetën “Fjala” kalimin nga lojtar në trajner shahu; ai ndalet në qasjen që ka Shqipëria dhe Italia ndaj sportit të mendjes

Nga Alessia Selimi

Në jetë çdo lëvizje duhet të ketë një qëllim, përkundër hezitimit apo entuziazmit të shfrenuar. Një qëllim të atillë, të ngritur mbi disa hapa pas dhe para, për të triumfuar sikundër një lojtar i mirë shahu. Megjithatë, sporti i mendjes që luhet mbi një tabelë të ndarë në 64 katrorë të vegjël bardh e zi, na mëson tashmë prej dekadash se një lojtar gëzon personalitetin e tij, dhe se në ka diçka që ia definon karakterin, është e njëjta që përcakton mënyrën si përballet me kundërshtarin; se si sakrifikon ushtarë, kuaj, torra dhe oficerë, dhe se si i qaset fitores.

Aleks Çapaliku e pohon këtë pa kurrfarë ndroje, ndonëse shton se një mësues (trajner) i duhet kujtdo, në lojë a në jetë, për të shmangur sadopak gabimet e përqafuar fitoret.  “Është një rol i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për lojtarët e rinj, jo vetëm për të rritur sa më shpejt nivelin e lojës, por edhe në përgatitjen e materialit, të hapjeve, kombinacioneve, si dhe në njohjen e mirë të çdo lojtari”, shprehet ai në gjuhën e shahut.

Jo më larg se një javë më parë, Aleksi është vlerësuar si trajneri më i mirë i shahut në Italinë e Veriut. Fitorja i është komunikuar përmes faqes zyrtare të Federatës Italiane të Shahut. Ceremonia që do të mbahej në Milano, u anulua, për shkak të pandemisë globale COVID-19. Ashtu sikurse edhe aktivitete dhe programe të shumta të një grupi të shkëlqyer shahistësh të skuadrës së Udines në serinë A-1. Por kjo nuk ia zbeh aspak vlerat çmimit të rrëmbyer dhe të pritshëm nga Aleksi. Rezultatet e vitit që lamë pas, flisnin jo vetëm për të, por për të gjithë pjesëmarrësit.

Pasioni i Aleksit daton shumë vite më parë, në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Po ashtu, edhe koncepti individual për shahun. Ai tregon për gazetën “Fjala” se çfarë e shtyu konkretisht ta trajtonte këtë lojë si një profesion të mirëfilltë, dhe të identifikohej në Udine të Italisë si mësues shahu për fëmijët e klasave të katërta dhe të pesta. Aleksi ndalet gjithashtu në dallimet e të përbashkëtat mes një shahisti shqiptar dhe një shahisti italian; në lëvizjet e parashikueshme ose gjeniale të gurëve përbrenda fushës së kundërshtarit.

Shahun e kam mësuar që në moshën 6 vjeç. E përqafova si lojë kur isha fëmijë. Shihja tim vëlla, më të madh se unë në moshë, teksa luante thuajse çdo ditë me miqtë. Fillimisht kam luajtur në Shtëpinë e Pionerit. Më pas me ekipin e të rriturve, Vllazninë e Shkodrës. Ndër rezultatet më të mira që kam pasur në adoleshencë veçoj atë të kampionatit kombëtar të të rinjve për moshat deri në 18 vjeç, ku u rendita në vendin e parë“, thotë Aleksi, i zhvendosur në Itali në 1993-shin. Vit ky që përkon me transformimin politik të regjimit komunist dhe atë të dinamikave migratore në vend.

“Përfshirja në klubin e shahut në Itali, nuk ka qenë aspak e vështirë. Përkundrazi, aty e kam ndier veten gjithmonë si në shtëpinë time. Ambientet, shoqëria dhe personat që frekuentojnë klubet e shahut janë me të vërtetë të një niveli shumë të lartë”, shprehet Aleksi, teksa i rikthehet brenda pak çastesh të tashmes. “Po bëhen më shumë se tetë vite që unë merrem vetëm me shah. Kam kryer kurset e nevojshme për instruktor nacional, si dhe për arbitër shahu. Së bashku me një kolege kemi hapur një shkollë shahu në një provincë të Udines, që quhet Palmanova. Rezultatet kanë filluar të shihen, numri i fëmijëve është shtuar mjaft dhe niveli i lojës po rritet gjithnjë e më shumë”, thotë Aleksi teksa numëron pjesëmarrje të shumta në gara provinciale, regjionale e nacionale me rezultate mjaft të mira, duke u klasifikuar në vende të dyta dhe të treta. “Rezultati më i mirë ka qenë ai i vitit të kaluar (2019), ku me skuadrën e fëmijëve jemi shpallur kampionë të Italisë”, thekson ai.

