Ligji dhe gjyqësori/Si i shpëtuan burgimit të përjetshëm të dënuarit “VIP”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Lirimi në seri i të dënuarve me burgim të përjetshëm nga gjykatat “periferike” të shkallës së parë. Klauzolat ligjore që përdoren për të fituar lirinë për “sjellje të mirë”, apo edhe se kanë prindër dhe fëmijë për t’u kujdesur. Gazeta “Fjala” sjell personazhet që fituan lirinë dhe të tjerë që janë një hap larg kapërcimit të qelisë

Nga Elvis Myrta

Vitet e fundit në botën e nëndheshme të krimit të organizuar kanë dalë grupe të reja kriminale që zotërojnë trafikun e drogës, japin urdhrat për vrasje, vendosin gjoba dhe kërcënojnë këdo që u del para, por nuk duhen harruar ata që shpikën modelin e “të fortëve” në Shqipëri, krerët e bandave të fillimit apo fundit të viteve 90’.

Edhe pse shumica e anëtarëve, por dhe krerët e këtyre bandave, pas vendosjes së rendit u arrestuan, pjesa më e madhe e tyre kanë fituar lirinë, ndërsa të tjerë pritet që t’i lënë qelitë në muajt e ardhshëm.

Në 5 vitet e fundit shumë prej këtyre personzheve, të dënuar për krime të rënda, janë liruar me kusht, duke përfituar nga amnistitë ose lehtësirat e ligjit, duke përfituar lirimin para përfundimit të dënimit.

Vetëm gjatë kësaj jave dy personzhe “VIP”, të dënuar me burgim të përjetshëm, nga të dyja shkallët e gjyqësorit, kërkuan lirinë me kusht. Myrteza Çaushi, i njohur si Zani Çaushi, një nga ish-krerët e bandave të Vlorës së vitit 1997, ditën e hënë depozitoi një kërkesë për lirim të parakohshëm, në Gjykatën e Korçës.

Në këtë kërkesë Çaushi pretendon lirim të parakohshëm, për shkak se është rehabilituar dhe se e ka kryer ¾ e dënimit. Gjithashtu, Çaushi pretendon se gjatë vuajtjes së dënimit ai ka shfaqur sjellje të mirë.

Në kërkesën e depozituar në gjykatë, ish-kreu i bandës së Çoles, “argumenton” se do të punësohet, pas lirimit, dhe duhet të kujdeset për rritjen e dy fëmijëve të tij. Seanca për vlerësimin e kësaj kërkese do të mbahet në 17 korrik.

Pa kaluar 24 orë nga bërja publike e kërkesës së Zani Çaushit, i cili kërkon lirinë me kusht, një tjetër personazh i njohur i botës së krimit iu drejtua Gjykatës së Elbasanit, me të njëjtën kërkesë.

Gazmend Brakaj, i njohur me pseudonimin “Gaxhai”, ashtu si kundërshtari i tij në vitin e mbrapshtë 1997, ka depozituar në Gjykatën e Elbasanit kërkesën për t’u liruar me kusht, me pretendimin se është rehabilituar.

Rruga për të përfituar lirinë me kusht, i është hapur edhe një personazhi tjetër, që jo pak herë ka qenë në faqet e para të gazetave, si i përfshirë në ngjarje kriminale. Në muajin maj të këtij viti, Gjykata e Elbasanit pranoi kërkesën e Dritan Dajtit, për bashkimin e dy dënimeve me 25 dhe 23 vjet burg në një të vetëm.

Dajti u dënua me nga ish-Apeli i Krimeve të Rënda me 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009, ndërsa me 23 vite burg ishte dënuar në mungesë, për vrasjen e biznesmenit Agim Beqja. Bashkimi i dy dënimeve në një të vetëm, i ka hapur rrugën Dajtit për përmbushjen e afatit ligjor që të kërkojë lirim të parakohshëm me kusht nga qelia.

