U fol shumë mbi qëndrimin e tij, e për më tepër, pasi, në mënyrë të papritur, ai nuk ishte në stolin e Partizanit, për më tepër në një ndeshje të rëndësishme siç ishte derbi me Tiranën. Dhe kjo çoi, rrjedhimisht, në largimin e tij, që u zyrtarizua këto ditët e fundit.
Megjithatë, secili gëzon të drejtën e dhënies së versionit të vet në një çështje të tillë dhe, në një intervistë të dhënë së fundmi për “Tuttomercatoweb”, Adolfo Sormani ka këmbëngulur se nuk mund të mendonte më për futboll në rrethanat e krijuar dhe, për këtë arsye, ai vendosi të mbyllë bashkëpunimin me klubin e kuq të kryeqytetit dhe kjo erdhi me një marrëveshje konsensuale.
“Situata është e thjeshtë, kemi bërë një shkëputje konsesuale të kontratës, – ka deklaruar trajneri, duke rrëfyer për median në fjalë arsyet e lamtumirës nga Partizani. – Nuk bëhet fjalë për një shkarkim. Motivet janë pak a shumë të ditura. Në mënyrën time të të parit, nuk garantohej më siguria. Nuk flas për sigurinë time apo të bashkëpunëtorëve të mi, është një diskutim më i gjerë që u takon dhe personave të përfshirë apo të lidhur me ekipi, me stërvitjet dhe me ndeshjet. Gjatë ditëve të fundit u shfaqën dy raste pozitive në ekip. Për këtë i kërkova klubit që të kryente tamponët e të gjithë ekipit.”
“Të enjten, më datë 9, përgjigjet nuk kishin mbërritur ende, por klubi na kërkoi që të stërviteshim përpara derbit me Tiranën, që ishte të nesërmen, – ka vijuar ish-kreu i stolit të të kuqve. – Unë thashë jo sepse nuk ishte një situatë që duhej kaluar lehtë, moralisht dhe nga pikëpamja etike nuk mund ta merrja këtë përgjegjësi kundrejt skuadrës. Lojtarët, sidoqoftë, u stërvitën. Tamponët treguan se në ekip kishte dhe 3 lojtarë të tjerë pozitivë. Për mua ishte e qartë se situata nuk ishte e përshtatshme. Sporti në raste të tilla del në plan të dytë. Kur dolën rastet e para pozitive fola me një virolog në Itali dhe ai më tha që duhej të ndaleshim menjëherë.”
“Unë u futa në autoizolim që ditën e mërkurë, datë 8, për të bërë detyrën ndonëse askush nuk më detyroi, – ka zbuluar 54-vjeçari. – Për mua nuk ishin kushtet për t’u stërvitur e lëre pastaj për të luajtur një ndeshje, mbi të gjitha pa masat e duhara si për shembull maskat.” Madje Sormani ka shprehur habinë për sjelljen e klubit në rrethanat e krijuara. “Për ata ishte normale, – ka thënë ai për faqen sportive italiane në Internet. -Madje kishte mbërritur dhe leja nga federata që ndeshja të luhej pavarësisht gjithçkaje. Për mua nuk ishte kështu, siç e thashë aspekti sportiv në disa raste vjen pas atij etik duke menduar të gjithë personat që janë në klub.
Dhe, rrjedhimisht, të dyja palët kanë mbërritur tek “divorci”. “U thashë që nuk do ta përgatisja ndeshjen, u thashë se nuk kisha ndërmend të çoja kaq shumë njerëz në “kasaphanë”, – ka deklaruar trajneri italian. – Detyra e një trajneri në raste të tilla shkon përtej fushës së lojës. Prej aty u ula me klubin dhe mbërritëm në një prishje konsensuale të kontratës. Nuk kisha interes të bëja polemika apo luftë me klubin, për këtë zgjodhëm të ndaheshim miqësisht.” Sormani dhe ndihmësit e tij nuk ishin në stol në përballjen e luajtur në “Arenën Kombëtare” dhe Partizani është drejtuar në mungesë të tij, nga zëvendësi Renaldo Kalari, por edhe nga Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama.
Ky i fundit nuk e pati fshehur zhgënjimin me trajnerin dhe stafin e tij, duke folur pas barazimit me Tiranën. Madje kreu i klubit të kuq të kryeqytetit nuk e ka kursyer ironinë me trajnerin, duke e cilësuar si burracak. “Njëherë kanë thënë se futbolli është sport burrash, sot luajnë dhe femra, – ka thënë Rama.
– Jam krenar për skuadrën, treguam se jemi burrërorë. Secili ka parimet e veta në jetë. Sormani vjen nga Italia. Mbase atje kanë kulturë tjetër. Partizani i ka ndjekur me rigorozitet të githa protokollet. Në këtë situatë të tillë, duhet të ruhemi, por nuk duhet të kesh frikë të vazhdosh jetën duke marrë masat”, – pati përfunduar Rama.
Në tri javët e mbetura Partizani i beson Kalarit që të mbyllë sezonin në krye të stolit të të kuqve.
la.mi/Fjala.al