Duke përsëritur edhe njëherë se pakti i 5 qershorit nuk preket, kryeministri Rama gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit i ka thënë troç opozitës parlamentare se nuk mund t’i marrin të gjitha dhe se të gjithë duhet të bëjnë lëshimet e tyre.
“Ju dëgjova, do më lejoni të jap një mesazh shumë të qartë, të gjithëve ju, duke filluar nga i palodhuri Murrizi e deri tek deputeti i fundit jo për nga rëndësia i opozitës parlamentare.
Nuk mund t’i merrni të gjitha, nuk mund ti kërkoni të gjitha dhe të gjithë duhet të bëjmë lëshimet tona, po ua them sot që të jemi shumë të qartë është e pamundur që ne të votojmë së bashku me ju, nëse ju nuk votoni së bashku me ne dhe për ne marrëveshja e 5 qershorit nuk preket, në asnjë pikë të saj.
E them këtë duke e ripërsëritur edhe këtu, mua ajo nuk më pëlqen dhe në të ka një problem të madh që nuk kemi arritur të adresojmë rekomandimin e OSBE ODIHR që është i përsëritur në të gjitha raportet, depolitizimi i administratës zgjedhore”, u shpreh Rama.
Më tej ai sqaroi se ata bënë një lëshim jo se nuk kishim rrugë tjetër, por për të përfshirë PD-në proces.
“Keni kohë të reflektoni dhe të kuptoni se të dyja janë të lidhura bashkë, marrëveshja e 5 qershorit dhe marrëveshja për të pranuar legjitimitetin e nismës suaj, e cila për hir të së vërtetës ka mbështetjen e një shumice të madhe shqiptarësh.
Nuk e kemi pranuar për t’u bërë qejfin, por sepse është e drejtë. Në proces e vërteta është se keni arritur të sensibilizoni opinionin dhe nuk e kam problem, zonjës Hajdari, Ralfit, Murrizit, bravo ju qoftë. PS-së i takon që të dëgjojë qytetarët. Është e pamundur për ne ta grisim marrëveshjen e 5 Qershorit”shtoi Rama./Bl.Ba/Fjala.al