Si e përfitojnë lirinë me kusht të dënuarit për vepra të rënda penale

Në burgjet e sigurisë së lartë të vendit tonë janë qindra persona që vuajnë dënime të përjetshme, për shkak se kanë kryer vepra të rënda penale. Sipas informacioneve të siguruara nga drejtoria e burgjeve, janë mbi 150 persona të dënuar me burgim të përjetshëm, që vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë.

Por, një person i dënuar me burgim të përjetshëm jo domosdoshmërisht do ta kalojë në qeli të gjithë jetën që i ka mbetur. Procedura e Kodit Penal u jep mundësi këtyre të dënuarve të përfitojë lirinë me kusht. Është neni 65 i Kodit që i jep mundësinë një të dënuari me burg për jetë të përfitojë lirinë me kusht.

Sipas këtij neni, të dënuarit për vepra të rënda penale e përfitojnë lirinë me kusht në raste të jashtëzakonshme, dhe si kusht është vuajtja jo më pak se 35 vite burgim, sjellja shembullore në qeli, dhe kur çmohet se është arritur qëllimi i edukimit të të dënuarit.

Por, për persona që janë dënuar para vitit 2013, sipas Kodit të vjetër, minimumi i dënimit të vuajtur të kërkuar është 25 vite. Shumë personazhe të botës së krimit të dënuar për vepra të ndryshme penale, kanë shfrytëzuar pikërisht këtë nen, duke përfituar lirinë. I fundit që shfrytëzoi hapësirat e këtij neni ishte ish-kreu i bandës së Durrësit, Endrit Dokle.

Ai u lirua në fillim të këtij viti, më konkretisht në 16 janar. Ishte Gjykata e Krujës që pranoi kërkesën e Dokles për t’u liruar me kusht. Dokle u hetua dhe u dënua për një sërë krimesh, mes tyre edhe për tentativën për eliminimin e Lulzim Berishës, ish-kreut të bandës ku dhe vetë Dokle ishte anëtar.

Prej datës 2 nëntor 2005 Dokle ndodhej në qeli, ndërsa në vitin 2014 Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për riçelje gjykimi, duke lënë përfundimisht në fuqi dënimin me burg për jetë.

Lexo edhe :  Mbante armë zjarri në makinë, arrestohet 28-vjeçari në Tiranë

Gjithashtu, në mars të 2017-s, Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimin e burgimit për jetë ndaj Dokles, duke shfuqizuar kërkesën e ish-anëtarit të Bandës së Durrësit, për shfuqizimin e këtij vendimi. Por dy vite pas këtij vendimi dhe transferimit të tij në burgun e sigurisë së zakonshme, Dokle u lirua nga burgu prej Gjykatës së Krujës me shërbim prove.

Ish-anëtari i bandës së Durrësit, i cili më pas u kthye në rival të Lulëzim Berishës, në 5 vitet e ardhshme do të jetë në shërbim prove. Gjykata e Krujës pranoi kërkesën e tij, duke e liruar, por me kusht në provë.

Ai nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Gjithashtu, nuk duhet të mbajë armë dhe duhet të ruajë kontakte me Shërbimin e Provës.

Lirimi i Lulzim Berishës

Rastit i Dokles nuk është i vetmi, pasi vitet e fundit kanë përfituar lirinë shumë personazhe të botës së krimit. I pari që shpëtoi nga burgimi për jetë ishte ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha.

Lirimi i tij më 5 dhjetor të vitit 2016 shkaktoi mjaft debate, në të cilat u përfshi edhe politika. Në atë kohë trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës, e kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin, renditi nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori ishte kushti i kryerjes së ¾ të dënimit, sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal.

Më 16 janar 2012 Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë, i vitit 2014, rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit. Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016. Në fund të vitit Gjykata e Durrësit vendosi ta lirojë me kusht ish-kreun e bandës së qytetit bregdetar.

Lirimi i Viktor Ymerit

Në fillim të vitit 2020 një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm fitoi lirinë, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Elbasanit. Viktor Ymeri, ish-anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë.

Më 20 prill të vitit 2000 Ymeri u dënua nga gjykata e Durrësit me burg për jetë, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli i Durrësit. Por, në 28 tetor të vitit 2015 Viktor Ymeri iu drejtua sërish Gjykatës së Lartë për rishikim të vendimit, e cila e ktheu dosjen në Gjykatën e Durrësit.