Lexo edhe :  Miratimi i vaksinës anti-Covid nga Rusia alarmon ekspertët botërorë

Duke pohuar se pasionin për shah e ka trashëguar edhe te fëmijët e tij, dhe se e bija ka marrë pjesë denjësisht në mjaft aktivitete nacionale, Aleksi shton disa detaje mjaft interesante. “Po vë re se pas sportit të shahut po apasionohen edhe prindërit e fëmijëve që vijnë në kurse e frekuentojnë klubet e shahut. Çdo vit, ne mësojmë rreth 500 fëmijë dhe 250 prej tyre “testohen” rregullisht nga Federata Italiane e Shahut. Nëse do të bëja një përllogaritje të orëve, bëjmë rreth 800 orë mësim shahu në vit.”

Për të, nuk është e rëndësishme se sa lojtar i mirë je, është gjithmonë një tjetër më i zoti. Dhe se një lojtar i afirmuar preferon shumë më tepër një lojë të shkëlqyer sesa një fitore. E duke u ndalur në këtë mendim, Aleksi, i cili jeton prej 27 vitesh në Itali, thotë se nuk ka asnjë dallim mes një lojtari shqiptar dhe italian, por vetëm të përbashkëta. “Loja e shahut ka gjuhë ndërkombëtare. I përngjan shumë muzikës. Para dy vitesh kam parë një ndeshje shahu mes kampionit të Italisë, Michele Godena, dhe kampionit të Shqipërisë, Franc Ashiku. Ishte një lojë interesante, që përfundoi në barazim. Nëse i  marrim këta dy lojtarë si shembull, e përbashkëta e tyre është se të dy janë në gjendje të luajnë edhe pa e parë fushën, sepse lëvizjet i fiksojnë në mendje. Dhe shahu i tillë është; luhet me mend, jo me duar.”

Në linjë logjike Aleksi duket se e ndien të nevojshme të flasë  për shkollat dhe klubet, si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri. “Në këto 20 vitet e fundit në Itali, shahu është duke u zhvilluar në përmasa shumë të gjera. Nuk janë të pakta shkollat, sidomos ato elementaret, të cilat janë duke provuar me shumë sukses mësimin e shahut. Edhe në Shqipëri, me aq sa kam mundur të informohem dhe të ndjek nga afër, punohet mirë në klubet e shahut, si në Tiranë, Durrës, Shkodër e Berat”, shprehet Aleksi duke i mëshuar gjithashtu mendimit se sporti i gjimnastikës së mendjes duhet të futet me patjetër edhe në shkollat e vendit, por sidomos në ato të ciklit të ulët. “Është pa dyshim ndër mënyrat më të suksesshme për të pikasur talentet në gjenezë, për të kalitur durimin dhe për t’i ofruar liri të vërtetë fantazisë.

Origjina e vërtetë e lojës së shahut është akoma e panjohur dhe misterioze, ndonëse ekziston një lloj sigurie se ka ardhur nga Lindja, dhe se Perëndimi është magjepsur me të. Kjo nuk përjashton shumëllojshmërinë e legjendave, tregimeve dhe supozimeve të thjeshta. Në “Novela e shahut”, Stefan Cvajg i referohet shahut si e vetmja nga të gjitha lojërat që ka shpikur njeriu, që s’është pjellë e rastit, as shkencë dhe art, por një produkt që qëndron midis këtyre dy koncepteve.

Dhe kjo lojë, e cila u ka bërë ballë provave të kohës më shumë se çdo lloj libri apo vepre, e që u takon të gjithë popujve dhe periudhave historike, sipas Aleksit, i ofron njeriut armën më të fortë që mund të gëzojë kundrejt realitetit: mendim që nuk kridhet në plogështi.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Tre të arrestuar brenda 5 orësh/ Policia del me apelin e fortë, nxjerr këto pamje

Policia ka vijuar me kontrollet në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë prej disa orësh, me radar, për të parandaluar shpejtësinë e...

Me orgjinë arbëreshe, ka qenë në Shqipëri dhe kishte miqësi me Ali Pashë Tepelenën, 50 fakte për Napoleon Bonapartin

Si sot 251 vjet më parë lindi Napoleon Bonaparti, një nga personazhet më të rëndësishme të historisë së Botës. Strategu më i madh ushtarak...

Aktori Naim Frashëri përkujtohet nga i biri në ditën e lindjes së tij

Aktori Naim Frashëri edhe pse nuk jeton më është përkujtuar sot nga i biri, Anili në ditën e lindjes së tij. Me fjalë shumë të ndjera...

Çdo të thotë të jesh Tiranas? Ja si përgjigjet Parid Turdiu

Parid Turdiu ka folur për Fjala edhe lidhur me origjinën e tij teksa ka treguar se çdo të thotë të jesh i lindur në...

Lajme të tjera

Web TV