Kjo e fundit e dënoi sërish me burg për jetë, por në 14 nëntor të vitit 2018, Apeli i Durrësit e prishi dënimin me burg për jetë dhe e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg. Pas dhënies së këtij vendimi Ymeri kërkoi lirinë me kusht.

Në 27 dhjetor të këtij viti Gjykata e Elbasanit vendosi për lirimin e tij të menjëhershëm, me argumentin se atij duhet t’i njiheshin edhe ditët e punës që kishte kryer në burgun e Peqinit.

Lirimi i Gerd Gjinararit

Në Shkurt të vitit 2019, pasi kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, Gjykata e Korçës ka liruar me kusht Gerd Gjinararin, i njohur ndryshe si ‘Gjenerali’. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e “të fortit” të Tiranës, Naim Zyberi.

Gyqtari Markelian Kuqo, duke arsyetuar kërkesën që i kishte pranuar Gjinararit, tha se i dënuari ishte rehabilituar plotësisht, kishte sjellje shembullore dhe kishte normalizuar marrëdhëniet me trashëgimtarët e viktimës.

Ndërsa kushti për lirinë e tij është detyrimi për t’u paraqitur gjithë jetën pranë Shërbimit të Provës”. Prokuroria kundërshtoi vendimin dhe ligjin ku është referuar gjykata.

Hekuran Billa

I ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e 11 qershorit në rrugën “Komuna e Parisit” në kryeqytet, Hekuran Billa u zbulua se kishte qenë gjithashtu një i dënuar për jetë, që falë hapësirave të krijuara nga drejtësia, kishte arritur të rifitonte lirinë.

Ai ishte dënuar nga një gjykatë angleze për një vrasje të kryer në Britaninë e Madhe, në vitin 2006, ku kishin mbetur edhe tre persona të plagosur. Në vitin 2014 atij iu njoh dënimi me burgim të përjetshëm, por në vitin 2016 Gjykata e Apelit vendosi ta ndryshojë vendimin e Gjykatës së Tiranës për njohjen e burgimit të përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim.

Por teksa kishte dhe rreth 10 vite dënim për të kryer, gjyqtarja Enkelejda Hoxha (po ajo që kishte firmosur edhe për daljen e Endrit Dokles) i ka njohur Hekuran Billës disa amnisti dhe i ka falur 5 vitet e fundit të dënimit, duke e nxjerrë nga burgu në shërbim prove, me arsyetimin se ai kishte sjellje të mirë në burg dhe ishte në pamundësi ekonomike, ndaj duhet të punonte për të siguruar ilaçet e prindërve.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Kolla mund të jetë një simptomë e problemeve të zemrës, kur duhet të shkoni te mjeku

Edhe pse kolla e herëpashershme është një fenomen krejtësisht normal, një kollë që nuk largohet për një kohë të...

Pse na duket sikur muaji Janar është kaq i gjatë? Ja si e shpjegojnë psikologët

Muaji janar, i konsideruar shpesh si fillimi i një viti të ri, sjell me vete një përzierje emocionesh dhe pritshmërish. Megjithatë, për shumë njerëz,...

Plagosja me armë e 15 vjeçarit, shpallet në kërkim xhaxhai!

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë Mëzez, ku mbeti i dëmtuar me armë zjarri një 15-vjeçar. Shpallet në kërkim një...

Gjermania në krizë prej dy vitesh! Çfarë pritet nga qeveria e re?

Gjermania është në recesion prej dy vitesh. Bizneset besojnë se nevojitet një ndryshim rrënjësor ekonomik dhe politik pas zgjedhjeve të ardhshme federale. Çfarë kërkon...

Lezha pa energji/ Shkak, remonti që po kryhet në nënstacionin elektrik

Lezha pa energji prej orës 23:00 të ditës së djeshme. Ndërprerja ka ardhur për shkak të një remonti që po kryhet në nënstacionin elektrik...

Lajme të tjera

Web TV